Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të penguar aksionin e Partisë Socialdemokrate të martën, të cilët në objektin e Qeverisë së Kosovës vendosën mbishkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti i sovjetëve”, njofton Insajderi.
Derisa aktivistët e PSD-së tentonin të shkruanin në murin e këtij objekti, policia intervenoi duke shkaktuar përleshje mes vete.
“Krejt dhe drejt” është slogani i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilin PSD-ja e ka krahasuar me parullën bolshevike “Krejt pushteti i sovjetëve”.
Kryetari i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, tha se kjo parullë, e përdorur para një shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë.
“Në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare. ‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu”, tha Molliqaj para mediave./Insajderi.com