Presidenti e Kryeministri ‘rrezikojnë’ sigurinë e shtetit – s’marrin asnjë hap për emërimin e shefit të AKI-së

Njomza Salihi

Presidenti e Kryeministri ‘rrezikojnë’ sigurinë e shtetit – s’marrin asnjë hap për emërimin e shefit të AKI-së

Institucioni më i lartë i sigurisë së shtetit që 13 ditë është pa shef. Presidenti dhe Kryeministri sipas Ligjit kanë edhe shtatë ditë kohë ta emërojnë drejtorin e AKI-së. Thaçi dhe Haradinaj e kanë shkelur po të njëjtin ligj, pasi për gjashtë muaj ata nuk e kanë emëruar as Inspektorin e Përgjithshëm të këtij institucioni. Ekspertët e sigurisë flasin për pasojat e mosplotësimi të këtyre dy pozitave.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri në largim Ramush Haradinaj të paktën publikisht nuk kanë treguar se kanë marrë ndonjë hap për emërimin e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndonëse kanë kaluar 12 ditë që nga vetëshkarkimi i Shpend Maxhunit nga kjo pozitë.

Dy udhëheqësit e shtetit kanë edhe 7 ditë kohë për ta plotësuar këtë pozitë, që konsiderohet më e rëndësishmja për sigurinë e shtetit.

Sipas Ligjit për AKI-në posti i kryespiunit të shtetit nuk duhet të jetë “i lirë” më shumë sesa 20 ditë, shkruan Insajderi.

Pika 5.3 e Nenit 5 të thotë se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Gazeta Insajderi i ka pyetur Presidencën dhe Kryeministrinë për hapat që ata kanë ndërmarrë për emërimin e shefit të AKI-së, por të njëjtit për një javë, nuk kanë kthyer as edhe një përgjigje.

“Drejtori i ri të emërohet nga Qeveria e ardhshme”

Ehat Miftaraj nga Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se shefi i ri i AKI-së duhet të emërohet nga qeveria e ardhshme. Për këtë ai ka dhënë edhe disa arsye.

“Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë përcakton afatin që brenda 20 ditësh të emërohet Drejtori i AKI-së, nga dita kur kjo pozitë mbetet e lirë. Përkundër faktit që ligji përcakton një obligim të tillë, i njëjti ligj nuk ka paraparë situata në të cilën sot gjendet Republika e Kosovës, me një qeveri në dorëheqje dhe pa legjitimitet për të marr vendime që janë me interes publik”, ka thënë Miftaraj për Insajderin.

Sipas Miftarajt është e palogjikshme që shefi i AKI-së të emërohet nga një kryeministër në largim.

“Kur kësaj i shtohet fakti, se Drejtori i AKI-së për punën e tij i përgjigjet drejtpërdrejtë Kryeministrit për punën e tij, është jo logjike që një pozitë e tillë të plotësohet nga një Kryeministër në largim në bashkëpunim me Presidentin e Republikës”, tha Miftaraj për Insajderin.

Miftaraj thotë se përveç që është më e logjikshme që shefi i AKI-së të emërohet nga kryeministri i ardhshëm, ajo duhet edhe të filloj ndryshimin e ligjit.

“Drejtori i AKI-së duhet të jetë person me integritet, i besueshëm dhe që ka bashkëpunim dhe besim reciprok me Kryeministrin e vendit.  Në këto rrethana, edhe ne si IKD vlerësojmë se është më legjitime që kjo pozitë të plotësohet nga qeveria e ardhshme, duke përfshirë faktin se qeveria e ardhshme duhet të filloj me plotësim ndryshimin e ligjit për AKI-së me qëllim të parashikimit edhe të situatave kur kemi dorëheqje apo pozitë vakante të drejtorit të AKI-së në rastet kur kemi qeveri në dorëheqje”, tha ai.

Ndryshe nga Miftaraj mendon Bedri Elezi, Drejtor për Siguri në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare. Ai thotë se ky emërim duhet të ndodh sa më shpejt.

“Ligji për AKI-në e ka rregulluar saktësisht çështjen e emërimit të drejtorit të AKI-së, andaj në rastin në fjalë duhet të kemi zbatueshmëri të ligjit nga ana e kryeministrit dhe presidentit”, ka thënë Elezi për Insajderin.

“Presidenti dhe kryeministri duhet që sa më parë të lenë anash interesat partiake apo grupore, dhe te plotësojnë pozitën, sidomos kur kihet parasysh rëndësia e këtij institucioni, e sidomos në situatën e sigurisë në të cilën gjendet Kosova aktualisht”, tha ai.

AKI s’ka as Inspektor të Përgjithshëm – Presidenti dhe Kryeministri shkelin Ligjin

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka gjashtë muaj që ka mbetur edhe pa Inspektorin e Përgjithshëm, një nga pozitat më të rëndësishme udhëheqëse në këtë institucion.

Ligji i AKI-së, pika 9.1 e Nenit 9 parasheh që edhe kjo pozitë të plotësohet brenda 20 ditësh nga ana e Presidentit dhe Kryeministrit – që i bie se Ligji është shkelur tash e sa kohë nga dy zyrtarët e lartë të shtetit.

“Pozita e Inspektorit të Përgjithshëm, është shumë e rëndësishme për funksionimin normal të AKI, kur dihet se natyra e punës është e tillë dhe mundëson që pjesëtarët e saj të abuzojnë me pozitat e tyre, kur nuk e kanë kontrollin e duhur”, thotë Elezi për Insajderin.

“Aktivitetet e AKI, zhvillohen në diskrecion, dhe rrjedhimisht qasja në punët e tyre është e limituar,  e sidomos pjesa financiare e cila në bazë punës operative klasifikohet edhe ne nivelin top sekret. Fakti se Inspektorati i AKI nuk është funksional ka bërë që të kemi këto degradime”.

Ai madje mendon se kjo pozitë nuk është plotësuar qëllimisht nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

“Sipas informacioneve që ne si IKSN kemi, ka dyshime se ka keqpërdorime të shumta në (FSO) Fonde Speciale Operative në emër të pagesave të informacioneve dhe informatorëve për (POV) Plane Speciale Operative. Vlen të theksohen edhe keqpërdorimet në blerjen e (MTO-ve) Mjeteve Teknike Operative dhe pagesat e qirave të shtëpive konsiprative”.

“Ne dyshojmë se pikërisht për t’u lejuar të gjitha këto që u thanë me lartë, nuk është plotësuar pozita e kryeinspektorit të AKI-së”, tha ai.

Mosplotësimin e kësaj pozitë për një kohë të gjatë e sheh si shumë shqetësuese edhe Miftaraj nga IKD.

“Inspektori i Përgjithshëm në bazë të ligjit është mekanizëm kontrollues që ka për qëllim sigurimin e integritetit të punës së Drejtorit të AKI-së dhe vet agjencisë dhe ngritjen e llogaridhënies. Mungesa e Inspektorit të Përgjithshëm, pa dyshim se ka pasoja në mungesën e kontrollit sipas ligjit të punës së AKI-së dhe Drejtorit të saj”.

“Në shtete me demokraci të brishtë si Kosova, ku institucionet kanë mungesë kredibiliteti dhe integriteti, mungesa e Inspektorit të Përgjithshëm për kohë të gjatë sigurisht se mund të lënë hapësirë për keqpërdorim të pushtetit, autorizimeve apo kompetencave”, thotë Miftaraj për Insajderin./Insajderi.com