Prizreni i VV-së humb betejën kundër oligarkut nga Prizreni, Irfan Fushës së PDK-së

Prizreni i VV-së humb betejën kundër oligarkut nga Prizreni, Irfan Fushës së PDK-së

Rreth pesë muaj pasi Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Prizrenit rrënoi një aneks-objekt të “Abi Çarshia”, kompanisë në pronësi të biznesmenit të afërt me PDK-në, Irfan Fusha, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Inspektoratit, Islam Thaçit dhe pesë zyrtarëve të tjerë.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon për tejkalim të kompetencave drejtorin Thaçi dhe pesë inspektorët e tjerë të Komunës së Prizrenit, lidhur me rrënimin e një pjese pa leje të objektit të “Abi Çarshisë”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër I.Th., J.V., E.Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton Insajderi.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Islam Thaçi dhe pesë të tjerët akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke i shkaktuar dëm kompanisë “Abi Çarshia”.

Zyrtarit të lartë të PDK-së në Prizren, i rrënohet objekti pa leje

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Gjashtë ditë pas rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia”, Prokuroria kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës. Po atë ditë, Gjykata kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje të Abi Çarshisë.