Historia disavjeçare e Bekim Jasharit në krye të një ndërmarrjeje publike është e lidhur ngushtë me emërimin e nipit të tij në dy poste të larta, krijimin e një biznesi të madh dhe përfitimin në mënyrë tejet të dyshimtë të një tenderi nga ortaku i tij.
Ishte 1 korriku i vitit 2008 kur Bekim Jashari, kandidat i pavarur për kryetar të Skenderajt, për herë të parë po emërohej në një post të lartë publik. Ishte emëruar kryetar i bordit të drejtorëve të Aeroportit të Prishtinës.
Atë ditë PDK-ja po hynte në muajin e shtatë të marrjes së pushtetit, ndërsa Kosova po hynte në muajin e gjashtë prej shpalljes së pavarësisë.
Simbolika ishte e qartë. Djali i heroit Hamëz Jashari kishte besimin e të gjithëve për të çuar përpara shtet-ndërtimin.
Askush nuk kishte hedhur dyshime mbi shkollimin adekuat Bekim Jasharit dhe meritën e tij për ta udhëhequr një ndërmarrje publike.
Por, djali i heroit Hamëz Jashari, i cili është sakrifikuar për lirinë e vendit, bëri hapa në drejtim të kundërt me ata të babait.
Historia disavjeçare e Bekim Jasharit në krye të një ndërmarrjeje publike është e lidhur ngushtë me emërimin e nipit të tij në dy poste të larta, krijimin në mënyrë të dyshimtë të një biznesi të madh dhe dhënien në mënyrë tejet të dyshimtë të një tenderi për ortakun e tij.
Emërimi i nipit të Bekimi Jasharit në pozita të larta në Aeroportin e Prishtinës
Nuk përbëjnë sakrificë për shtet-ndërtimin veprimet e tij gjatë udhëheqjes tetëvjeçare të një ndërmarrje publike, që përfshinte fillimisht tërë Aeroportin e Prishtinës e më pas vetëm Kullën e mbetur në pronësi shtetërore.
Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe, pas një viti, më 2009, Aeroporti i Prishtinës, i drejtuar nga Jashari, do të emëronte drejtorin e ri të financave, një prej pozitave më të rëndësishme në ndërmarrje publike. Ndodhi ajo që pakkush e kishte pritur. Në këtë post të rëndësishëm u emërua djali i hallës së tij, Bahri Nuredini.
Gjatë asaj kohe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po bëhej gati për t’u dhënë me koncesion. Në pronësi shtetërore kishte mbetur vetëm Kulla-kontrolli i trafikut ajror. Stafi drejtues i ndërmarrjes së koncesionuar ishte bartur tek pjesa që do të mbeste në menaxhim të shtetit. Bekim Jashari më 2011 do të kalonte në postin e kryetarit të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Aeroporti i Prishtinës-Kontrolli i Trafikut Ajror”.
E njëjta histori si ajo e vitit 2009 do të përsëritej edhe më 2013. Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit, do të emërohej kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje publike. Deri në vitin 2013, Nuredini ishte ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.
Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në janar të vitit 2013 për emërimin e Nuredinit në këtë pozitë. Bekim Jashari kishte pohuar se emërimi i Nuredinit nuk përbën kurrfarë konflikti të interesit.
“Unë jam deklaruar para anëtarëve tjerë se nuk mund të votojë për Bahri Nuredinin në momentin kur emri i tij është propozuar nga komisioni intervistues për Kryeshef Ekzekutiv. Nuk e kam cekur decidivisht që e kam djalë të hallës, por mjafton të raportohet në vija të trasha se ke afërsi me dikend”, thoshte Jashari.
Sipas tij, anëtarët e tjerë të bordit kishin votuar në favor të Nuredinit. Kishte thënë se e njëjta ka ndodhur edhe më 2009 kur Nuredini ishte emëruar drejtor i financave në Aeroportin e Prishtinës. Agjencia Kundër Korrupsionit e pati vlerësuar si nepotizëm emërimin e Nuredinit, në një pozitë e cila i jep llogari dajës së tij.
Biznesi i madh dhe tenderi i dyshimtë
Si shumë njerëz të tjerë me ndikim, edhe Bekim Jashari i hyri tregut financiarisht të leverdishëm të ndërtimit të lartë. Ai është aksionar në kompaninë “Premium Group”, e cila po ndërton një kompleks të madh banesor në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Investimet në këtë kompleks banesor shumëkatësh janë disa milionëshe.
Pjesë e kësaj kompanie janë edhe gjashtë ortakë tjerë, përfshirë edhe nipin e tij, Bahri Nuredinin. Bazuar në deklarimet e pasurisë Bekim Jashari ka 50 përqind të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Nuredini ka vetëm pesë përqind. Aksionarë tjerë që kanë hise në 45 pëqindëshin e mbetur janë Besim Demaj, Xhafer Demaj, Bashkim Jashari, Fazli Jashari dhe kompania “N.N. 100 % Design”. Person i autorizuar i kompanisë është Hajrullah Lushtaku.
Ndërkaq, pronar i kompanisë private “N.N. 100 % Design”, është Avni Jashari. Biznesmeni Avni Jashari, përkundër që ka ortakëri me Bahri Nuredinin e Bekim Jasharin, ka arritur të përfitojë tender publik nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror.
Qeveria e ka shuar si ndërmarrje publike “Aeroporti-Kontrolli i Trafikut Ajror”, dhe e ka shndërruar në agjenci qeveritare me emrin “Agjencia e Shërbimi të Navigacionit Ajror”. Ajo nuk ka bord drejtues por i jep përgjegjësi drejtpërdrejt Ministrisë së Infrastrukturës. Kryeshef i Agjencisë është ortaku i Avni Jasharit, Bahri Nuredini, nipi i Bekim Jasharit.
Kohavisioni raportoi në mars të këtij për parregullsi në tenderët e kësaj agjencie qeveritare. KTV-ja kishte siguruar draftin e raportit të auditimit të kësaj agjencie, që është bërë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Auditori kishte gjetur se prokurimi për ndarjen fizike të sallës nuk ishte përfshirë fare në planin vjetor dhe as nuk ishte njoftuar Agjencia Qendrore e Prokurimit për këtë aktivitet.
Fitues i këtij tenderi ishte kompania e Avni Jasharit, i cili është ortak me Bahri Nuredinin e Bekim Jasharin në kompleksin banesor të ndërtuar nga Premium Group. Kjo përbën situatë të konfliktit të interesit pasi që kompania e biznesmeni Lushtaku përfiton tender nga Agjencia qeveritare e udhëhequr nga ortaku i tij në biznes privat.
Ky tender përbën njërin nga shumë veprimet e dyshimta të kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jasharit. Veprimet e tij përfshijnë nepotizëm e krijim të biznesit disa milionësh.
Por, ka pak rrezik që Jasharit t’i përmenden të bëmat e tij të dyshimta. Partia Demokratike e Kosovës që ka fituar gjithmonë zgjedhjet në Skenderaj ka vendosur që të mos e nominoi askënd për kundërshtar të Jasharit. Edhe një parti tjetër parlamentare, Nisma për Kosovën, e është deklaruar se e mbështet kandidatin e pavarur në rrugën e tij drejt kolltukut të kryetarit të Skenderajt.
Kompleksi banesor që synon ta ngre Bekim Jashari me shokë