Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Skënderaj, ndaj deputetit të saj, Bekim Haxhiu, përcjell Insajderi.com.
Përmes arsyetimit, PZAP ka thënë se kjo ankesë e PDK-së, në bazë të afatit të paraparë ligjor, është e pasafatshme pasi që është dërguar me vonesë nga ankuesi.
“Paneli, pas shqyrtimit paraprak të afatshmërisë së ankesës ka gjetur se ankesa e parashtruar nga subjekti politik PDK, kundër deputetit Bekim Haxhiu, është paraqitur në PZAP, me datë 09.10.2021, ndërsa vetë parashtruesi i ankesës në plotësimin e ankesës sipas parashtresës së datës 11.10.2021, e konfirmon se shkelja e supozuar ka ndodhur me datë 04.10.2021, e nga kjo del se ankesa është ushtruar në PZAP, pas afatit të paraparë ligjor të përcaktuar me dispozitën e nenit 5 të paragrafit 5 të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në arsyetim.
Sipas PZAP-it, në bazë të nenit 5 për “Rregullat dhe Procedurat e PZAP-it”, të gjitha çështjet që nuk lidhen drejtpërdrejt me votimin dhe numërimin, ankesa duhet të parashtrohet pranë PZAP-it, brenda 24 orëve nga shkelja e supozuar.
Ndryshe, PDK kishte bërë ankesë në PZAP pasi që deputeti, Bekim Haxhiu, në një tubim elektoral në fshatin Lubovec të Skënderajt, në përkrahje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Bekim Jashari, “kishte bërë presion ndaj qytetarëve për ta votuar subjektin e caktuar”./Insajderi.com