Qofte me Mollë

Qofte me Mollë

Nëse, nga fotografia, menduat menjëherë që ato kubikët e vegjël ishin patate, mund ta bëni mendimin realitet dhe t’i shijoni deri në fund!

Përbërësit për 4 persona:
5 mollë (2 të grira në rende dhe 3 në kubikë) ● 400g mish i grirë viçi ● 100g djathë Parmigiano i grirë ● 1/2 gotë qumësht ● 2 lugë kafeje curcuma ● 2 lugë kafeje curry ● 2/3 feta buke për tost ● 2 vezë ● 200g pana ● kripë ● vaj ulliri

Përgatitja:
Përgatisim brumin e qofteve duke rrahur vezët me djathin me pirun. Shtojmë mishin e grirë, bukën e grirë në thërrime, 2 mollët e grira në rende, 1 lugë kafeje curcuma, 1 lugë curry, kripë dhe i përziejmë mirë të gjitha me dorë. Bëjmë me brumin qofte të vogla të rrumbullakëta.
Vëmë një tenxhere me ujë në zjarr dhe kur uji të marrë valë hedhim në të qoftet për 3/5 minuta, kështu ato humbin pak nga dhjami I mishit. Provojmë njërën për të parë nëse janë zier brenda. Në një tigan të madh me pak vaj ulliri, skuqim qoftet e ziera më parë, hedhim 3 mollët në kubikë, i skuqim për pak minuta sa të zbuten dhe më pas shtojmë curry-n dhe curcume-n, panën dhe qumështin dhe I lëmë në zjarr derisa salca të trashet dhe të bëhet si krem. i shërbejmë të ngrohta, të shoqëruara me pilaf.