fbpx

Raporti ekskluziv i AKI-së: Kjo është kompania ruse që trajnon mercenarët serb që rrezikojnë Kosovën

Raporti ekskluziv i AKI-së: Kjo është kompania ruse që trajnon mercenarët serb që rrezikojnë Kosovën

Insajderi ka zbuluar se qindra mercenar serb janë duke u trajnuar për operacione të sofistikuara nga një kompani private ushtarake ruse. Ata përbëjnë rrezik për destabilizimin e veriut të Kosovës

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bërë një raport detajues për rreziqet që i kanosen pjesës veriore të Kosovës nga grupe të ndryshme radikale serbe. Insajderi e ka siguruar këtë raport. Aty jepen detaje për kapacitetet e këtyre grupeve mercenare serbe, profilet e tyre,mënyrën se si funksionojnë dhe përkrahjen që marrin nga shërbimi sekret rus.

Shumica prej grupeve të mercenarëve serb që përbëjnë rrezik për pjesën veriore të Kosovës janë pjesëmarrës përkrahë forcave ruse në luftën e Krimesë. Po ashtu, janë pjesëmarrës edhe  në luftën e Sirisë. Disa janë përkrahës të regjimit të Bashar Al Asadit e disa kanë qenë të rreshtuar përkrahë ISIS-it.

Sipas këtij raporti, grupet e mercenarëve serb që kanë luftuar pro ISIS-it dhe forcave ruse në konflikte të ndryshme dallojnë shumë nga luftëtarët e huaj të shteteve tjera, të cilët kanë marrë pjesë në konfliktin e Sirisë, përkrahë ISIS-it.

Derisa militantët e shteteve tjera janë vullnetar të moshave të reja dhe pa eksperiencë ushtarake, mercenarët serb janë me përvojë në luftëtarët ballkanike të viteve të 90-ta dhe pjesëmarrës në shumë konflikte tjera përkrahë forcave ruse. Ata kanë marrë pjesë në luftërat që janë zhvilluar në Kroaci, Bosnjë e Herzegovinë e  Kosovës.

“Janë profesionist në aktivitete ushtarake dhe paguhen për pjesëmarrjen e tyre në konflikt. Federata Ruse i mbështetë financiarisht dhe me armatim”, potencohet në raport.

Kompania ruse që trajnon mercenarët serb

Raporti tregon se shumë prej mercenarëve serb regjistrohen si punëtor në Rusi. Përkatësisht, si punonjës të kompanisë ruse Wagner.  Kjo është një kompani private ushtarake që udhëhiqet nga Dmitri Utkin, një njëri i afërt me strukturat e larta ruse të sigurisë, përfshirë edhe vetë presidentin Vladimir Putin.

Raporti dëshmon se kjo kompani i zhvillon aktivitetet e saj organizative dhe trajnimet në vendin e quajtur Molkino, në Rusi. Në këtë vend ndodhet edhe qendra e trajnimeve e Brigadës së 10-të të forcave speciale të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse – GRU.

Ky fakt hedhë dyshime se kjo kompani private  është e afërt me shërbimet ruse të inteligjencës.

“Personat të cilët shërbejnë për këtë kompani paguhen në shuma të larta, varësisht nga angazhimi, dhe janë shumë të aftë që ti fshehin gjurmët e tyre të krimeve. Madje nuk ka evidenca edhe mbi pjesëmarrjen e tyre në shumë prej luftërave/konflikteve ku kanë marrë pjesë, përveç dëshmive nga dëshmitarët okularë”, theksohet në këtë raport.

Megjithatë, një numër i tyre është zbuluar nga autoritetet ukrainase.

Oleksandr Aleksandrovych  , ambasadori i Ukrainës në Beograd, pati deklaruar se rreth 300 mercenar serb kanë marrë pjesë përkrahë forcave rusë në luftën e zhvilluar në Ukrainë, përkatësisht në Krime.

Shteti serb asnjëherë nuk ka publikuar numër të saktë të pjesëmarrësve serb në luftëra të huaja, përfshirë edhe luftën e Ukrainës.

Megjithatë, shifrat jozyrtare sugjerojnë për ekziston e një numri të madh  të tyre. Llogaritet se në Siri përkrahë ISIS-it kanë marrë pjesë mbi 50 veta. Në Siri përkrahë regjimit të Asadit kanë marrë pjesë mbi 200 veta. Ndërkaq, mbi 20 veta tjerë, përfshirë edhe fëmijë, llogaritet se  janë duke u trajnuar në kampe të ndryshme ne Serbi, të financuar nga Rusia.

“Këto shifra janë shumëfish me të mëdha se numri e shtetasve të cilido shtet të Ballkanit që kanë qenë apo janë pjese e konfliktit në Siri/Irak”, thuhet në raportin e siguruar nga Insajderi.

Grupet e paramilitarëve serb që rrezikojnë destabilizimin e veriut, pas themelimit të Ushtrisë së Kosovës

Gazeta Insajderi të hënë ka raportuar për grupet kriminale serbe që rrezikojnë veriun pas themelimit të Ushtrisë.

Insajderi ka mësuar se shtetet mbështetëse të ushtrisë së Kosovës janë të shqetësuara për ekzistencën  e shumë grupeve kriminale serbe, të cilat përbëjnë kërcënim për sigurinë në veri.

Insajderi po ashtu ka mësuar emrat e këtyre organizatave, të cilat pritet të përdoren nga Vuçiq për një gjë të tillë. E përbashkëta e këtyre organizatave është fakti që përbëhen nga paramilitarë që kanë marrë pjesë në konfliktet në Krime e Siri dhe si të tilla paraqesin rrezik për rajonin.

Disa nga këto grupe kriminale janë: Organizata Nderi serb, “Kosovski front” dhe “Patriotic Front”.

Kurse gjatë ditës së martë, Insajderi ka raportuar edhe për profilet e kriminelëve serbë që rrezikojnë destabilizimin e veriut.

Insajderi ka zbuluar se ekziston një grup kriminal, i cili është i përgatitur për destabilizuar pjesën veriore të Kosovës. Ai ka edhe përkrahjen e funksionarëve të lartë të shtetit serb.

Grupi është i përbërë nga kriminelë e mercenarë serbë, të cilat kanë marrë pjesë në luftën e Krimesë përkrahë forcave ruse. Disa prej tyre kanë qenë edhe paramilitarë në luftën e Kosovës.

Ata janë njerëz me përvojë në institucionet e sigurisë së Serbisë dhe përfitues të beneficioneve shtetërore. Shumica prej tyre janë veteran të Serbisë. Po ashtu, ata kanë afërsi me struktura të larta politike dhe të sigurisë.

Disa nga ta janë: Bratisllav Zhivkoviq, Nikolla Peroviq, Radomir Poquca, Dejan Vujiq, Goran Gerovac, Stefan Dimitrijeviq dhe Zdravko Peshiq. /Insajderi.com