Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ndjen keqardhje për rastin tragjik që ka ndodhur dje në Gjilan e ku është e përfshirë edhe një zyrtare policore.
Policja që privoi nga jeta katër anëtarët e familjes më pas edhe veten kishte probleme psikike. E njëjta aktin e kreu me armën e saj zyrtare, pavarësisht se ajo i ishte ndaluar nga Policia.
Inspektorati Policor është duke i zhvilluar hetimet për atë se si arma ka përfunduar sërish në dorën e polices, shkruan Insajderi.
Qalaj e pranoi se ndjehet përgjegjës për krejt këto raste si njëri fillimisht, por edhe më pas si drejtori i këtij institucioni, por tha se të njëjtit nuk mund të suspendohen ose largohen nga puna derisa mos të ekzistojë Ligji për Pensionim të parakohshëm.
“Të kesh në punë 120 kolegë me sëmundje të renda është një situatë shumë e vështirë. Është e vërtetë, ndjeshëm përgjegjës, mirëpo është e vërtetë se nuk kemi as Ligj për Pensionim të parakohshëm”.
“Jemi të detyruar si institucion, si drejtor dhe më shumë si njeri t’i mbajmë brenda sistemit”.
“Detyrohemi t’i gjejmë një mënyrë që ata t’i kemi në radhët tona duke u dhënë detyra më të lehta”, ka thënë ai në Zona B, shkruan Insajderi.
“Paramendoni çfarë do të kishte ndodhë po t’ia ndërpresim marrëdhëniet e punës dhe në mungesë të parave të bëjë ndonjë vetëvrasje? Si do të ishim ndie ne moralisht dhe si do të kishte reaguar shoqëria dhe mediat?”.
Qalaj bëri një apel për Qeverinë e re që të shtyjë përpara sa më shpejt që është e mundur Ligjin për Pensionim të parakohshëm për policët, sepse në këtë mënyrë mund edhe të reduktohet numri i personave të sëmurë në institucionin për siguri.
“Policët kanë vullnet për punë dhe s’po ankohemi për ndonjë gjë, por është e nevojshme që policët e Kosovës të kenë siguri shëndetësore dhe jetësore”.
“Nëse ne konsiderohemi si një institucion i ri, si shtet i ri, si polici jemi më e vjetra për nga mosha dhe kjo është shumë keq”.
Lexo edhe: