Rasti Dehari kalon nga Prokuroria e Prizrenit në Prokurorinë Speciale – këto janë detajet

Rasti Dehari kalon nga Prokuroria e Prizrenit në Prokurorinë Speciale – këto janë detajet

Kërkesa e familjes Dehari dhe e Lëvizjes Vetëvendosjes që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në atë të Prokurorisë Speciale është aprovuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media të Prokurorisë së Shtetit.

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit thotë se do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Rasti më nuk është në prokurorinë në Prizren dhe as hetuesit që e ndryshuan qëllimisht kahjen e hetimit nuk do të kenë më qasje në lëndën e aktivistit të Lëvizjes së Vetëvendosjes që u vra për arsye politike”, ka shkruar Gashi.

Ditë më parë raporti i bërë nga instituti zviceran përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit.

Në konkluzionet e raporti përfundimtar thuhet se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuar nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë”.

Më tej thuhet se, “rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit, sipas mendimit tonë, janë të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal. Ekzaminimet plotësuese janë të nevojshme për të përjashtuar intervenimin e personit të tretë në vdekjen e Deharit”, thuhet ndër të tjera.

Prindërit e Astritit Xhemile dhe Avni Dehari me të pranuar raportin nga Zvicra, thanë se e kanë ditur që hetuesit zviceran do të konstatonin vrasjen e djalit të tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, do jetë i ngarkuar me hetimet e reja që do të zhvillohen tash e tutje nga specialja për rastin e vdekjes së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari./Insajderi.com