Reagim nga Nazim Rahimi: Kallëzimi penal ndaj meje është hakmarrje për ta njollosur autoritetin tim

Reagim nga Nazim Rahimi: Kallëzimi penal ndaj meje është hakmarrje për ta njollosur autoritetin tim

I propozuari i Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi, ndaj të cilit ishte ngritur një kallëzim penal në tetor të vitit 2018, për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” dhe për “Falsifikim të dokumenteve”, thotë se kjo ka ndodhur për arsye personale dhe në formë hakmarrje nga një ish-koleg i tij.

Rahimi në një sqarim për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se ky kallëzim penal i ngritur nga anëtari i Bordit të ARKEP, Shqiprim Pula, vjen si pasojë e një ankese e parashtruar nga ana e tij, “i cili pas emërimit anëtar i Bordit të ARKEP, ka tentuar qëllimshëm të mbajë pozitën e Shefit të Departamenti Ligjor kundërligjshëm, pra në kundërshtim me nenin 78 paragrafi 6 i Ligjit Nr. 04/L-109, për Komunikime Elektronik”.

Sipas tij, kjo ankesë është refuzuar unanimisht nga Komisioni “duke i pamundësuar kështu mbajtjen e dy pozitave në të njëjtën kohë, gjë që do të përbënte konflikt interesi”.

“Dhe pas kësaj, z. Pula fillon hakmarrjen dhe ushtrimin e presionit psikik ndaj meje, vetëm pse kam qene pjese e komisionit dhe kam zbatuar me përpikëri Ligjet e aplikueshme, dhe si rrjedhojë pa asnjë dëshmi ose fakt ka paraqitur një kallëzim penal ndaj meje dhe Kryetarit të Bordit (z. K.G.) duke shpifur gjeja se unë si Kryesues i një Komisioni (Komision i përbërë nga 5 anëtarë), i vetëm paskam pas ‘Konflikt Interesi’ paskam ‘Keqpërdorur detyrën zyrtare’, dhe paskam ‘Falsifikuar dokumente’”, ka është shprehur më tej Rahimi.

Ndonëse Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës se si është proceduar me lëndën, Rahimi zbulon se është intervistuar nga Policia e Kosovës dhe pretendon se prokurori i rastit, Arian Gashi, ka konstatuar se nuk ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepër penale “dhe si rrjedhojë prokurori i rastit nuk ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve me ç’rast edhe është mbyllur rastin që në vitin 2018.

Rahimi konsideron se këto janë shpifje dhe trillime të ish-kolegut të tij Pula, për të njollosur autoritetin personal dhe nominimin e tij si Kryetar i Bordit të ARKEP.

Redaksia ka siguruar një dokument të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku tregohet se aktualisht ndaj Rahimit nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe nuk është i dënuar.

Derisa po mbahej mbledhja e Komisionit funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku u procedua me pikat e rendit të ditës, ndër të cilat hynë edhe miratimi i vendimit të Qeverisë për Bordin e ri të ARKEP, Gazeta Online Insajderi ka publikuar një shkrim lidhur me kallëzimin penal të ngritur ndaj të propozuarit të Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të këtij institucioni për tri vepra penale. /Insajderi.com