Nga Linda Fishta/ Receta mundësuar nga Tescoma
PËRBËRËSIT PËR TAVË ME DIAMETËR 28 CM:
2 lugë niseshte patatesh
1 lugë miell misri, të bluar imët
1 lugë miell orizi + aq sa na duhet për ta spërkatur tavën
200 g bajame të qëruara pa lëkurë
200 g sheqer + 4 lugë të tjera
110 g gjalpë i tretur dhe i vakët
4 vezë (të ndara të verdhat nga të bardhat)
10 g sodë për ëmbëlsira
PËRGATITJA:
Ndezim furrën në temperaturën 180° C.
1. Në një tas përziejmë me rrahëse vezësh me dorë 4 të verdhat e vezëve me 4 lugët e sheqerit. Shtojmë gjalpin, duke e përzier vazhdimisht me spatul ose me lugë druri, niseshtenë, miellin e orizit, miellin e misrit dhe sodën me sitë.
2. Grijmë në mikser bajamet, shtojmë 200 g sheqer dhe e përziejmë akoma. Më pas, i hedhim tek tasi ku kemi të verdhat e vezëve.
3. Bëjmë marengë të bardhat e vezëve me rrahësen elektrike. E hedhim pjesë-pjesë me lugë në tasin ku kemi brumin, duke e përzier me kujdes nga lart-poshtë me spatul. Hedhim brumin në tavë dhe e nivelojmë me kujdes, pa e ngjeshur dhe e pjekim për rreth 35/40 minuta. E lëmë të ftohet dhe sipër mund ta zbukurojmë me sheqer pluhur. Të nesërmen është akoma më i mirë.