Një rrahje e cila ka ndodhur javën e parë të majit mes punëtorit të sigurimit dhe një qytetari në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë bëri jehonë pas publikimit të pamjeve në media.
Në pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, shihet punëtori i sigurisë duke grushtuar e shkelmuar personin në fjalë.
Ky veprim, sipas avokatit Asdren Hoxha, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me detyrat e punës.
Sipas tij, pa marrë parasysh rrethanat, punëtori duhet të jetë i përmbajtur dhe të reagojë vetëm sa për të vënë situatën nën kontroll.
“Në atë rast është dashur të lajmërohet policia, por në asnjë mënyrë të ushtrohet dhunë fizike. Është e papranueshme dhe e kundërligjshme”, tha Hoxha në një prononcim për Gazetën Online Insajderi.
Ai potencoi se në rastet kur shkaktohet lëndim i rëndë trupor, dënimi mund të shqiptohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Ndërsa, për lëndime të lehta, mund të shqiptohet gjobë apo burgim deri në një vit.
Pamje të tilla të dhimbshme dhe të papranueshme janë edhe për kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Megjithatë, sipas tij, punëtori “mund të ketë pasur arsye të fuqishme për të vepruar në atë formë”.
Në një prononcim për Insajderi-n, Azemi deklaroi se punëtorët e sigurimit në Kosovë janë të rrezikuar.
Ai tha se ka raste kur sulmohen fizikisht dhe nuk bëhen mediatike.
“Ka prej tyre që punojnë për 220-230 euro. Ka raste kur kanë kriza psikike. Vinë dhe ankohen për sjelljet e pronarit të kompanisë ku punojnë dhe që ju mungojnë mjetet e sigurisë. Pra, kjo kategori e punëtorëve është në rrezikshmëri të përhershme”.
Për këtë gjendje, kryesindikalisti Azemi fajësoi Ministrinë e Punës, për të cilën tha se nuk po e monitoron si duhet zbatimin e Ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë.
Lidhur me këtë çështje, redaksia ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Divizioni për Shërbimet Private të Sigurisë, për të kuptuar nëse punëtori në fjalë është i licensuar dhe nëse si ministri kanë ndërmarrë masa pas publikimit të rastit, por nuk ka pranuar përgjigje.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe nuk dihet se deri ku ka arritur procesi i hetimeve.
Ajo që dihet deri tani është që ndaj dy të dyshuarve është proceduar kallëzim penal.
Në një përgjigje me shkrim për Insajderi-n, nga kjo kompani pohojnë se punëtorët e sigurimit kanë të drejtë të ushtrojnë vetëm forcë proporcionale, me pajisjet e autorizuara për përdorim.
“Në rastet kur punëtorët ndihen të rrezikuar kanë në dispozicion pajisjen e ‘Panic Butonit’, i cili në momentin e aktivizimit alarmon Qendrën e Kontrollit, e cila mbështetet nga Patrullat Intervenuese. Nëse mbështetja prap nuk është e mjaftueshme, atëherë kërkojmë asistencën e policisë”.
Sipas Ligjit për Shërbimet Private të Sigurisë, punëtori i sigurimit mund të ushtrojë përdorimin e forcës, vetëm që të mbrojë vetveten ose të tjerët, kundër kërcënimit të pashmangshëm për vdekje ose lëndim serioz.
“Përdorimi i forcës duhet të jetë proporcionale me kërcënimin e vërtetë. Punëtorëve të sigurimit iu ndalohet përdorimi i forcës kundër femrave shtatzëna, fëmijëve, të moshuarve dhe personave të paaftë, përveç nëse paraqet kërcënim të pashmangshëm për vdekje ose lëndim serioz. Gjatë përdorimit të forcës duhet të minimizohet ndërhyrja në të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të minimizohet çfarëdo pasoje dëmtuese”, thuhet në përgjigjen e “Besa Security”-it.
Neni 29 i Ligjit për Shërbimet Private të Sigurisë përcakton se në cilat raste lejohet përdori i forcës.
Punëtori i sigurimit mund të ushtrojë përdorimin e forcës vetëm që të mbrojë vetveten ose të tjerët, kundër kërcënimit të pashmangshëm për vdekje ose lëndim serioz.
Janë edhe disa raste të tjera kur përdoret forca, “atëherë punëtori i sigurimit dhe kompania e sigurimit është e detyruar të njoftoj menjëherë Policinë e Kosovës”.
Secili përdorim i forcës nga ana e punëtorit të sigurimit duhet të jetë subjekt i hetimit nga policia, për të vërtetuar nëse përdorimi i forcës ishte proporcional me kërcënimin e paraqitur.