Rrjeti i gjerë i miqve të Ftyrës së rrezikshme

Një foto në të cilën shfaqet Naser Shala, i njohur me nofkën “Fytyra”, është bërë shumë e famshme. Gjatë kohës së luftës, ai ia ruante shpinën liderëve të UÇK, të cilët tash janë udhëheqës të skenës politike. Te njëjtit duket se tash pas 20 vjetësh po ia ruajnë shpinën “Fytyrës” nga presioni i ambasadorëve të shteteve perëndimore.

Rrjeti i gjerë i miqve të Ftyrës së rrezikshme

Diplomatët perëndimor kanë mbetur të habitur nga guximi i deputeteve dhe koalicionit qeverisës për ta bërë drejtor ekzekutiv të Agjencisë së Pronave një person me të kaluar tejet të dyshimtë. Secili prej ambasadorëve të shteteve të fuqishme në Kosovë ka reaguar fuqishëm kundër emërimit në një post të rëndësishëm të Naser Shalës, të njohur si “Ftyra”.

Nëpërmjet reagimeve të tyre, ata kanë pohuar se janë në dijeni për shkeljet ligjore dhe arsyen se pse është emëruar një person i tillë. Sipas tyre, arsyeja e emërimit është lidhjet e fuqishme biznesore e politike të “Ftyrës” me njerëzit e pushtetit.

Afërsia e këtij njeriu me figurat kyçe të pushtetit është e madhe.

Ato dëshmohen edhe serinë e përgjimeve “Dosja Shefave, të publikuar nga Insajderi. Përveç me Adem Grabovcin dhe të tjerët e PDK-së, Naser Shala ka afërsi edhe me Nismën Socialdemokrate dhe ka një rrjet miqësor me shumë politikanë kosovarë.

Afërsia e “Ftyrës” me Nismën Socialdemokrate

“Fytyra” ka afërsi me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn dhe deputetin e kësaj partie, Haxhi Shala. Shefi i Agjencisë për Verifikim të Pronave ka lindur në Banjë të Malishevës dhe është bashkëvendës me Limajn e deputetin Shala.

Naser Shala, me deputetin Haxhi Shala ka edhe lidhje familjare. Ai është nip i deputetit të Nismës Socialdemokrate, raporton Gazeta Insajderi.

“Fytyra” po ashtu ka qenë bashkëluftëtar i Limajt dhe deputetit Shala. Ata kanë qenë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative “Pashtriku”.

Ne vitin 2011, “Fytyra” ka qenë i akuzuar së bashku me Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

Naser Shala, nga janari i vitit 2004 deri në janar 2017 ka mbajtur pozitën menaxher kryesor në Barnatoren Qendrore, QKUK. Ai është ekonomist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Naser Shala u emërua shef i Agjencisë për Verifikimin e Pronave pas një votimi të fshehtë në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën e kaluar. Propozimi i Naser Shalës për këtë pozitë kishte ardhur nga Qeveria e Kosovës.

Agjencia për Krahasime dhe Verifikim të Pronës ka rol kyç në krahasimin e kadastrave që kanë ardhur nga Serbia me ato që aktualisht operojnë institucionet e Kosovës.

Autoriteti prej kërcënuesi i drejtorit të ri të Agjencisë së Pronave

Shala ndodhej në paraburgim në dhjetorin e vitit 2011 kur Adem Grabovci e kishte telefonuar për t’i rrëfyer se si e kishte përdorur “autoritetin frikësues” të ish-ushtarit të UÇK-së për ta kërcënuar Jakup Krasniqin, që të mos dilte kundër projekteve të PDK-së.

Në këtë bisedë telefonike, të dëshmuar nga seria e përgjimeve “Dosja e Shefave”, ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së i tregon Shalës se si i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri ‘Ftyrën’, vallahin ta kanë lokën”.

“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.

E përveç miqësisë me protagonistin kryesor të “Dosjes së Shefave”, Naser Shala, i cili u emërua në mënyrë të dyshimtë në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronave në Qeverinë e Kosovës javën e kaluar, ka një rrjet miqësor edhe me politikanë të tjerë kosovarë.

“Nuk duhet të emërohen njerëzit me rreth të gjerë”

Zgjedhja e “Ftyrës” në krye të kësaj Agjencie ishte në kundërshtim me memorandumin që kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari, Kadri Veseli kishin nënshkruar me Ambasadën britanike në Prishtinë.

E, ardhja e tij në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka ngjallur reagime të ashpra nga diplomatët e huaj në Kosovë për mungesën e vullnetit politik për zbatimin e emërimeve meritokratike.

Madje, në shenjë pakënaqësie me këtë zhvillim ambasadori Ruairi O’Connell dha dorëheqje nga pozita që mbante si kryetar i bordit të AKKVP-së dy ditë më parë.

Sipas një njoftimi të Ambasadës Britanike, procesi i rekrutimit të shefit të Agjencisë për Verifikim të Pronave u krye në mënyrë transparente dhe meritokratike dhe “u identifikua vetëm një kandidat që plotësonte kriteret për emërim.” Por, anashkalimi i këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka zhgënjyer O’Connellin dhe përfaqësues të tjerë të huaj në Kosovë.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, u shpreh sot kundër emërimit të Shalës në krye të agjencisë shtetërore.

Heldt përmes Twitter-it ka thënë se me Kosova duhet të zgjedh meritorët dhe jo personat që kanë lidhje politike.

“E mrekullueshme! Pra, nëse kualifikimi nuk ka rëndësi, si do të shkojë ky vend përpara? Ne kemi nevojë për ata me kokat më të mira, jo ato me rrjetin më të mirë. Na vjen keq, por kjo gjithashtu tregon edhe paratë e taksapaguesve në fjalë”, shkroi Heldt. /Insajderi.com