Seanca për ‘veteranët e rrejshëm’ shtyhet për datën 14 mars

Seanca për ‘veteranët e rrejshëm’ shtyhet për datën 14 mars

Seanca e njohur si “Veteranët e rrejshëm” ka dështuar të mbahet sot, si rrjedhojë është shtyrë për datën 14 mars.

Në mungesë të krijimit të kushteve ligjore, gjyqtarja e rastit e ka shtyrë seancën për datën 14 mars.

“Siç po shihni nuk janë krijuar kushtet ligjore për të mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar, gjykata ka paraparë që sot të mbahet seanca, ku do të shqyrtohej kërkesa lidhur me masën e përkohshme e cila është kërkuar nga Prokuroria, për t’a lëshuar në lidhje me sigurimin e kërkesës juridike, kështu që seanca e sotme do të shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë gjyqtarja Nushe Meta, shkruan Insajderi.

Nga 12 të akuzuarit dy prej tyre nuk iu janë përgjigjur ftesës së gjykatës. Të pranishëm nuk kanë qenë Rrustem Berisha e as Smajl Elezaj.

Theksojmë se, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët e rrejshëm” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, janë të akuzuarit të parë nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale./Insajderi.com

 

Shtyhet seanca për fyerjen e listave të veteranëve të UÇK-së