Zëvendësdrejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala, deklaroi të martën mbrëma se gjuha e tij e përdor ndaj deputetes së “Listës Guxo”, njëherësh kryetares së Komisionit Parlamentar për Media, Doarsa Kica-Xhelili, nuk është seksiste, transmeton Insajderi.
Kica-Xhelili në një intervistë rreth katër ditë më parë e kishte përmendur Shalën, si zyrtar të RTK-së. Ajo kishte akuzuar transmetuesin publik se e ka ndërprerë transmetimin direkt, kur në komision po flitej për Shalën. Kësaj deklarate i është përgjigjur Shala duke thënë se “Bukuroshja ka qef me fol për mu, a dalim në drekë a darkë, kallzom kur po dalim”.
Në emisionin ‘Pressing’ në T7, Shala ka folur për herë të parë lidhur me këtë çështje, ndërsa ka bërë të ditur se i ka kërkuar falje personalisht deputetes në fjalë.
“Normalisht është pak me ironi, nuk ka të bëjë me seksizëm. Nëse ajo mua nuk më fton në komision dhe flet për mua vazhdimisht, sigurisht që vjen një reagim. Unë nuk mendoj që është reagim seksist. Unë i kam kërkuar falje asaj personalisht. Unë i kërkoj falje nëse ajo është ofendu, por mendoj që ne si persona përgjegjës, është mirë që para se të dalë e të etiketojë nëpër format më të ndryshme, fillimisht t’i verifikojë ato informacione që ka e pastaj të dalë në përfundim”, është shprehur ai.
Tutje, Shala ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “ka kërkuar likuidimin tim fizik”.
“Fushata ndaj meje nuk fillon me Doarsën. Është pjesë e fushatës që bëhet ndaj meje… Fushata fillon qysh në vitin 2013 kur jam bërë drejtor. Ka pasur fushatë të vazhdueshme. Jo gjuhë, por thirrje për likuidim fizik, publik prej Vetëvendosjes”, ka shtuar ai./Insajderi.com