Studentët paralajmërojnë protesta kundër prorektores për deklaratën seksiste

Studentët paralajmërojnë protesta kundër prorektores për deklaratën seksiste

Studentë dhe OJQ të ndryshme kanë paralajmëruar protesta dhe kanë deklaruar se i kanë dhënë ultimatum prorektores Teuta Pustina-Krasniqi, e cila ditë më parë dha një këshillë dhe bëri një apel për gratë që mos të vishën në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

“Por, një porosi, do të thotë edhe gjinisë femërore, studenteve, stafit akademik, stafit administrativ, i apeloj që mos të, mos të provokojnë, mos të vishen në mënyrë provokative”, tha Pustina-Krasniqi duke folur për emisionin “Frontal” n’T7  në një storie për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Deklarata e Pustines lidhur me ngacmimet seksuale në institucionet publike ka ngjallur reagime të shumta, dhe po shihet si deklaratë fyese nga kolegët e saj, profesorët, OJQ-të dhe aktivistët e të drejtave të grave.

Jeta Berisha nga OJQ ‘Artpolis’ ka thënë se jo vetëm prorektorja Pustina, por të gjithë ata profesorë dhe zyrtarë të institucioneve duhet të japin llogari për gjuhën seksiste të përdorur nga prorektorja.

“Jo vetëm prorektorët, por të gjithë ata profesorë dhe profesoresha, zyrtarë të institucionit më të lartë të arsimit, duhet të japin llogari për këtë gjuhë seksiste që ka përdorur prorektorja. Në vend që vajzat, gratë të cilat kanë përjetuar ngacmime seksuale të raportojnë për ngacmime seksuale, këta vazhdojnë ta promovojnë kulturën e fajësimit të viktimës”, ka thënë Berisha.

Edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim,  thonë se janë tejet të shqetësuar me deklaratat e prorektores, andaj kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për gjuhën e saj.

“ORCA është e shqetësuar jashtëzakonisht shumë me gjuhën seksiste të prorektores. ORCA kërkon përgjegjësinë maksimale të institucionet, që do të thotë shkarkimin e prorektores. Pavarësisht prononcimit të dytë, qëndrimet e saj ende janë seksiste dhe e fajësojnë vaktimen. Prandaj na kërkojmë masa të rrepta nga Universiteti sic dorëhqeja apo është shkarkimi i prorektores”, thotë Venera Çoçaj.

Një qasje e tillë ndaj ngacmimeve seksuale ka shqetësuar edhe sociologën Linda Gusia e cila ka thënë se  “një deklaratë mizogjene dhe shumë problematike, sidomos kur vjen prej dikujt, prej një pozitë siç është Prorektorja Pustina”.

“Mendoj që është deklaratë mizogjene dhe shumë problematike, sidomos kur vjen prej dikujt, prej një pozitë siç është Prorektorja Pustina, sepse tregon për mungesë të korrektësisë politike dhe informimit minimal, me kuptu se çka ka bërë kjo në literaturën shkencore që 30 vite quhet fajësimi i viktimës”, ka thënë Gusia.

E pikërisht për shkak të pozitës së lartë në Universitetin e Prishtinës dhe një deklarimi të tillë, ka fyer Rrjetin e Grave të Kosovës që e kanë cilësuar si “deklarata të turpshme”.

Prorektores që tha se studentet me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale i kërkohet dorëheqja

Madje për drejtuesen e Rrjetit, deklarata e Prorektores është shokuese.

“Unë fillimisht nuk po mundem me besu, se qysh një grua mundet me thanë një gjë të tillë, e dyta veç nëse ka qenë e shtyrë nga të gjithë ata dhunues brenda Universitetit të cilët bëjnë ngacmime seksuale, të cilët kushtëzojnë shumë gjera përmes ngacmimeve seksuale brenda Universitetit”, tha për Insajderin, Igballe Rugova.

“Kumtesa të tilla si të saj kanë thënë gjithmonë ato gra dhe ata burra që dëshirojnë me fsheh fajin, që dëshirojnë me fsheh dukurinë e ngacmimeve seksuale. Unë nuk jam vetëm një organizatë e rrjetit të grave, unë jam 126 organizata, dhe nesër do ta shikojmë këtë edhe me bordin, dhe pas bisedave me bordin mendoj që duhet me kërku edhe dorëheqjen e saj”, shtoi Rugova.

Prorektorja gjatë ditës së sotme ka bërë edhe një arsyetim sipërfaqësor për një deklaratë që nxiti reagime të ashpra, madje duke kërkuar dorëheqjen e saj.

Dekalaratën e saj, Teuta Pustina-Krasniqi se “vajzat duhet të kenë kujdes që mos vishen në mënyrë provokative” për të mos u ngacmuar seksualisht, ka thënë të jetë nxjerrë nga konteksti.

“Sa i përket deklaratës, që për së pari e pashë mbrëmë, 24 mars 2018, në Insajder, ndërsa deklarata është e dhënë kohë më parë për Frontal T7, e kam obligim që të ju tregoj se ajo është nxjerrë nga konteksti duke u transmetuar vetëm një pjesë e saj, e jo në tërësi. Kur e them jo në tërësi, mendoj në atë se gjatë intervistës time të dhënë për Frontal T7, nuk kam përmendur vetëm gjininë femërore, por edhe atë mashkullore, sepse ky është një fenomen që dëmton imazhin e femr3ës. Universiteti i Prishtinës është institucion serioz, andaj ka nevojë për staf serioz, është institucion që na përfaqëson të gjithëve, femra e meshkuj, kudo që jemi”, thotë Pustina-Krasniqi në arsyetimin e saj.

Por kjo nuk është e vërtetë. Insajderi ka elaboruar gjithë deklaratën ku ajo flet për “veshjet provokative dhe ngacmimet seksuale”.  Pustina-Krasniqi në deklaratën e saj përmend vetëm veshjen e studenteve dhe faktin se ato punojnë me profesorë dhe asistent meshkujt. /Insadjeri.com