Pas më shumë se një viti përballje me drejtësinë, është liruar sot Azem Syla - vetëm 20 ditë pasi rasti i tij u transferua nga gjykatësit e EULEX-it tek ata vendorë. Por cilat janë të bëmat e "Dajës së madh"? Për çfarë akuzohej ai? Insajderi risjell hulumtimet e publikuara gjatë dy viteve të fundit lidhur me rastin "Toka" dhe figurën e Azem Sylës
Më shumë se dy vjet hetime kishte zhvilluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për të ngritur aktakuzë ndaj Azem Sylës dhe 22 të pandehurve të tjerë – disa prej të cilëve dyshohen se ishin pjesë e grupit të tij – në tetor të 2016-s. Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës akuzohej për një seri veprash penale që ndërlidheshin me krimin e organizuar.
Në aktakuzë ishin renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë ‘krim të organizuar’, ‘pastrim i parave’, ‘marrje të mitos’, ‘mashtrim i rëndë’, ‘mashtrim në detyrë’, ‘nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme’, ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar’ dhe ‘evazion fiskal’.
Disa muaj më vonë, Prokuroria kishte parashtruar aktakuzën e dytë ndaj Sylës, në të cilën ishin përfshirë edhe 17 personave të tjerë. Në këtë aktakuzë, Syla akuzohej për ‘Pastrim të parave’.
E pas më shumë se një viti përballje me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Syla është liruar sot – vetëm 20 ditë pasi rasti i tij u transferua nga gjykatësit e EULEX-it tek ata vendorë, raporton Insajderi.
Ndërsa sot Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.
Por, cilat janë të bëmat e Azem Sylës, të njohur si “Daja i madh”?
Ai akuzohej së bashku me 21 persona tjerë për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik dhe Llapnasellë, afër Prishtinës.
Gazeta Online Insajderi kishte sjellë një seri hulumtimesh lidhur me rastin “Toka” gjatë dy viteve të fundit. Kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Sylës dhe grupit të dyshuar të tij.
Në aktakuzën ndaj tij, Prokuroria pretendonte se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal. Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshoheshin se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.
Grupi pretendonte se kishte nisur veprimtarinë që nga viti 2006.
Në hulumtimin e titulluar: “‘Tregtia kriminale’ me tokën e shtetit”, Insajderi kishte siguruar urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës për bastisjen e 42 lokacioneve në mbarë Kosovën, përfshirë shtëpinë e deputetit Syla në Kizhnarekë.
Ndërkaq, në hulumtimin e Insajderit, të titulluar: “Azem e Hysni Syla dhe vëllai i Remit zhvaten pasurinë e milionerit nga Prishtina”.
Në këtë hulumtim, Insajderi shkruante se si Azem Syla së bashku me djalin e axhës së tij, Hysni Sylën dhe me vëllain e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovë, (UÇK), Rrustem Mustafën, Bedriun, dyshoheshin se kishin zhvatur pasurinë e një milioneri nga Prishtina.
Shtëpi, lokal, toka, e para kishin përfunduar në pronësi të njerëzve të Azem Sylës i njohur si “Daja i madh”, djalit të axhës së tij, Hysni Syla, i njohur si “Daja i vogël” dhe në xhepat e vëllait të Rrustem Mustafës, Bedriut.
Azem e Hysni Syla dhe vëllai i Remit zhvaten pasurinë e milionerit nga Prishtina
Po ashtu, derisa milionerit nga Prishtina, Azem Syla së bashku me grupin e tij i’a kishin marrë të gjithë pasurinë, pasaniku tash mezi ia del të mbajë familjen me një “qymez” buzë rrugës në Prishtinë, raportonte Insajderi.
Mirëpo përveç zhvatjes me miliona, “Daja i madh”, dyshohet se kishte dhënë edhe 100 mijë euro për vrasjen e Nazim Bllacës, i vetëshpalluri agjent i ish-Shërbimit Sekret të Kosovës, SHIK
Prokuroria kishte pretenduar se ka prova të bollshme për ta çuar Azem Sylën në burg për krim të organizuar. Pretendimin po e mbështet në dëshmitë e dy dëshmitarëve, njëri prej të cilëve është Nazim Bllaca, përgjimet telefonike dhe prova tjera.
Prokuroria dyshonte se Syla ka një grup kriminal, të përbërë prej dhjetra personave. Të gjithë këtë grup kriminal, Syla dyshohet se e kishte financuar me paratë që ka fituar në Zvicër “si njeri me probleme mendore”.
Në zyrën e arkëtarit publik të kantonit Solothurn, që është autoriteti përkatës zviceran që merret me pagesat e ndihmave sociale, thuhej se Azem Syla ka pranuar përfitime sociale nga autoritetet zvicerane një shumë prej 480,658,40 franga mes datës 1 korrik 2002 dhe 31 janar 2011 si formë e mbështetjes për paaftësinë e tij të dyshuar mendore.
Prokuroria e konsideronte si të çuditshme që një person me një ndikim të tillë, me një prapavijë politike të profilit të lartë dhe një histori të heroit të luftës, njihej në Zvicër si një person me ‘aftësi të kufizuar mendore’. /Insajderi.com