Sot të jesh në lëkurën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të thotë të akuzohesh për të bëmat e të gjitha pushteteve të mëparshme. Pavarësisht nëse kur ke qenë në opozitë i ke kundërshtuar me të gjitha mundësitë veçanërisht marrëveshjet në dëm të shtetin tënd, siç është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo siç ishte rasti i kundërshtimit të themelimit të Gjykatës Speciale.
Të jesh në lëkurën e Albin Kurtit sot është të ndjesh peshën përvëluese të përgjegjësisë dhe të ballafaqohesh me situata kur pushtetarët e dikurshëm, opozitë e sotshme, të të bëjnë trysni për dialog me shpresën se edhe ti do të ndërmarrësh veprime të njëjta si ata!
E dinë edhe se çfarë do të thotë të torturohesh deri në alivanosje në burgjet e Serbisë. Por, të njëjtit nga urrejtja ndaj figurës së kryeministrit shkojnë aq larg sa me ironi ta pyesin – pse nuk të vranë ty, pse shpëtove ti e jo të tjerët?! Ky mosdurim thelbin e ka pikërisht tek vendosmëria që Albin Kurti mos t’i bëjë asnjë koncension Serbisë sepse kjo i ballafaqon të tjerët me “mëkatet” e veta.
Në rastet kur kryeministri Kurti shfaqet indiferent ndaj një dialogu që ka për qëllim temat teknike e jo ato substanciale – siç është njohja e pavarësisë së Kosovës, janë po të njëjtit zëra opozitarë që e quajnë jo të guximshëm. Ndërkohë që ai qartë e tha – i vetmi guxim që i mungon është të falë toka shqiptare në kompensim të një marrëveshjeje finale.
Të jesh në lëkurën e Albin Kurtit sot duhet të durosh edhe sulmet që të bëhen për shkak se presidenti Vuçiq bën deklarime se Kosovës do t’i liberalizohen vizat. Kurtin e mbajnë përgjegjës edhe për gënjeshtrat e mikut të Edi Ramës – Vuçiqit. Absurditeti i kritikës ndaj Albin Kurtit shkon deri në atë masë sa kanë filluar t’i kërkojnë llogari dhe ta mbajnë përgjegjës pse kryeministri i Shqipërisë sot ndjehet më i afërt me atë të Serbisë.
Por, çmimin më të rëndë që mund ta paguash nëse zgjedh të jesh disa çaste në lëkurën e kryeministrit Albin Kurti është që të kesh pushtet absolut dhe të jesh i pakorruptueshëm. Njerëz të cilët profesion të vetëm e kishin “politikën” që ua siguronte mirëqenien atyre dhe grupeve përreth, nuk mund ta imagjinojnë se si një kryeministër me tërë atë pushtet udhëton me bileta të lira aeroplani, nuk merr mëditje dhe jeton në qera.
Të tillët qëmoti e kanë instaluar mendësinë se “më mirë është të jesh hajn dhe i pasur sesa i ndershëm dhe i varfër”. Hajnia për ata është zotësi, e ndershmëria budallaki. Këtë bindje veçanërisht e ndajnë ata të cilët në fillim e shesin vetën, e më pas janë në gjendje të nxjerrin në shitje gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tyre politike..
Të jesh në lëkurën e Albin Kurtit sot dhe të mundohesh të argumentosh me shifra se buxheti ju ndahet kategorive në nevojë e jo bizneseve të pasura, është si të luftosh me mullinjtë e erës! Kapitalistët i kërkojnë llogari për krizën dhe e akuzojnë për paaftësi të menaxhimit të buxhetit. Janë të njëjtit që buxhetin e Kosovës e shihnin si një lopë që duhet mjelë, ndërsa për popullin mendonin vetëm atëherë kur iu duhej vota. Pra, eksploatuesit e deridjeshëm të fuqisë punëtore, sot thirren në emër të të drejtave të tyre!
Të jesh në lëkurën e Albin Kurtit nuk është lehtë, por as e vështirë – mjafton vendit tënd t’i shërbesh me përkushtim dhe ndershmëri. Dhe, për këtë nuk duhet patjetër të jesh kryeministër!