Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e lagjes “Bujanina” të Gjilanit, pasditen e së martës.
Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri, ndërkaq me të arritur në vendngjarje, kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë.
Në një konferencë për media ku u deklaruan zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, u tha se dyshohet se zyrtarja policore ka kryer vrasjen me revolen e saj zyrtare të policisë.
Megjithatë fqinjët kanë treguar një arsye që mund të ketë çuar tek vrasja, shkruan Insajderi.
Zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes dhe veten, ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që 18 vjet.
Merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.
Ajo dyshohet se ishte degraduar për shkak të problemeve psikike.
Ndryshe, në vendin e ngjarjes përveç policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.
Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan.
Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte shtënë drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.
Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, ajo e kishte vrarë më pas vëllain Blerimin dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.
Në vend të ngjarjes ka shkuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri ka thënë se është e hidhur ajo që ka ndodhur sot në Gjilan, teksa ka apeluar tek mediat që mos të merren versionet jozyrtare.
“Është e rëndë të dalin versione të tjera nga kjo tragjedi dhe ju lutem mos i publikon përveç atyre që janë zyrtare. Djemtë kanë qenë veprimtarë dhe të angazhum, nuk ka të bëjë me gjendjen sociale. Vetëm prokuroria i jep detajet zyrtare”, ka theksuar Haziri./Insajderi.com