Universiteti i Prizrenit flet pas mbylljes – Ka një kërkesë për studentët

Universiteti i Prizrenit flet pas mbylljes – Ka një kërkesë për studentët

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren u ka bërë thirrje studentëve të tyre të mos shqetësohen për mosakreditimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KSHC), shkruan Insajderi.

Përmes një komunikate, “Ukshin Hoti” pret njoftimin zyrtarë për të dalur me një qëndrim.

“Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren po i përcjell me shqetësim lajmet që po qarkullojnë në media për mos akreditimin institucional për një vit.  Jemi në pritje të njoftimit zyrtar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për përmbajtjen e vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Pas marrjes së njoftimit zyrtar do të dalim me një qëndrim përkitazi me situatën e krijuar”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ata kanë potencuar se një vendim i tillë është i papranueshëm dhe se universiteti do të veprojë në përputhje të dispozitave e akteve ligjore dhe nënligjore.

“Do të kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi i Këshilli Shtetëror të Cilësisë sa i përket Universitetit “Ukshin Hoti” pasi që konsiderojmë se i plotësojmë kushtet për akreditimi institucional, duke marr për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar.”, thuhet në komunikatën e Universitetit ‘Ukshin Hoti’.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka marrë vendim të mos e akreditojë  Universitetin e Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit.

Këtë vendim e ka konfirmuar për Insajderin sot gjatë ditës Dukagjin Zeka, pjesë e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).