Duhet të protestojmë derisa mafiozët të dorëzohen. Kjo duhet bërë për shkak se shifrat e vdekjeve në vend të punës janë tmerruese. Edhe më tmerrues është fakti që asnjë prej pronarëve të kompanive mafioze nuk është në burg.
“Bon naj zgjidhje loqka jeme”, është një prej mesazheve që figuron në një aktakuzë të rëndësishme, të ngritur nga Prokuroria Speciale.
Nuk është shkëmbim mesazhesh mes të dashuruarve. Është mes dy burrave. Mes dy të dashuruarve në paranë. Biseda bëhej mes një ish-inspektori komunal të Prishtinës, Ismet Halitit dhe biznesmenit Arbër Kryeziu.
Në vend se ta dënonte, Inspektori i kishte dhënë vetës një rol tjetër. Atë të këshilltarit të biznesmenit, i cili po ndërtonte një objekt pa leje, në Prishtinë.
Ky nuk ishte mesazhi i vetëm. Inspektori i kishte sugjeruar edhe diçka tjetër. “Të kam thënë atë ditë nale njëherë”, ishte këshilla tjetër që Haliti i bënte biznesmenit.
Hetuesit kishin zbuluar se inspektori dhe biznesmeni kishin krijuar raporte të mira personale. Komunikonin dhe takoheshin shpesh.
Në fund të një procesi të gjatë gjyqësor, Haliti është dënuar me disa muaj burg. Biznesmeni ka shpëtuar pa asnjë therë në këmbë. Paradoksalisht, gjyqi shpërndau dënime me burg për inspektorët, por jo edhe për biznesmenët. Për Bossat.
Inspektorët, ndonëse me pak vite burgim, u dënuan për arsye se kishin lejuar ndërtimet e kundërligjshme të biznesmenëve. Ndërkaq, biznesmenët që e shkelën ligjin nuk u dënuan.
Bashkë me Kryeziun u amnistuan edhe Hysen Sadiku i “Hysi Group”, Ymer Veli i “Naki Trade”, Bedri Prishtina i kompanisë “Tregtia”, Shefik Rexhepi i kompanisë “Abi Group”, Azem Rusinovci i kompanisë “Reforma”, Bejtush Gashi i “VG Construction” dhe Fisnik Morina i kompanisë “Art Group”.
Ky proces gjyqësor dëshmon se sa të fuqishëm janë biznesmenët e ndërtimit. Janë të paprekshëm. Po ashtu, ky proces gjyqësor dëshmon se sa të korruptueshëm janë inspektorët komunal.
Kjo fuqi e tyre dhe kjo lakmi e inspektorëve për para është pengesa kryesore e moszbatimit të dy ligjeve: Ligjit për Ndërtim dhe Ligjit të Punës.
Asnjëri prej këtyre ligjeve nuk zbatohet. Ndërtimet pa leje vazhdojnë. Legalizohen më pas. Ligji i punës shpërfillet totalisht. Numri i të vdekurve në vendin e punës është në rritje. Për çdo muaj vdes nga një punonjës i sektorit të ndërtimtarisë. Detyrohen të punojnë pa helmeta e pa skele në katet e larta të objekteve luksoze, në pronësi të biznesmenëve të fuqishëm.
Por, kompanitë e fuqishme private nuk ka kush që t’i inspektojë. Inspektoret korruptohen lehtësisht, nëpërmjet ryshfeteve. Edhe shefat e inspektorëve, politikanët, korruptohen nga mafiozet e sektorit të ndërtimit. Politikanët, kuptohet korruptohen me shifra më të mëdha se sa inspektorët.
Kjo është arsyeja se pse njerëzit vdesin në kantierët e ndërtimit. Shteti nuk vajton vdekjet e tyre. Inspektorët vajtojnë hallin e biznesmenëve, në këtë rast. I japin këshilla se si t’i bishtnojnë ligjit. Asnjë prokuror nuk e heton rastin e vdekjes së tyre. Po ashtu, asnjë gjykatës nuk i dënon me burg multimilionerët mafioz të ndërtimit. Derisa gjendja është kështu, njerëzit do të vazhdojnë të vdesin në kantieret e ndërtimit.
Por, qytetarët nuk duhet të dorëzohen. Duhet t’i mbajnë nën presion pushtetarët. Nëpërmjet protestave. Sot u mbajt një e tillë. Duhet vazhduar ngjashëm. Duhet protestuar derisa mafiozët të dorëzohen.
Kjo duhet bërë për shkak se shifrat e vdekjeve në vend të punës janë tmerruese. Edhe më tmerrues është fakti që asnjë prej pronarëve të kompanive mafioze nuk është në burg.
Bazuar në statistikat që posedon Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, 18 vdekje në vend të punës kanë ndodhur vetëm në vitin 2018. Vitin e kaluar patën vdekur 20 veta, ndërsa gjatë vitit 2016 kishin vdekur 14 punëtorë.
Në një dokumentar të transmetuar, para disa muajsh, InDoks zbuloi se nuk është dënuar asnjë prej përgjegjësve për vdekjet në vend të punës përgjatë viteve 2016-2018.
Por, këto shifra nuk janë tmerruese për inspektorët e ndërtimit dhe të punës. I vënë në presion nga thirrjet për protesta, para disa ditësh, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica u takua me inspektorët e Punës. Pati një kërkesë për ta. Kërkoi që të rrisin numrin e inspektimeve dhe të zbatohet ligji. Por, Reçica fillimisht duhet që ta zbulojë se kujt po ia bënë këtë kërkesë?
Miqve të biznesmenëve që menjëherë pas takimit këshillojnë mafiozët, “loçkat e tyre”, që të kenë kujdes, vetëm sa për sy e faqe, derisa të përfundon periudha zyrtare e inspektimit. Pas përfundimit të saj, për t’i takuar për të marrë bakshishet e majme.
Kjo nuk është zgjidhja. Reçica duhet të suspendojë fillimisht inspektorët e korruptuar. Më pastaj, duhet që nga inspektorët e rinj të kërkoj zbatimin e ligjit.