Veseli: Tërheqja e Naim Bazajt, gjest burrëror

Veseli: Tërheqja e Naim Bazajt, gjest burrëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,Kadri Veseli nuk ka pasur një natë të lehtë në Drenas, kur ka shkuar në një restorant së bashku me Naim Bazajn, për të cilin ishin mbledhur qindra qytetarë, që ishin thirrur për të ndjekur shpalljen e kandidaturës së tij të pavarur për kryetar të Drenasit.

Veseli dhe Bazaj u fishkëllyen dhe u pritën me thirrje kundër tyre, pasi Bazaj lajmëroj elektoratin e tij se ishte tërhequr nga gara, dhe ka vendosur të përkrahë Partinë Demokratike të Kosovës, dhe kandidatin e saj për kryetar, Ramiz Lladrovcin.

E ky gjest sipas kryetarit të PDK-së dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është një gjest burrëror, raporton Insajderi.

“Këtë gjest mundet ta bëjë vetëm, një njeri i cili vërtetë ka një taban në rend të parë familjar, një gjest burrëror i cili mendon në rend të parë para interesit të vet mendon për qytetarët, për komunën, ndonjëherë, ndoshta nganjëherë edhe kur mendon se ju ka bërë e padrejtë”, ka thënë Veseli, teksa ka dalë jashtë restorantit ku nuk ka mundur të mbajë fjalim të plotë.

Naim Bazaj tradhton elektoratin: I thërret në tubim si kandidat i pavarur, paraqitet me Kadri Veselin

Duke folur për televizionin lokal të Drenasit, “Star TV”, Veseli ka thënë se e vlerëson vendimin e Bazajt dhe se ky vendim është një “mesazh i qartë, për ata që po fërkojnë duart pas arrestimeve të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“ Pavarësisht mllefit, kjo do të jetë përgjigja për ta”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.

Sipas tij, elektorati i PDK-së në Drenas, ka treguar gjithmonë qe 17 vite se është përkrahës i partisë që ai e drejton.

“Gjithsesi janë të zhgënjyer, por pikërisht kjo është ajo që është një parti politike në procesin zhvillimor, por fuqia e tyre dhe besimi në parti është më e madhe se çdo zhgënjim i mundshëm”, ka thënë Veseli./Insajderi.com

Veseli e quan “të jashtëzakonshme” pritjen në Drenas përkundër fishkëllimave