Adil Behramaj, këshilltar i Hashim Thaçit gjatë kohës sa ishte president, ka thënë se Albin Kurti është “duke e çmontuar Republikën”.
Ky reagim i tij erdhi, pasi Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në disa pika kufitare Kosovë – Serbi, me qëllim vendosjen e reciprocitetit me targa.
“Albin Kurti është duke e çmontuar Republikën e Kosovës. Pas afër 14 vjet pavarësi dhe shtensionim të raporteve ndëretnike, ai i shqetësuar për fatin e tij politik më 17 tetor po bën fushatë politike edhe me policinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, Albin Kurtit “i janë harxhuar gënjeshtrat politike”, dhe po mundohet përmes “skenarëve” ta mbajë vetën në pushtet.
“Albin Kurtit tashmë i janë harxhuar të gjitha rrenat politike dhe përmes skenarëve të pistë të destabilizimit, pasi lejoi të rritej importi nga Serbia për 143%, kinse në emër të reciprocitetit po mundohet ta mbajë veten në pushtet me çdo kusht”.
“Pas dështimit që t’i shtyjë zgjedhjet, tash e shpiku këtë skenar të ri me kosto tepër të lartë për shtetin e Kosovës.
Ka mundësi që Njësinë Speciale e ka dërguar të marrë edhe ndonjë kontingjent të vaksinave antiCovid”, përfundoi ai.
Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.
Siç njoftoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky aksion ka të bëjë me reciprocitetin e targave.
Rreth këtyre zhvillimeve ende s’ka reaguar presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti e asnjë nga kryetarët e partive politike. /Insajderi.com