ZRRE-ja e udhëhequr nga ish-menaxherët e KEDS-it shpërfill Odën Ekonomike

ZRRE-ja e udhëhequr nga ish-menaxherët e KEDS-it shpërfill Odën Ekonomike

Pasi shpërfilli një tryezë të thirrur nga Oda Ekonomike e Kosovës javën e kaluar, që kishte për qëllim diskutimin e një zgjidhjeje për qindra biznese që nuk po u lejohet investimi në energjinë e ripërtërishme, ka reaguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Përmes një kumtese për media, ZRRE, e cila udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it, ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet se ky institucion nuk do t’i dëgjojë ankesat e konsumatorëve, ndonëse nuk ka ofruar ende zgjidhje për problemet e tyre.

ZRRE thotë se deklarimet e tilla nuk përkojnë aspak me realitetin sepse ZRRE deri më tani e ka dëshmuar se nuk ka zhvilluar asnjë proces rregullativ pa përfshirjen e të gjitha palëve.

“Të gjitha rregullat e ZRRE, para aprovimit i janë nënshtruar diskutimeve publike dhe janë publikuar në faqen e ZRRE, me qëllim të marrjes së komenteve nga të gjitha palët. Asnjëherë ZRRE nuk ka refuzuar të diskutojë me çdo palë aspektet rregullative, e në veçanti me konsumatorët. Të gjitha grupet e konsumatorëve por edhe konsumatorët individualisht, kanë mundësi, dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, për t’u takuar me zyrtarët e ZRRE dhe në veçanti me Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorëve”, thuhet në reagimin për media.

Sa i përket hapjes së Tregut të Energjisë, thuhet aty, ky është një proces i gjatë që është iniciuar vite me parë.

“Kosova, duke qenë palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është zotuar që të zbatojë direktivat e Bashkimit Evropian të Energjisë, të cilat ndërtojnë një legjislaturë që mbështet Tregun e lirë të sektorit të energjisë. Bordi i ZRRE në mbledhjen e tij të mbajtur më 18 janar 2017, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë. Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të Tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike. Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike”, thuhet në reagim.

Javën e kaluar, Oda Ekonomike e Kosovës organizoi një tryezë me përfaqësues të bizneseve dhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ku u diskutua lidhur me dëmtimin që ZRRE i ka bërë qindra konsumatorëve (bizneseve) të cilave nuk u ka lejuar qasje në prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Madje, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka deklaruar se vendimet e dëshme të ZRRE-së mund të çojnë në falimentimin e dhjetëra kompanive kosovare.

Shkak për këtë, sipas Rukiqit, është vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që detyron bizneset e mëdha të Kosovës, të cilat janë të lidhura me tensionin 10kv dhe 35kv  t’iu bashkohen konsumatorëve të lidhur në 110kv dhe 220kv dhe të gjejnë zgjidhje të tjera për furnizimin e tyre me energji elektrike.

“Nëse nuk ka veprime të shpejta për shtyerje të zbatimit të rregullave të reja të tregut të energjisë, deri në krijimin e kushteve për konkurrencë në këtë treg, dhjetëra kompani prodhuese rrezikojnë të falimentojne ose te zhvendosen në vende tjera”, paralajmëroi kryetari i OEK-ut javën e kaluar.

Një raportim i Gazetës Online Insajderi vitin e kaluar, dëshmoi për lidhjen e kompanisë private KEDS me organin e pavarur që ka për qëllim rregullimin e sektorit energjetik në Kosovë.

Gjatë viteve të fundit, KEDS ka përfituar miliona euro nga vendimet e ZRRE-së në favor të saj. Arsyeja që e shtyn Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të marrë vendime në favor të KEDS-it është fakti që ky bord udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it.

Petrit Pepaj, tani anëtar bordi në ZRRE, dikur kishte qenë menaxher i lartë në KEDS. Izet Rushiti, po ashtu ish-menaxher i lartë në KEDS. Edhe anëtari tjetër i ZRRE-së, Selman Hoti, dikur kishte punuar si menaxher në kompaninë turke. /Insajderi.com