Arbër Geci zëvendësministër i Arsimit, i cili është raportuar nga policë se i ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare, duke i kërcënuar, ka dhënë versionin e tij rreth këtij incidenti.
Geci tha për Insajderin se ka kërkuar nga policët që të ndërmarrin masa ndaj të gjithëve në trafik.
“Tiketa s`ka pas të bëjë me mua. Ju kam prezantu policit edhe i kam kërku që të ndërmerr masa ndaj të gjithëve jo në mënyrë selektive. Ai me preku në krah dhe me tha largohu. Për atë prekje i thash që do ta raportoj pasi ai nuk ka të drejtë të sillet në atë mënyrë. Pra ti thuash dikuj që do të raportoj për këtë sjellje tende nuk është kërcënim”, tha Geci.
Incidenti ka ndodhur të enjten rreh orës 09:50 në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, derisa policia ka qenë duke i shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në trafik vëllait të zëvendësministrit Geci, pasi që vetura e tij ka qenë e parkuar në hapësirë që nuk është e lejuar, në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë.
Sipas raportimit të zyrtarëve policor, Geci ishte afruar duke u prezantuar si VIP, para policëve. Siç merr vesh Insajderi, ai i ka kërcënuar policët duke u thënë “keni me pa kush jam unë që po e shqipton dënimin”, dhe me fjalët “ama numrin se ke me pa kush jam unë dhe këtë kam me raportu te ministri”.
Polici zyrtar i kishte kërkuar Gecit disa herë që të largohej pasi që ai nuk kishte kryer kundërvajtje po vëllau i tij, dhe se ai është i barabartë siç do qytetar tjetër, por Geci kishte vazhduar me kërcënime.
Lidhur me këtë rast është informuar edhe njësia e hetimeve, të cilët po ashtu e kanë lajmëruar edhe prokurorin kujdestar. /Insajderi.com
Zv/ministri i Arsimit prezantohet si VIP në trafik, policët ankohen se i kërcënoi me ndëshkime