Elinel pretendon se është “shumë i fortë” edhe përkundër ndryshimit të tij në skenën muzikore që nga viti i kaluar.
Krijimtaria e Granit Bajraktarit, të njohur me nofkën Elinel, në fillimet e karrierës së tij njihej si “përfaqësuesi i rrymës rap-undergorund në Prishtinë”. Vitin 2016 dhe gjatë këtij viti, Elinel ka eksperimentuar: ai ka publikuar këngë me artistë të zhanreve Pop, R&B dhe rok.
Por, reperi nga Prishtina thotë se shumica e fansave të tij e kanë pritur mirë ndryshimin e tij.
“Shumica e kanë pritë mirë edhe e kanë marrë që kom hi në terrene të reja, e kanë pa edhe një anë temën tjetër, ku edhe aty jam shumë i fortë”, thotë Elinel.
Në një intervistë me Gazetën Insajderi, Elinel rrëfeu se bashkëpunimet e tij të fundit me Besa Kokëdhimën dhe Flori Mumajesin edhe pse nënkuptojnë dalje nga rrymat ekstreme të repit, sipas tij janë ndryshime që janë krijuar nga rrethanat.
“Elineli nuk ka ndërru, kanë ndërru rrethanat. Osht faza e rekrutimit”, deklaron reperi, i cili thotë se është “i paparashikueshëm”.
Jeta e vështirë dhe përditshmëria që ka kaluar janë inspirime që shfaqen në tekstet e këngëve të krijuara nga reperi. Elinel deklaron se ndikim në tekstet e tij ka vetë vendi ku jeton, pra Prishtina, raporton Insajderi.
“Jeta e vështirë është ndikim në këngët e mija, po ashtu edhe jeta të cilën e bëjë… se qetu po jetoj”, deklaroi reperi nga Prishtina, për Insajderin.
Elinel, emri i të cili ka “origjinën” shkurtimi i fjalëve “Life in Lyrics” (Jeta në tekste) – El IN EL, është tash e një kohë të gjatë pjesë e familjes On Air Media, mirëpo së fundmi ka zyrtarizuar nënshkrimin e kontratës.
“Me On Air, jam lidhë me këtë kanal për arsye se deri vone e kom mirëmbajt vetë, mirëpo skam qenë shumë aktiv. [Pas nënshkrimit të kontratës] Tash kanë me dalë shumë projekte”, thotë Elinel.
Para tri ditëve, Elinel ka publikuar bashkëpunimin e tij të fundit me këngëtarin nga Shqipëria, Flori Mumajesi. “Në shpirt”, është kënga e publikuar të martën nga dy artistët.
Për tre ditë, “Në shpirt” ka arritur të shikohet më shumë se 300 mijë herë në kanalin e internetit, Youtube. /Insajderi.com