Aktakuza kundër imamit Irfan Salihu është e pavlefshme

Imami Irfan Salihu është akuzuar për një vepër të amnistuar nga Kuvendi i Kosovës. “ Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, është në mesin e veprave të amnistuara. Ligji parasheh amnisti për veprat e kryera deri më 20 qershor 2013. Salihu akuzohet se veprën e ka kryer në mars të vitit 2013. Prokurori thotë se do ta tërheq aktakuzën. Arsyetohet se nuk e ka ditur këtë.

Aktakuza kundër imamit Irfan Salihu është e pavlefshme

Shteti e ka akuzuar imamin Irfan Salihu, për një vepër që ligjërisht është e amnistuar tri vjet më parë.

Ligji për Amnisti i miratuar në korrik të vitit 2013, mes 90 veprave penale, amniston edhe “ Nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik e sanksionuar me nenin 147 të Kodit Penal.

Për këtë vepër akuzohet Salihu.

Të martën, Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër imamit të Prizrenit për shkak se në mars të vitit 2013, “ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, fetare etnike apo grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Salihu akuzohet se me ligjëratën e tij “si ta shtojmë bereqetin”, ka theksuar se “në periudha të ndryshme gjatë pushtimit të perandorisë osmane në trojet tona kanë qenë 1 % shqiptar…, e shajnë atë myslimanë që ju ka dhënë me hektar tokë dhe i ka sjellë për të jetuar në Kosovë… i ka bërë sundimtarë të Ballkanit”.

Këtë ligjëratë në xhami, Imami Salihu e ka mbajtur në muajin mars 2013, saktësisht tre muaj brenda afatit të amnistisë.

Ligji

Ligji për Amnistinë rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit 2013 brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.

“Të gjithë kryesve të veprave penale të listuara në nenin 3 të këtij ligji të cilat janë kryer para datës 20 qershor 2013 u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit, në përputhje me kushtet e parapara me nenin 3 të këtij ligji”, thuhet në Ligj.

Kësisoj, mundi për të kryer hetime, koha dhe shpenzimet shkojnë huq për shkak të ngritjes së një aktakuze të paligjshme.

Autori i aktakuzës, prokurori Beqë Shala ka thënë se nuk e ka ditur se vepra është e amnistuar. Në një bisedë me telefon, ai ka thënë se do ta shikojë rastin dhe do të heq dorë nga aktakuza. Nuk e ka përjashtuar mundësinë që të humb kohë edhe më shumë – duke e dërguar aktakuzën në Gjykatë dhe gjykata të marrë vendim për hedhjen poshtë të saj.

“Tash ka mundësi ligjore që në momentin kur të caktohet seanca të eliminohet edhe kjo. Të shohim tash se si thuhet decitivisht në ligj. Nuk kam kurrgjë personale”, ka thënë prokurori Shala për Insajderin.

“Kemi një kallëzim penal, veprime inkriminuese ka pas, nëse del ajo që është i përfshirë në amnisti, amnistohet edhe kaq. Normal që prokurori nuk ka çka me ba aty”, ka thënë ai.

Ligji i Amnistisë ishte miratuar në Kuvend pak kohë mas marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër kushtet e marrëveshjes ishte edhe ky ligj.

Në fillim, Ligji amnistonte vetëm serbët. Por, pas një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, ligji ishte bërë gjithëpërfshirës dhe ju jepte amnisti të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfshirë shumicën shqiptare.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se nuk mund t’i kontrollojë të gjitha aktakuzat. Për këtë arsye i ka ikur kjo aktakuzë me këtë lëshim.

Imami Irfan Salihu kishte mohuar se ka kryer vepër penale kur është marrë në pyetje nga organet e shtetit. Ishte arsyetuar se deklaratën për përqindje të shqiptarëve e ka mbështetur në një “tezë shkencore” të orientalistit Hasan Kaleshi, të lexuar në Kongresin Ndërkombëtar në Stamboll për Turkologjinë në vitin 1973.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori më 11 nëntor të vitit të kaluar, Salihu ka mbrojtur ligjëratën e tij se Perandoria Osmane ka sjell të mira në Kosovë.

Ka thënë se gjatë ligjëratës “si ta shtojmë bereqetin” ka potencuar se ardhja e Osmanlinjve në Ballkan, shqiptarët i ka bërë agallarë.

“Ashtu e shoh unë. Këtë na e ka bërë pas gjendjes qindravjeçare të okupimeve të mëhershme duke u nisur nga perandoria romake, para erës së re, më pas të bullgarëve, serbëve, bizantinëve, venedikasve.

Irfan