Në pjesën e pestë të dosjes hetimore të Hagës për pretendimet për trafikim, Insajderi sjell detaje të dyshimeve për përfshirje të shtetit të Shqipërisë. Dëshmitarët kanë folur edhe për hyrjen në Aeroportin e Rinasit, korruptimin e përgjegjësve dhe fluturimet e të hënave e të mërkurave për në Stamboll.
Dëshmitarët kanë implikuar Shërbimin Informativ të Kombëtar në rrëmbimin, trafikimin dhe heqjen e organeve në Shqipëri.
Ata kanë përmendur me emra disa anëtar të SHIK-it, që drejtohej nga Fatos Klosi. Mirëpo, e kanë përjashtuar Klosin nga kjo përgjegjësi. Kanë thënë se nuk ishte në dijeni për këto operacione.
Njëri prej dëshmitarëve ka thënë se dy anëtar të SHIK-it kanë qenë të pranishëm në zonën e Kukësit kur kishin varrosur disa trupa të serbëve.
“Tre burra në prisnin atje. Këtë herë nuk e di se sa trupa të pajetë u hodhën në gropa… Personi i ngarkuar nga SHIK-u këtë herë, nuk ishte me ne i pranishëm. Ishte një mafioz lokal i Dibrës apo Peshkopisë. Emri i tij është Samuri Amre”, citohet dëshmitari në analizën e hetuesve të Hagës.
“E pyeta se si dinte emrat e njerëzve nga SHIK-u. Ai tha se kishte dëgjuar dy prej tyre duke folur në kabinë rreth njerëzve nga SHIK dhe se po ashtu kishte dëgjuar që shefi aktual i SHIK-ut, Fatos Klosi nuk kishte ide për këto operacione”, ka thënë hetuesi.
Në pjesën e pestë të dosjes hetimore për trafikim organesh të hartuar nga hetuesit e Hagës, Insajderi sjell detaje të përgjegjësisë së komandantëve në terren. Hetuesit identifikojnë si njerëz me ndikim në rajonin e Dukagjinit Ramush e Daut Haradinajn, si dhe Naim Malokun, por nuk i lidhin me kidnapimin dhe trafikimin e njerëzve.
Hetuesit thonë se ata ishin të lidhur me grupet kriminale të përfshirë në shumë lloj trafiqesh e krimesh, por nuk i bëjnë me përgjegjësi direkte të kidnapimit të njerëzve.
Dëshmitarët kanë implikuar edhe Shërbimin Informativ të Kosovës. Kanë përmendur përfshirjen e anëtarit të tij, E.C.
Fuqia e Grupit të Prizrenit
Pretendimet e tyre janë analizuar nga hetuesit e Hagës.
Hetuesi u referohet dy dëshmitarëve tjerë të koduar si “P” dhe “C”. Ai thotë se asgjë nuk mund të bëhet asgjë që është e lidhur me krimin e organizuar (drogë, prostitucion, duhan, armë, shpëlarje parash e tjera, në mënyrë të pavarur pa ndikimin e grupeve të Pejës dhe Prizrenit.
Kontrollues të këtyre zonave i përmendin, D. H. dhe N. M.
Për rajonin e Prizrenit përmendin si përgjegjës I. K., Sh. Ç. dhe Xh. E.. Xh. E. Të tre të rajonit të Prizrenit.
Sipas hetuesve, serbët atyre ua sillte një pjesëtar i UÇK-së, nga Ferizaj, i quajtur Naser. Dëshmitarit nuk i kujtohej mbiemri i tij.
“Xh. E. ishte shumë aktiv në kapjen gjallë të serbëve. Ai kënaqej me torturimin e tyre. Ishte shef i policisë ushtarake të UÇK-së. Ata mbanin uniforma të zeza me simbole të UÇK-së”, citohet dëshmitari “C”.
C ka konfirmuar këto gjëra dhe ka treguar se Xh. E., ishte lindur në një familje shumë të varfër dhe kishte kryer vrasjen e parë kur ishte shumë i ri.
Ai kishte vrarë një numër policësh, para se lufta të eskalonte, si dhe një numër të madh civilësh dhe shqiptarësh që dyshohej se ishin bashkëpunëtorë të forcave okupuese serbe. Hetuesit thonë se Xh.E. kishte vrarë dy bashkëpunëtorë shumë të ngushtë, për shkak se e kishin mashtruar për një sasi të vogël droge, në vlerë prej vetëm 2.000 dollarësh
I. K., ishte pronar i restorantit “Skenderbeu” në Dushanovë. Ishte ish-polic i MUP-it serb.
Dëshmitari “C” ka thënë për të se askush nuk ka mundur të bëjë biznes apo të hapë diçka në Prizren pa miratimin e tij.
Fuqia e familjeve Elshani, Qela dhe Kastrati
Përgjegjësitë më të mëdha të krimit, hetuesit ua hedhin familjeve Elshani, Qelaj dhe Kastrati. Të tri këto familje thonë se ishin me prejardhje nga Krahina e Lumës së Shqipërisë Veriore.
Sqarohen përgjegjësitë e secilit anëtarë të familjes veç e veç.
“Të tri familjet janë të përfshira me të madhe në narkotikë, prostitucion, reketim dhe zhvatje, e të tjera”, thonë hetuesit.
Dëshmitari “C” pos tjerash u ka thënë hetuesve se nuk kishte probleme në aeroportin e Rinasit. Ka thënë se organet futeshin pa asnjë problem.
“Njerëzve që punonin aty u ishin dhënë para që të mbyllnin sytë dhe se i njëjti rrëfim ishte edhe në Stamboll”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se transporti është kryer për në Stamboll. Zakonisht merrnin fluturime komerciale të hënave dhe të mërkurave.
“Dëshmitari ‘B’ më ka konfirmuar fluturimin e mëngjesit të ditës së hënë për në Stamboll”.
Dëshmitari ka folur për udhëtimet e tij në detaje. Më së shumti ka treguar për udhëtimin e dytë dhe katërt. Ka thënë se më 14 korrik 1999 kishin shkuar Grekovc, që ndodhet midis Prizrenit dhe Suharekës. Prej atje, ka thënë se kishte shkuar në një fshat tjetër, të quajtur Dubravë dhe pastaj ishin kthyer në Grekoc, afër dy manastireve, ku kishin marrë tre serbë në bregun e lumit Dushnica.
Rrugës për në Prizren ka thënë se kishin marrë edhe dy serbë që mbaheshin prej një njësiti të UÇK-së.
Dhunimi i vajzës rome
“Kur arritën në Tusus, ata i futën serbët në shtëpinë e një banori shqiptar lokal, derisa në kamionetën që iu shkonte pas dhe që u ndal pranë tyre ishin edhe gjashtë serbë. Që të gjithë u futën në të njëjtën shtëpi. Me ta ishte edhe një vajzë rome, si dhe disa të moshuara”, pretendon dëshmitari.
“Vajza rome u nxor atë natë. Ushtarët e UÇK-së e përdhunuan atë”, thuhet në raport. Dëshmitari ka thënë se nuk e pa më atë.
Dëshmitari ka thënë se atë mëngjes në Tusus një person i kishte marrë me vete të rinjtë serbë që dukeshin të shëndoshë.
“Pastaj që të gjithë (tre shqiptarë dhe tre serbë) shkuan në drejtim të Kukësit, ku takuan sërish turko-shqiptarin, këtë herë i vetëm”, përshkruhet udhëtimi i tyre në raport.
Dëshmitari “B” ka thënë se personi i tretë e përshëndeti me “Tung Mahmut”, derisa ai iu përgjigj me “Selam Aleykum”.
“’Mahmut tha se jemi vonuar dhe më mirë t’i përmbahemi marrëveshjes dhe se aeroplani do të priste”, thuhet në raport.
Dëshmitari ka treguar se kishin shkuar deri në Fushë Krujë ku kishin arritur natën vonë. Udhëtimin e ka përshkruar si të tmerrshem. Udhëtimi ka thënë se ishte bërë kah Bajram Curri.
Për dërgesën e katërt, dëshmitari “B” ka thënë se kishte ndodhur më 19 gusht 1999. Ka thënë se kishin shkuar në Landovicë dhe pastaj në Piranë ku kishin marrë dhjetë deri në dymbëdhjetë serbë.
Dëshmitari ka thënë se një nga shoqëruesit e tij kishte sqaruar se do të ishte më lehtë nëse i dërgonin të gjithë përnjëherë për në Shqipëri, për shkak se gjendja po bëhej më delikate dhe nuk donte të rrezikonte, në rast se do të kishte probleme me KFOR-in, apo fraksione tjera të UÇK-së.
“Ata mbërritën në Kukës atë ditë dhe e kaluan natën në një fermë të afërme, ku po mbaheshin pesë serbë. Mëngjesin tjetër ai, personi i tretë dhe shoferi që i shoqëronte vazhduan drejt Burrelit me katër serbë në furgon, derisa tjerët mbetën në zonën e Kukësit”, pretendon ai.
Ka thënë se kishin shkuar në një shtëpi afër Burrelit brendia e së cilës dukej si klinikë e vogël.
Lidhjet me Lindjen e Mesme
“Personi i tretë tha se shumica e ‘organeve’ shkojnë në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Damask, ‘pra në Siri’”, citohet dëshmitari në raport.
Raporti thotë se sërish ua dorëzuan serbët grupeve lokale të armatosura. Aty dëshmitari “B” vërejti një person me ten më të errët dhe mjekër, që dukej arab.
“B dhe dy tjerët kaluan natën në një pjesë tjetër të Burrelit dhe shkuan në Tiranë të nesërmen, ku personi i tretë vizitoi Mahmutin dhe arabin të cilin e pati takuar ‘B’-ja herën e parë. Ata qëndruan edhe një ditë në Tiranë, pastaj u kthyen në Kosovë dhe kjo është e tëra”.
Shoferi që e shoqëronte “B”-në i kishte thënë se rreth 60 serbë ishin dërguar në Shqipëri nga grupet e tyre, por mbase gjysma e tyre u përdoren për atë “lloj biznesi”.
Ai shtoi se disave prej tyre u ishin bërë “teste mjekësore” në Kukës dhe Bicaj, por nuk mund të sqaronte përse.
Dëshmitari ka thënë se B. I., dhe A. H., ishin në krye të palës shqiptare, si njerëz që punonin për grupi. Ata po ashtu kishin bartur përgjegjësinë e trafikimit të armëve për UÇK-në gjatë luftës.
“Ai nuk deshi të japë emrat e peshqve të mëdhenj. Po ashtu sa i përket anës së UÇK-së, ai nuk tha pothuajse asgjë. Ai vetëm përmendi se ;njerëz shumë të rëndësishëm; ishin të përfshirë në këtë punë dhe se nuk guxonte të fliste, për hir të sigurisë së familjes së tij”, citohet dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se edhe disa vajza shqiptare nga veriu ishin rrëmbyer dhe ishin përdorë për “këtë qëllim, në vend se të dërgoheshin në Itali për të punuar si prostituta, si shumë tjera”.
“Pas këtij udhëtimi të fundit, ai nuk bëri më dërgesa, ndonëse mendon se biznesi po vazhdon, por pa transferimin përtej kufirit. Një gjë për të cilën ai ishte absolutisht i sigurt është se brigada ‘Atlantiku’ nuk kishte fare lidhje me këtë biznes”.