Ethem Çeku si dekan i Fakultetit të Edukimit dyshohet se në bashkëpunim me sekretarin Milaim Mazreku janë implikuar në mbrojtjen e dyshimtë të temës së diplomës nga një studente. Për këtë, profesoresha Valbona Berisha ka deponuar një kallëzim penal në Prokurori. Ajo akuzon edhe rektorin Marjan Dema për heshtje ndaj këtyre shkeljeve. Insajderi ka siguruar kallëzimin penal ndaj katër zyrtarëve të UP-së
Të ënjtën e 12 korrikut studentja e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, A.R. mbrojti temën e diplomës tek profesoresha Myrvete Dreshaj-Baliu. Mirëpo, ajo nuk e kishte kryer një provim tek profesoresha e lëndës së Metodologjisë së Njohjes së Nocioneve Matematikore, Valbona Berisha.
Për këtë arsye, Berisha i ka bërë kallëzim penal rektorit të UP-së, Marjan Demës, dekanit të Fakultetit të Edukimit, Ethem Çekut, sekretarit të Fakultetit të Edukimit, Milaim Mazrekut dhe sekretarit të Përgjithshëm të universitetit, Esat Kelmendit. Kallëzimin penal, Berisha e ka dorëzuar në Prokurori.
Insajderi ka siguruar kallëzimin penal që është bërë ndaj katër zyrtarëve të lartë të Universitetit të Prishtinës, në muajin shkurt të këtij viti.
Valbona Berisha pretendon se Ethem Çeku dhe Milaim Mazreku kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, ndërkaq Marjan Dema dhe Esat Kelmendi dyshohen për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.
Kjo pasi që më 13 korrik të vitit të kaluar, rreth tri orë para se studentja A.R. të paraqitej për të mbrojtur temën e diplomës, profesoresha Valbona Berisha kishte pranuar listën e studentëve që do të mbronin temën atë ditë. Në listë ndodhej edhe studentja që nuk e kishte dhënë akoma provimin tek lënda e saj.
Pasi e kishte kontrolluar listën, ajo kishte deponuar një deklaratë tek Sekretari i Fakultetit, Milaim Mazreku dhe tek Komisioni për Mbrojtje të Temave. Si rezultat i kësaj, atë ditë mbrojtja e dyshimtë e diplomës nga studentja A.R. ishte anuluar.
Por një ditë më vonë, më 14 korrik të vitit të kaluar, Komisioni Disiplinor i Fakultetit të Edukimit nuk mori masa për rastin në fjalë. Berisha prezanton dëshmi se dokumentacioni i studentes u falsifikua, ndërkaq shprehet se dekani dhe sekretari i Fakultetit ndikuan kundër marrjes së masave.
“Komisioni disiplinor nuk ka marrë ndonjë masë disiplinore për këtë rast të shkeljes së rëndë, sepse në mbledhjen e vetme ku është shqyrtuar rasti, sekretari i ngarkuar me lëndët, ka deklaruar se lëndën për fletëparaqitjen time nuk e ka me vete”, thuhet në kallëzimin penal.
“Gojarisht nga ana e dekanit kam marrë konfirmimin se studentja do të dënohet, mirëpo kur iu drejtova sekretarit zyrtarisht për të marrë vendimin mbi këtë dënim, përgjigja e tij ishte: nuk ka gjetje për ta dënuar studenten”.
Kallëzimi penal ndaj Marjan Demës, Ethem Çekut, Esat Kelmendit dhe Milaim Mazrekut
Ndërkaq, sipas kallëzimit penal, dekani Çeku dhe sekretari Mazreku kanë manipuluar Komisionin Disiplinor të Fakultetit të Edukimit dhe Këshillin e Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që lënda për shkelje të rëndë disiplinore nga studentja A.R të shpallej e pabazuar.
Madje, Çeku dhe Mazreku nuk e kanë ndëshkuar e as parandaluar falsifikuesin e dokumentacionit të studentes A.R., e cila tentoi ta mbronte temën e diplomës në mënyrë të dyshimtë.
“Me këtë veprim nuk është ndëshkuar tentim-përfitimi i paligjshëm (diplomimi pa i kryer të gjitha provimet e parapara me programin e studimeve; nuk është gjetur, as nuk është ndëshkuar falsifikuesi i dokumentacionit të studentes që është paraqitur për diplomim”, thuhet në kallëzimin penal që Valbona Berisha ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku i ka mohuar pretendimet e profesoreshës së lëndës MNjNM lidhur me diplomimin e studentes A.R.. Në një përgjigje për Insajderin, Çeku ka thënë se profesoresha e lëndës hoqi dorë nga mbajtja e ushtrimeve dhe provimeve duke e lënë pas dore studenten.
Ai është shprehur se për këtë arsye, fakulteti ka angazhuar dy mësimdhënës të tjerë për t’i mbajtur ligjëratat dhe ushtrimet në lëndën e Valbona Berishës.
“Profesoresha në fjalë, pas këtij rasti hoqi dorë nga mbajtja e ushtrimeve dhe provimeve dhe për studentët e lënë pas dore nga ajo janë angazhuar dy mësimdhënës më të vjetër dhe më eminent në fushën e matematikës dhe metodologjisë së matematikës (prof. Eda Vula dhe prof. Xhevat Krasniqi)”, u shpreh Çeku për Insajderin.
“[Ata, v.j] i mbajtën gratis të gjitha orët e ushtrimeve dhe ligjëratave, vetëm për t’u mos u dëmtuar studentët, për këto çështje më tepër personale sesa profesionale të profesoreshës Valbona Berisha”.
Megjithatë, Çeku nuk tregoi se me çfarë baze studentja A.R. ka mbrojtur temën e diplomës, pa kryer provimin tek lënda e profesoreshës Berisha. Tha se për detaje të tjera “mund t’i drejtoheni sekretariatit të Fakultetit”.
E në një komunikim përmes e-mailit që prof. Valbona Berisha kishte pasur me prodekanen e Fakultetit, Majlinda Gjelajn –më 14 qershor – asaj i ishte konfirmuar se studentja A.R. ka ngecur me procedurat ligjore.
“Ju lutem vazhdoni me studentët e tjerë”, i kishte thënë prodekanja profesoreshës Berisha, duke i dhënë të drejtë asaj lidhur me pranimin në provim të studentes A.R..
Komunikimi ndërmjet profesoreshës Valbona Berisha dhe prodekanes së FE-së Majlinda Gjelajt /Foto: Insajderi
Insajderi ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga studentja A.R., mirëpo ajo nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
Kërcënimi nga Zyra e Dekanit: Po doli diçka në publik, do të ngriten procedurat kundër teje
Studentja A.R ishte ulur në një ulëse në korridoret e Fakultetit të Edukimit, pranë sallës ku pritej të mbronte temën e diplomës më 12 korrik të këtij viti, një vit pasi tentimi i parë i kishte dështuar më 13 korrik të 2017-s. Ajo ndodhej e para në listën e studentëve që do të mbronin temën tek profesoresha Myrfete Dreshaj-Baliu duke filluar nga ora 10:00.
Mirëpo, profesoresha Dreshaj-Baliu e kaloi radhën e saj. Fillimisht i thërriste në sallë gjashtë studentët e tjerë që në listë ndodheshin prapa studentes A.R.. Atë e la të fundit në radhë.
Studentja A.R. – në hapësirat e FE-së – pak minuta para se të mbronte temën e diplomës/ Foto: Insajderi
Po ashtu, në atë sallë ku mbrojti diplomën A.R. nuk u lejua prania e medieve. Insajderi qëndroi në Fakultetin e Edukimit atë ditë, por vetëm për disa minuta derisa profesoresha Dreshaj-Baliu kërkoi që të mos qëndronim as në korridoret e fakultetit.
Pikërisht në ditën e diplomimit të studentes A.R. dhe qëndrimit të Insajderit në Fakultetin e Edukimit, profesoresha Valbona Berisha mori kërcënime nga një telefonatë që u regjistrua nga zyra e dekanit Ethem Çeku.
“Po doli diçka në publik, do të ngriten procedura ndaj teje”, ishte mesazhi drejtuar asaj.
Insajderi ka siguruar biseda të realizuara përmes adresës elektronike ndërmjet profesoreshës Berisha dhe dekanit Çeku, në të cilat flitet për kërcënimin ndaj profesoreshës 49-vjeçare të martën e 12 korrikut.
“Dje, në orën 10.25 minuta, prej telefonit zyrtar të dekanit të FE-du, mora një telefonatë nga njëra prej anëtarëve të stafit mirëmbajtës të Fakultetit – Igballja – e cila në emër të dekanatit mu kërcënua, duke thënë: ‘po doli diçka në publik, do të ngrihen procedurat kundër teje’”, thuhej në një e-mail që Valbona Berisha i ka dërguar Ethem Çekut të mërkurën e 13 korrikut.
Në këtë e-mail, ajo i kërkonte dekanit që të mbante një qëndrim dhe, eventualisht, të merrte masa ndaj autorëve të këtij kërcënimi.
Çeku i shprehu asaj keqardhje për telefonatën që ishte regjistruar nga zyra e tij dhe tha se mund t’ia dëshmonte se ai nuk ishte porositës i kërcënimit.
“Me vjen keq për telefonatën, por ju garantoj dhe mund t’ua dëshmoj se asnjë telefonatë nuk është kërkuar nga dekanati drejtuar prof. Valbona Berisha”, shkruante Çeku në e-mail drejtuar Berishës, teksa mohonte faktin që mediat nuk ishin lejuar në procesin e mbrojtjes së diplomave në fakultet.
Megjithatë, dekani i fakultetit nuk mori masa për telefonatën kërcënuese që profesoresha Berisha pranoi nga telefoni i stafit të tij.
Implikimi i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të Luftës
Shtatë ditë pasi A.R. mbrojti temën e diplomës më 12 korrik të këtij viti në Fakultetin e Edukimit, profesoresha Valbona Berisha pranoi një e-mail nga Rrustem Qehaja, këshilltar i rektorit Marjan Dema, në të cilin kishte bashkangjitur një reagim të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të Luftës.
Kërkesa e shoqatës në fjalë ishte drejtuar “në emër të studentes A.R.” – e cila vjen nga një familje e dëshmorit të luftës – për Universitetin e Prishtinës.
Në një komunikim mes Qehajes dhe Berishës përmes e-mailit, këshilltari i rektorit Dema i kërkonte profesoreshës Berisha që të depononte një deklaratë me shkrim lidhur me situatën e studentes A.R..
“Po ju shkruaj me kërkesë të rektorit Dema në mënyrë që pasi të lexoni shkresën e bashkangjitur në attach. Prof.Ass.Dr. Valbona te deponoj një deklaratë me shkrim në rektorat për rastin në fjalë”, i shkruante Qehaja, Berishës.
Profesoresha u habit nga kërkesa e rektoratit, pasi ajo i kishte shkruar më parë Rektoratit të UP-së lidhur me shkeljet e bëra në rastin e studentes A.R. nga menaxhmenti i Fakultetit të Edukimit. Mirëpo, asnjëherë nuk kishte marrë përgjigje.
“Së pari, më habit fakti se më shkruani në emër të rektorit. Së dyti, më habit fakti se kërkoni deponim të një deklarate për diçka që tanimë kam deponuar dhjetëra sosh. (Lënda e kompletuar mbi rastin e studentes në fjalë qëndron e deponuar në rektorat, me të gjitha deshmite e nevojshme, prej më shumë se gjashtë muajsh)”, i shkroi Berisha, këshilltarit të rektorit Dema.
Ajo po ashtu i kërkoi rektoratit që “domosdo të hapen hetimet” për kërcënimin që kishte pranuar nga ana e menaxhmentit të Fakultetit të Edukimit. /Insajderi.com