Banka Ekonomike ishte paditur për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Por, asnjë gjyqtar nuk e kishte trajtuar këtë lëndë. Sistemi gjyqësor vendosi që kjo lëndë të parashkruhet. Insajderi sjell historinë e padisë së shtetit të Kosovës kundër kësaj banke.
Banka e vetme në Kosovë, që është në pronësi të një politikani të fuqishëm, ishte paditur nga një agjenci shtetërore e Kosovës, por gjykata nuk e kishte trajtuar fare lëndën. E kishte lënë që të parashkruhej.
Banka Ekonomike, në të cilën shumicën e aksioneve i ka kryediplomati Behgjet Pacolli, i cili njëherësh mban postin e zëvendëskryeministrit të vendit, ka pasur telashe me keqpërdorimin e të dhënave personale.
Dyshimet e qytetarëve për keqpërdorim të të dhënave personale i kishte hetuar Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDhP).
Inspektimi nga kjo agjenci ishte bërë para dy vjetësh. Rezultati i inspektimit ishte ky: Banka Ekonomike kishte keqpërdorur të dhënat personale të klientëve të saj.
“Sipas këtyre ankesave, Këshilli i Agjencisë ka ndërmarrë inspektim. Sipas ankesës kundër Bankës Ekonomike dhe sipas të gjeturave nga inspektimi, Agjencia ka ngritur padi pranë Gjykatës Themelore ndaj kësaj banke. Agjencia, deri më sot, nuk ka pranuar njoftim nga gjykata lidhur me këtë rast”, ishte përgjigja AShMDhP për Insajderin.
Kjo agjenci kreu inspektimin dhe u detyrua që për shkak të gjetjeve edhe ta padiste Bankën Ekonomike. Por, nuk pati sukses. Fitues doli Banka Ekonomike, në pronësi të politikanit Pacolli.
Gjyqësori kosovar, që kritikohet vazhdimisht nga raportet ndërkombëtare për mungese pavarësie të domosdoshme nga politika, bëri që lënda ndaj Bankës Ekonomike të vjetërsohet.
“Amnistia” e gjykatës për Bankën Ekonomike
Padia kundër Bankës Ekonomike ishte bërë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Shkeljet ishin klasifikuar si kundërvajtëse. Padia ishte deponuar në gjykatë më 27 shkurt të vitit 2015. Banka Ekonomike u padit për shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Insjaderi kërkoi informata nga Gjykata Themelore e Prishtinës se çka kishte ndodhur me këtë rast. Zyrtarët e kësaj gjykate deklaruar fillimisht se nuk ishin në dijeni se çfarë kishte ndodhur me këtë lëndë.
Pas interesimi të Insajderit, AShMDhP mori një njoftim se çfarë ka ndodhur me këtë rast.
“Agjencia është informuar së voni nga Gjykata Themelore në Prishtinë se është pezulluar procedura kundërvajtëse pasi që ishte shkaktuar parashkrimi absolut për zhvillimin e mëtejmë të procedurës së kundërvajtjes. Arsyetimi për parashkrim ka qenë kalimi i më tepër se dy viteve nga kërkesa për procedurë kundërvajtëse”, thuhet në përgjigjet shtesë të Agjencisë në fjalë për Insajderin.
Megjithëse kjo bankë është e lidhur përmes aksionarëve me politikanë në pushtet, në Gjykatën Themelore në Prishtinë e përmendin një arsye tjetër pse e lanë lëndën e Bankës Ekonomike që të vjetërsohet aq sa të hidhet poshtë pa nisur fare gjykimi.
“Lënda ka arritur kohën e parashkrimit absolut, vetëm për arsye se lënda nuk ka arritur të procedohet për shkak të mbingarkesës me lëndë në Departamentin për Kundërvajtje të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Në pyetjen se a pati ndikim nga politika për këtë lëndë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë këtë përgjigje.
“Faktori i vetëm që ka ndikuar është numri shumë i madh i lëndëve dhe ngarkesa me punë e gjyqtarëve, pasi që gjyqtarët janë të ngarkuar me një numër të madh të lëndëve”, thuhet në përgjigje e Gjykatës.
SMS-të, kamerat në ATM dhe ankesa tjera për shkelje të të dhënave personale
Insajderi ka zbuluar edhe cilat ishin ankesat më të shpeshta të qytetarëve ndaj kësaj banke.
Në vitin 2016 Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kishte marrë ankesa kundër Bankës Ekonomike. Qytetarët ishin ankuar – depononin raste kundër kësaj banke se ajo po bënte marketingun e drejtpërdrejtë, siç ishte dërgimi i SMS-ve qytetarëve që nuk kanë qenë klientë të kësaj banke.
Kjo nuk ishte e vetmja ankesë kundër Bankës Ekonomike. Kosovarët u ankuan kundër bankës së Pacollit edhe për një aspekt fortë të ndjeshëm.
Sipas Agjencisë, ankesa kishte edhe “për të drejtën e bankave komerciale që të ofrojnë informacione personale dhe të bëjnë transaksione për llogaritë personale bankare të ndonjë personi apo institucioni tjetër në Kosovë apo jashtë saj”.
Por, Agjencia nuk ka sqaruar në detaje se cilave entitete u kishte ofruar të dhëna personale “Banka Ekonomike”.
Qytetarët ishin ankuar kundër “Bankës Ekonomike” edhe për kamerat e instaluara në ATM-të e kësaj banke.
Po ashtu, ishin ankuar edhe për përpunimin e të dhënave personale pa pëlqimin e subjektit të të dhënave.
Deri tash Banka Ekonomike nuk ka komentuar për Insajderin lidhur me faktin që Gjykata lejoi që të përshkruhet lënda e tyre, para se të niste procesi i gjykimit.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kësaj banke, ku figurojnë edhe aksionarët e saj, Banka Ekonomike është licencuar në Kosovë në vitin 2001, ndërsa punën e ka filluar në fillim të qershorit të po atij viti./Insajderi.com