Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme që implikojnë të akuzuarit në manipulimin me lista të veteranëve. Në këto biseda përmendet edhe Xhavit Haliti si njeri me të cilin takohen ata për këtë çështje. Aty përmenden takime konkrete me Halitin.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti është implikuar në shitjen e statusit të veteranit të UÇK-së. Implikimi i tij zbulohet në bisedat telefonike në mes të akuzuarve Bajram Sinani dhe Vesel Aruqaj.
Prokuroria pretendon se Sinani ka qenë i angazhuar në aktivitete mashtruese lidhur me statusin e Veteranëve të Luftës.
Më 24 prill 2016, në ora 12:36:51, Bajram Sinanu i telefonon një personi të panjohur mashkull (PPM) i cili i thotë se “nëse është e mundshme të kthehet në invalid i luftës”. Sinani zotohet se do të flasë me Xhavit Halitin.
“Më 11 tetor 2016 në ora 14:19:47 Vesel Aruqaj flet me Bajram Sinanin, i cili është duke përdorur numrin 044 069 968. Vesel Aruqaj i thotë atij: Dëgjo njeri, unë fola me Xhavitin, Xhavit Halitin, unë e aranzhova të takohem me të ditën e hënë dhe shok imi nga Shtimja”, shkruan në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.
Përgjimet tjera impklikojnë Sheremet Jasharin. Ai lë takim me një klientë të tij për status veterani te Hotel Baci. Biseda është zhvilluar më 24 dhjetor 2015 në ora 10:54:25.
Të dy kanë zhvilluar bisedë po atë ditë pas katër orësh. Ata bien dakord për paratë dhe datat e parashkrimit të aplikacioneve për veteran të luftës.
“Më 24.12.2015 në ora 15:07:28 Sheremet Jashari bisedon me Vesel Aruqajn. Aruqaj i thotë: ‘Unë i solla dy vëllezërit Skendën dhe Naserin te Hotel Baci. Unë jam në Qeveri, por priti ata që t’i sjellin ato, e di ti [dokumentacionin për veteranë]”. Sheremet Jashari përgjigjet: ‘Hej merri vet sepse ata nuk do t’ia japin ato askujt, e di ti dhe thuaju atyre që më 20 janar ata do të intervistohen. Thuaju atyre që dokumentet e juaja janë dorëzuar. Thuaju atyre që duhet të jepen disa afate”, shkruan në aktakuzë.
Më 21.01.2016 në ora 11:10:19 Sheremet Jashari bisedon me Vesel Aruqajn. Jashari i tregon Aruqajt për personat që ai i gjeti për t’ua rregulluar dokumentcionin dhe nënshkrimet për statusin e veteranit dhe paratë që duhet paguar.
Më 22.01.2016 në ora 14:06:18 Sheremet Jashari bisedon me një person të paidentifikuar rreth rregullimit të statusit të Veteranit të Luftës.
“Më 22.01.2016 në ora 16:11:23 Vesel Aruqaj i thotë Sheremet Jasharit ‘si e ka emrin ai personi? Përgjigja është ‘ai quhet Bedri’. Atëherë Vesel Aruqaj thotë ‘si erdhi këtu dhe tha se do të ta jap këtë shumë dhe unë i thash tij jo, për atë shumë nuk mund ta kryej punën”, saktësohet një bisedë tjetër.
I akuzuari për shitje të statusit të veteranit, Vesel Aruqaj një kohë të gjatë është cilësuar hero i gjallë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë epitet e kishte fituar si njëri prej luftëtarëve të Betejës së Kosharës. Në atë betejë, ai kishte vrarë një mercenar rus që luftonte në krah të forcave serbe.
Aruqaj, më vonë ishte bërë protagonist i një sulmi mbi objektin e Qeverisë së Kosovës me armë dhe koktej molotovi, në shenjë proteste për moszgjidhjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.
Vite më vonë, statusin e veteranit ai akuzohet se e ka keqpërdorur duke u bërë pjesë e një skeme kriminale e cila në këmbim të parave të majme ka ndikuar në dhënien e certifikatave të rrejshme.
Pika e katërt e aktakuzës saktëson veprimet kriminale që lidhen me statusin e veteranit të luftës. Me të ngarkohen Sheremet Jashari nga Klina e Epërme e Skenderajt dhe Vesel Aruqaj nga Polaci.
Ata akuzohen se së paku prej dhjetorit të 2015, duke vepruar sipas një plani të përbashkët kriminal, në tërë Kosovën, kanë dorëzuar formularë aplikimi në lidhje kontributin e qytetarëve kosovarë në Luftën për Çlirimin e Kosovës, që sipas prokurorisë nuk korrespodojnë me realitetin.
“Aplikacionet janë dorëzuar në Zyrën për çështjet e kategorive të dala nga lufta, në mënyrë që kandidatëve t’u pranohet kategoria e Veteranit Luftëtar i UÇK-së, përkundër faktit që këta kandidatë nuk i përmbushin kriteret ligjore”, shkruan në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.
Duke kryer këto veprime, sipas Prokurorisë ata kanë vënë në lajthitje autoritetet të cilat ua kanë pranuar statusin e Veteranit Luftëtar i UÇK-së.
Sheremet Jashari dhe Vesel Aruqaj akuzohen po ashtu edhe për ushtrim ndikimi. Pretendohet se të dy, së paku nga dhjetori i 2015, duke vepruar sipas një plani të përbashkët në tërë Kosovën kanë kërkuar para nga individët që kanë kërkuar të regjistrohen si Veteran Luftëtar i UÇK-së, përkundër faktit se nuk i përmbushin kriteret ligjore.
Të akuzuarit u kanë premtuar aplikuesve se do të ushtrojnë ndikimin e nevojshëm tek anëtarët e Zyrës për çështje të kategorive të dala nga Lufta në mënyrë që t’u aprovohen kërkesat për status të veteranit.
“Ata e kanë bërë këtë duke paraqitur tek autoritet informata në lidhje me kandidatët që ata e dinin të jenë të rrejshëm në mënyrë që kandidatët të sigurojnë përfitimi nga fondet publike”, thuhet në aktakuzë.
Bajram Hasani, nga fshati Tërnafc i Skenderajt akuzohet se në janar të vitit të 2013 ka aplikuar për njohjen e statusit të Veteranit i Luftës i UÇK-së përmes një parashtrese në Zyrën për çështje të kategorive të dala nga Lufta.
“Ai veproi me qëllim që të sigurojë përftim të kundërligjshëm material duke i mashtruar autoritet për shkak se informatat që i ofroi në formularin e aplikimit të tij, domethënë që ai ishte në linjë të frontit gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës kohore 1998 deri në 1999 dolën të jenë të rrejshme dhe nënshkrimet e dëshmitarëve të renditura në formularin e tij të aplikimit kanë qenë të falsifikuara”, shkruan në aktakuzë.
Me këtë veprim, ai ka arritur që ta fitojë statusin e veteranit duke përfituar nga 170 euro në muaj. Këtë shumë e ka marrë nga dhjetori i vitit 2015. /Insajderi.com
(Tekstit i kanë kontribuuar Liridona Hyseni dhe Drenusha Canolli)