Sekretari i UP-së bëhet kritik filmi – zgjedh “regjisorin më të vlerësuar në trojet shqiptare”

Gazeta Insajderi ka siguruar dy letra të cilat Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, ia kishte dërguar Inspektoratit të Arsimit, rreth një konkursi në Fakultetin e Arteve, ndaj të cilin ishte ankuar njëri prej kandidatëve. Në ato letra, Sekretari i UP-së, duke u munduar t’i arsyetojë vendimet e Senatit, kalon në një domen tjetër – vlerëson anën profesionale të kandidatit për të cilin UP-ja kishte marrë vendim pozitiv.

Sekretari i UP-së bëhet kritik filmi – zgjedh “regjisorin më të vlerësuar në trojet shqiptare”

Konkursi i 30 tetorit 2016 për Fakultetin e Arteve nuk kishte shkuar edhe aq mirë. U doli telashe me pozitën për mësimdhënës për lëndën Teoria e filmit niveli baçelor dhe mastër. Aplikuan nëntë kandidatë. Ndër ta ishin edhe Bekim Sele dhe Luan Kryeziu.

Senati kishte vendosur ta përzgjidhte Luan Kryeziun për këtë pozitë.

Kandidati tjetër, Bekim Sele, kishte vendosur të ankohej në instancat e Universitetit, por edhe te Inspektorati i Arsimit të Lartë. Kjo e fundit kishte inspektuar rastin dhe kishte gjetur shumë shkelje.

Kishte kërkuar që rasti të kthehet sërish në rishqyrtim nga Komisioni Vlerësues i Fakultetit të Arteve.

Në këtë rast i kishte dalë shumë punë edhe Sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi. Në dy letrat që ia kishte dërguar Inspektoratit të Arsimit, të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, ishte munduar ta arsyetonte vendimin e Senatit.

Por gjatë arsyetimit, kishte dalë jashtë kompetencave të tij. Ai me profesion është jurist. Në fakt, nuk kishte hezituar që ta vlerësonte lart kandidatin Luan Kryeziu.

“Në mbledhjen e datës 31.1.2017, Senati unanimisht vendosi që të aprovojë recensionin pozitiv dhe propozimin e Këshillit të Fakultetit për zgjedhjen e Luan Kryeziut (regjisori më i vlerësuar në të gjitha trojet shqiptare, disa herë i nominuar dhe shpërblyer me çmime ndërkombëtare në kategorinë (A) për film të metrazhit të gjatë)”, thuhet ndër tjera në letrën e sekretarit të UP-së të datës 2 mars 2017.

Por jo vetëm kaq, ai nxjerr vlerësime edhe për anëtarët e Komisionit Vlerësues. Thotë se janë ndër profesorët më profesionalë.

“Komisioni vlerësues në përbërje prej profesorëve më profesional: Prof. Asoc. Jeton Ahmetaj, Prof. i rregullt Emin Halili dhe Prof. i rregullt Sylejman Kllokoqi, kanë vlerësuar kriteret bazë për vepra artistike (film artistik i metrazhit të gjatë)…”, thuhet në po të njëjtën letër.

Të njëjtat vlerësime sekretari i UP-së i kishte dhënë edhe në letrën tjetër drejtuar Inspektoratit të Arsimit të datës 14 shkurt 2017.

Ndonëse Inspektorati i Arsimit kishte gjetur shumë shkelje gjatë këtij konkursi, kjo nuk e ka penguar sekretarin Kelmendi, i cili përmes këtyre letrave, ka kërkuar që rasti të mos kthehen në rishqyrtim me arsyetimin se pengohet procesi mësimor.

“Është e pakuptimtë kërkesa për kthim në rishqyrtim të Komisionit vlerësues të Fakultetit të Arteve, vlerësimet për të gjithë kandidatët aplikues në konkursin e UP-së, dt. 3.15.2016 për angazhim me honorar për pozitën “Dy mësimdhënës për lëndën: teori e filmit (bachelor), teori e filmit (bachelor), Teori e filmit (master) dhe teori e filmit në program”, thuhet në letër.

“Kthimi në rishqyrtim do ta çrregullonte tërë sistemin mësimor në këto lëndë dhe studentët do të jenë ata që do të pësojnë pasi dihet që semestri i dytë ka filluar nga data 16.2.2017”, vazhdon tutje kërkesa e sekretarit të UP-së drejtuar Inspektoratit të Arsimit.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga sekretari Kelmendi për vlerësimet e tilla, por nuk ka kthyer përgjigje.

Për më tepër, Inspektorati i Arsimit (IA) në raportin e 30 janarit 2017, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, kishte evidentuar se kandidatit Bekim Sele i ishte ndryshuar nota mesatare nga 9.4 në 7.28. Sekretari Kelmendi këtë e kishte cilësuar si ‘gabim teknik’.

Po ashtu, Inspektorati kishte gjetur shkelje edhe nga Komisioni Vlerësues, i cili nuk kishte hartuar raporte për secilin kandidat, duke shkelë kështu statutin e UP-së.

Një ndër arsyet e Senatit për refuzimin e kandidatit Bekim Sele ishte edhe mungesa e recensionit pozitiv, që në fakt për Selen nuk ishte përpiluar fare recension, edhe pse kërkohet me Statut të UP-së.

Madje raporti i Inspektoratit të Arsimit konstaton se Komisioni vlerësues në këtë proces i është referuar një Rregulloreje të vitit 2004, e cila nuk do të duhej të merrej për bazë për shkak të mos harmonizimit të saj me Statutin e ri të UP-së.

Në fakt, të gjitha rregulloret e UP-së do të duhej të harmonizoheshin me Statutin e ri të Universitetit më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi. Statuti i UP-së ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2012.

Mbi bazën e pretendimeve që kishte nxjerrë Inspektorati i Arsimit në dy vendimet e veta, ka iniciuar kallëzim penal ndaj Universitetit dhe vetë rektorit, Marjan Dema, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Raporti i Inspektoratit të Punës nxjerr shkeljet në konkursin e Fakultetit të Arteve

Pas Inspektoratit të Arsimit, edhe Inspektorati i Punës ka nxjerrë shkelje në konkursin e Fakultetit të Arteve.

Në raportin e 3 marsit 2017, ky Inspektorat ka gjetur se Komisioni vlerësues nuk i ka kryer obligimet e veta konform Statutit të UP-së për vlerësimin e kandidatëve, dhe rrjedhimisht ka përzgjedhë kandidatin që nuk i plotësonte kushtet.

Ndonëse Komisioni vlerësues është i obliguar ta bëjë vlerësimin për secilin kandidat, Inspektorati i Punës, në raportin të cilin e ka siguruan Insajderi, thotë se nuk është kryer kjo detyrë.

“Komisioni në fjalë nuk ka kryer obligimet e marra me vendimin në fjalë, sepse nuk ka bërë vlerësimin e të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në konkurs, në atë mënyrë që të ofrohet trajtim i barabartë i të gjithë kandidatëve, komisioni nuk ka vlerësuar dosjet e kandidatëve”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Komisioni vlerësues përbëhej nga Jeton Ahmetaj, kryetar; Sylejman Kllokoqi, anëtar; dhe Emin Halili, anëtar.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim prej anëtarëve të Komisionit vlerësues se pse nuk kanë përpiluar raport për të gjithë kandidatët e konkursit. I vetmi që ka kthyer përgjigje ka qenë kryetari i Komisionit, Jeton Ahmetaj.

“Komisioni ka dhënë vlerësimin automatikisht, kur ka thënë se i vetmi kandidat i cili e plotëson kriterin e parë nga rregullorja ku decidivisht thuhet ‘Kandidati duhet të ketë së paku një film artistik të punuar me teknologji profesionale’ që në kohën kur është shkruar ky nen ka nënkuptuar shiritin filmik 35 mm si dhe laboratorin filmik. Këtë kriter e ka plotësuar vetëm njëri nga kandidatët!”, ka thënë Ahmetaj për Insajderin.

Pavarësisht kësaj, bazuar në Udhëzuesin për procedurat e zgjedhjes, rizgjedhjes, dhe avancimit të personelit akademik, pika 18 e tij, ku flet për Komisionet vlerësuese, thotë se Komisioni e ka për obligim të hartojë raport për secilin kandidat.

“Komision vlerësues është i obliguar që të shkruajë raport edhe për kandidatët që nuk rekomandon apo i plotësojnë kriteret, me një arsyetim përcjellës për secilin kandidat”, thuhet në Udhëzues.

Inspektorati: Përzgjedhja e kandidatit u bë mbi dokumente që nuk ekzistojnë

Komisioni vlerësues kishte vendosur të shkruajë raport pozitiv për kandidatin Luan Kryeziu, kurse t’i refuzojë kandidatët tjerë.

Në raport thuhet se kandidati Luan Kryeziu nuk ka prezantuar dokumentacionin në formën elektronike siç ishte kërkuar në konkurs.

“Gjatë inspektimit në Rektorat dhe në Fakultetin e Arteve nuk janë prezantuar dëshmi se kandidati i përzgjedhur Luan Kryeziu ka dorëzuar dokumentacionin përkatës të skanuar në adresën elektronike i vendosur si kriter në konkurs”, thuhet në raportin e Inspektoratit të cilin e ka siguruar Insajderi.

Në bazë të kësaj, Inspektorati thotë se nuk është dashur fare të merret në shqyrtim dosja e kandidatit Luan Kryeziu.

“Sipas këtij kriteri janë krijuar rrethana që dosja e kandidatit të përzgjedhur Luan Kryeziu nuk është dashur të merret në shqyrtim, përkundrazi, komisioni vlerësues në kundërshtim të këtij kriteri të konkursit ka shqyrtuar dosjen e kandidatit në fjalë dhe për të njëjtin ka dhënë vlerësim pozitiv”, thuhet në të gjeturat e raportit të Inspektoratit të Punës.

Madje, Inspektorati thotë se, përveç këtyre shkeljeve, përzgjedhja e kandidatit Luan Kryeziu është bërë në kundërshtim edhe me kriteret tjera të konkursit.

“Përzgjedhja e kandidatit Luan Kryeziu është bërë në kundërshtim me kriteret tjera të konkursit të parapara në kreun IV të këtij konkursi, sepse kandidati nuk ka prezantuar dëshmitë për publikimet shkencore e profesionale si dhe nuk ka prezantuar dëshmi për përvojën paraprake për angazhimet në UP ose në ndonjë institucion tjetër të akredituar të Arsimit të Lartë”, thuhet më tej në raport.

Luan Kryeziu: Ia kam dëshmuar Inspektoratit se nuk ka shkelje

Kandidati të cilin e kishte përzgjedhë Komisioni vlerësues, Luan Kryeziu, ka thënë për Gazetën Insajderi se ia ka dëshmuar Inspektoratit të Punës se pretendimet e tyre nuk qëndrojnë.

“Inspektorati i Ministrisë së Punës ka pretenduar që ka disa shkelje në konkurs, të cilat ua kemi argumentuar se janë pretendime të gabuara dhe janë vënë në lajthitje nga dikush”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, çdo kush ka të drejtën të parashtrojë ankesa dhe parashtresa. Ai ka thënë se një gjë të tillë e kishte bërë edhe ai për shkak të padrejtësive që i janë bërë gjatë këtij konkursi.

“Pas ankesës legjitime kam fituar të drejtën për t’u angazhuar në Fakultetin Arteve. Por, gënjeshtrat, manipulimet e presionet politike janë të gabuara dhe shumë të dëmshme, si në procesin e zhvillimit kulturor, ashtu edhe në procesin e zhvillimit të mirëqenë të studenteve”, ka shtuar ai për Insajderin.

Kandidati Kryeziu ka thënë se nuk qëndron pretendimi i Inspektoratit të Punës se ai nuk e kishte dorëzuar diplomën e noterizuar, siç kërkohej në konkurs.

“Unë ua kam dokumentuar që pretendimi se nuk kam dorëzuar diplomë të noterizuar është i pavërtetë i cili buron nga shpifjet dhe mungesa e ushtrimit të detyrës së personave të cilët paguhen për ta kryer punën e tyre si duhet”, ka thënë Kryeziu.

“Diploma ime e dorëzuar është e noterizuar dhe ka numrin, datën emrin e noterit, të cilat kushdo mund t’i verifikojë. Ndërsa mosdija e individëve që diploma e noterizuar e ka vulën e noterit prapa faqes, nuk është faji ynë”, ka shtuar ai.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, rreth kësaj çështjeje, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Pavarësisht se këtë konkurs e kontestonin Inspektorati i Punës dhe ai i Arsimit, ku ky i fundit kishte ngritur edhe kallëzim penal për UP-në dhe rektorin, kandidati Luan Kryeziu vazhdonte të ligjëronte në Fakultetin e Arteve.

Për më tepër, për të gjitha këto probleme kandidati Bekim Sele, përveç tjerash, i kishte shkruar edhe tashmë ish-ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami dhe Agjencisë Kundër Korrupsion.

Gazeta ka kërkuar sqarim nga të dyja këto institucione, por nuk ka marrë përgjigje./Insajderi.com