Vala – Rreziku 44 milionësh nga padia e Z-Mobile

Insajderi ka siguruar padinë e kompanisë Z-Mobile kundër ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, e cila është dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kompania e Blerim Devollit pretendon se u dëmtua qëllimisht nga ndërmarrja publike dhe kërkon mbi 44 milionë euro dëmshpërblim. Po ashtu, Z-Mobile pretendon se drejtuesit e saj janë fyer dhe janë kërcënuar nga Rexhë Gjonbalaj, kryetar bordi në këtë ndërmarrje publike dhe Ejup Qerimi, ish-kryeshef i saj. Insajderi sjell javën e ardhshme detajet e padisë dhe kontestin e dy prej kompanive më të mëdha në vend.

Vala – Rreziku 44 milionësh nga padia e Z-Mobile

Shtatë vite “bashkëjetesë” mes dy kompanive të telekomit, Vala e  Z-Mobile, pësuan një thyerje të madhe më 25 janar të këtij viti.

[facebook id=”2022874167938403″ align=”center” mode=”normal” autoplay=”yes” maxwidth=”680″]

Kompania Dardafone.net, e cila operon me emrin tregtar Z-Mobile, më 25 janar të këtij viti dorëzoi padi kundër “Telekomit të Kosovës”, në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Një seancë gjyqësore është mbajtur në muajin prill, në Vjenë të Austrisë.

Biznesmeni Devolli pretendon se partneri i madh, “Telekomi i Kosovës”, e ka dëmtuar qëllimisht biznesin e tij.

Insajderi ka siguruar padinë e kompanisë Dardafone.net, e cila është dorëzuar para gjashtë muajsh në Arbitrazh.

Kjo kompani kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë eurosh, plus interesin për dëmet e pretenduara që i janë shkaktuar gjatë periudhës 2011-2014.

Bazuar në këtë padi, ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës”, ka shkelur marrëveshjen e lidhur mes palëve më 16 janar të vitit 2009.

Kjo marrëveshje i ka mundësuar kompanisë “Z-Mobile”, që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Në padinë e  dorëzuar nga avokatët e kompanisë gjermane “Schonherr”, thuhet se Posta e Telekomi i Kosovës obligohej që të siguronte shërbime për Z-Mobile, duke përfshirë cilësinë e zërit e mesazheve, ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G si dhe të ndajë Sim Kartela dhe numra mobil.

Asnjëra prej këtyre obligimeve nuk ishte përmbushur, sipas padisë së Z-Mobile.

“I padituri (Telekomi i Kosovës) refuzoi të sigurojë për paditësin (Z-Mobile) Sim Kartela, numra mobil, e la paditësin jashtë shërbimit 3G dhe 4G, dhe drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-Mobile”, thuhet në padinë e siguruar nga Insajderi.

Z-Mobile kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë e 408 mijë eurosh  

Kompania e Blerim Devollit pretendon se gjatë periudhës tri vjeçare, nga viti 2011 deri më2014 është dëmtuar në vlerë prej 2 milionë e 670 mijë eurosh, vetëm nga refuzimi i PTK-së për të ndarë Sim Kartela për “Z-Mobile”.

Ndërkaq për 2 milionë  e 135 mijë euro tjera është dëmtuar vetëm nga refuzimi i PTK-së për ta pajisur kompaninë Z-Mobile me numra të rinj.

“Për refuzimin e numrave të rinj, marrëveshja ,neni 2.4.1, parasheh dëmin ditor pre 5 mijë eurove në rast të vonesës së ndarjes së numrave të rinj për Z-Mobile.  Prej vendimit të ART-së, të datës 28 nëntor 2014, që lejonte numra të rinj për Z-Mobile, e që Vala nuk ia ka dhënë, dëmi llogaritet 2 milionë e 135 mijë euro”, thuhet në padi.

Kurse për shkak të mosdhënies së shërbimeve 3G dhe 4G, Z-Mobile pretendon se është dëmtuar në vlerë prej 2 milionë e 45 mijë eurosh.

Kompania e Blerim Devollit kërkon që “Telekomi i Kosovës”, të paguajë për dëmet e likuiduara që në total kapin shifrën e 6 milionë e 850 mijë euro.

Përfshirë këto dëme në vlerë prej mbi 14 milionë eurosh si  dhe dëmet biznesore, kompania “Z-Mobile” llogarit se dëmi total kap vlerën e 44 milionë e 408 mijë eurove.

“Të obligohet Vala që ti’a paguaj Z-Mobile për këtë një shumë prej 44 milionë 408 mijë eurove, plus interesin”, thuhet në padi.

Po ashtu, “Z-Mobile”,  kërkon që t’i ndahet sasia e kërkuar e Sim Kartelave ( 50 mijë) si dhe më pas t’i ndahen të tjera,  bazuar në nevojat që dalin në të ardhmen.

Kërkon, po ashtu, që t’i ndahen 100 mijë numrat e ri të kërkuar, duke përfshirë edhe numra shtesë bazuar në nevojat që dalin në të ardhmen.

Kërkon që të obligohet “Telekomi i Kosovës”, që të jap shërbimin 3G dhe 4G për Z-Mobile si dhe të plotësojë kërkesa të reja, që mund të dalin në të ardhmen.  Po ashtu Z-Mobile kërkon nga VALA që të paguaj edhe koston e shpenzimeve në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtarë.

Z- MOBILE

Mustafa:  Pretendimet e “Z-Mobile”, janë të pabaza

Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në maj të këtij viti, pati deklaruar për Radio Televizionin e Kosovës, pretendimet e Z-Mobile janë të pabaza dhe të padrejta.

“Problemi daton që nga 2010. Jemi të paditur në arbitrazh nga kompania Dardafone apo Z- Mobile për 4 gjëra. Është një arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa seancat e arbitrazhit mbahen në Vjenë. Drejtuesit e Z-Mobile mendojnë se PTK nuk i ka përmbushur disa pika të marrëveshjes, ndërsa ne i konsiderojmë të padrejta dhe të pabaza”, pati deklaruar Mustafa. Pati shtuar se ndërmarrja publike pret që të ketë sukses në Arbitrazh, duke arritur që të ofrojë argumente që hedhin poshtë pretendimet e kësaj kompanie private.

“Kemi një ekip të brendshëm ligjor, por kemi angazhuar edhe ekipe ndërkombëtare dhe presim të kemi sukses”, pati pohuar Mustafa. Megjithatë, ishte ankuar se përkundër mobilizimit të Vala-s për tu mbrojtur, dy ish-përgjegjës të saj nuk kanë pranuar ta mbrojnë ndërmarrjen publike. Nuk i kishte përmendur me emra. Por kishte pohuar se bëhej fjalë për dy ish-paraardhësit e tij, të cilët drejtuan ndërmarrjen publike gjatë viteve 2009- 2011 dhe nga viti 2012 deri në 2014.

Përgjatë këtyre periudhave kohore, ndërmarrjen publike e kishin drejtuar Shyqyri Haxha dhe Ejup Qerimi.

“Ftoj nënshkruesin e kontratës me “Z mobile” dhe drejtorin tjetër që ka menaxhuar pas tij që të vijnë dhe të jenë dëshmitarë për Telekomin e Kosovës në Arbitrazh. Ne edhe më herët i kemi ftuar ata duke i’u dërguar ftesën, por nuk kanë dhënë asnjë sinjal”,  pati pohuar Mustafa. Ndaj këtij deklarimi të tij, nuk ka pasur ndonjë reagim publik të ish-drejtorëve Ejup Qerimi e Shyqyri Haxha.

 

Javën e ardhshme në Insajderi:

Gazeta Online Insajderi sjell javën e ardhshme detajet e padisë së Z-Mobile, të dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtarë.

Mund të lexoni se pse Z-Mobile pretendon se Rexhë Gjonbalaj ka kërcënuar  dhe fyer pronarin e kompanisë, Blerim Devollin?

Pse, sipas kësaj kompanie, me kërcënime e fyerje nga Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës,  dhe Ejup Qerimi, ish-kryeshef i PTK-së, u përballë edhe Milot Gjikolli, drejtor ekzekutiv i Z-Mobile?

Cili është arsyetimi i Rexhë Gjonbalajt?

Cilat janë arsyetimit e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës për mos ofrimin e shërbimeve 3G dhe 4G për kompaninë Z-Mobile?

Pse Z-Mobile pretendon se biznesi i tij u dëmtua nga një numër që më herët përdorej nga një prostitutë?

Çfarë kontesti kanë Z-Mobile e Vala lidhur me një tender të Korporatës Energjetike të Kosovës?