Një punim nga artisti kosovar, Dardan Zhegrova, në bashkëpunim me Pablo Marianon, do të jetë i ekspozuar në ekspozitën e arteBA në Buenos Aires të Argjentinës.
Panairi i 26-të me radhë i cili do të mbahet nga 24 deri më 27 maj në qendrën e kongreseve “La Rural” në Buenos Aires, është panairi më i rëndësishëm i artit në atë regjion.
Punimi i Zhegrovës, me titull “Alone in white, floating and trying to reach you” (“Vetëm në të bardha, duke pluskuar dhe munduar të të arrij ty”), i cili do të jetë i ekspozuar në panair, është zgjedhur të publikohet nga mediumi argjentinas, Infobae, si njëri nga dhjetë më të mirat.
Ky punim vjen nga galeria ndërkombëtare e arteve për arte bashkëkohore me lokacion në Prishtinë, “LambdaLambdaLambda”, ku në faqen e tyre janë të publikuara edhe shumë punime tjera të suksesshme të Zhegrovës.
Teknika e punimit është “Extract from Zine”, i punuar në vitin 2017 në Prishtinë dhe me përmasa 21 x 15 cm.
ArteBA është një organizatë joqeveritare nga Argjentina e cila ndihmon në zhvillimin dhe forcimin e tregut të artit, duke motivuar dhe promovuar prodhimin e artit bashkëkohor. /Insajderi.com