Para 21 vjetësh Serbia u detyrua të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës. Ajo erdhi pas një fushate të gjatë bombardimesh nga NATO. Serbia s’kishte opsion tjetër, duhej të largonte forcat nga Kosova. Millosheviq u dorëzua.
Me nëntë qershor, para 21 vjetësh iu dha fund luftës në Kosovë me nënshkrimin e marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilën u shënua përfundimisht edhe kapitullimi i Jugosllavisë dhe dorëzimi i Sllobodan Millosheviq, njofton Insajderi.
Marrëveshja obligonte Serbinë të tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës.
Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkrua më 9 qershor 1999, por hyri në fuqi më 11 qershor 1999.
Ajo ishte nënshkruar nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës serbe, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:
- c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
- d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës
- e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.
Serbia ishte detyruar të nënshkruante marrëveshjen pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptuar u zhvendosën.
Shkatërrimet materiale po ashtu ishin masive.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës./Insajderi.com