Vetëm 4 nga 20 zyrtarët korrektues ende të infektuar me Covid-19, drejtori i SHKK-së jep detaje për gjendjen e tyre

Infeksioni me Covid-19 ka arritur edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, janë prekur 20 zyrtarë korrektues.

Vetëm 4 nga 20 zyrtarët korrektues ende të infektuar me Covid-19, drejtori i SHKK-së jep detaje për gjendjen e tyre

Nga këta të infektuar, vetëm katër prej tyre vazhdojnë të jenë raste aktive, kurse 16 të tjerë janë shëruar plotësisht.

Për gjendjen shëndetësore të të infektuarve, drejtori i SHKK’së, Nehat Thaçi, në një përgjigje për Insajderi.com, ka thënë se janë në gjendje stabile dhe po vazhdojnë të qëndrojnë në vetizolim.

“Nga fillimi i pandemisë e deri më sot, kemi pasur 20 zyrtarë korrektues të prekur me Covid-19, nga ta 16 janë shëruar, ndërsa katër janë aktivë dhe aktualisht janë në vetkarantinim. Një nga ta është në Qendra Korrektuese Lipjan, një në Gjilan, një në Mitrovicë dhe një në Pejë”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka shtuar se një tjetër person i cili ishte i diagnostikuar me Covid-19 Pozitiv, ishte i paraburgosur e që me vendim të gjykatës i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Kurse një tjetër është shëruar në QP Pejë.

Që nga regjistrimi i dy rasteve të para pozitive me Coronavirus, përkatësisht më 13 mars, deri më sot në Kosovë janë infektuar pesë mijë e 118 persona, prej të cilëve dy mijë e 370 janë shëruar, ndërsa 108 të tjerë nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë infektimit me këtë virus dhe kanë humbur jetën. /Insajderi.com/