Vatikani foli shqip, himni ‘Valsi Hyjnor’ kulmoi në koncertin për Nënën Terezë

Interpretimi i Himnit për Nënë Terezën, që ishte paralajmëruar qysh në muajin prill, ishte pika kryesore e koncertit. Ky himn i quajtur "Valsi Hyjnor" u interpretua nga sopranoja Inva Mula së bashku me orkestren dhe korin e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj. Himni është kompozuar nga pianisti dhe kompozitori Genc Tukiçi sipas idesë së producentes së koncertit, Dijana Toska.

Vatikani foli shqip, himni ‘Valsi Hyjnor’ kulmoi në koncertin për Nënën Terezë

Në Bazilikën e Shën Palit në Vatikan është mbajtur koncerti për nder të shënjtërimit të Nënës Terezë. Një koncert që do të mbahet mend për gjatë kohë, i cili solli bashkë fytyrat më eminente të muzikës shqiptare që me punën e tyre e kanë lartësuar kombin shqiptar.

Në fillim të këtij aktiviteti është paraqitur me një fjalim imzot Dodë Gjergji i cili ka folur për figurën e Nënës Terezë duke vlerësuar lart personalitetin e saj, humanizmin dhe devotshmërinë. Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndihmën financiare si dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për të mundësuar realizimin e këtij koncerti.

Programi ka startuar me një këngë korale të interpretuar nga Kori i Filarmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Rafet Rudit.

Këngëtarja me famë botërore me prejardhje nga Kosova, Rita Ora dhe kapiteni i kombëtares Lorik Canan kanë bërë hapjen e koncertit. Rita Ora fillimisht u është drejtuar të pranishmeve në gjuhën shqipe duke i përshëndetur dhe uruar mirëseardhje.

riti

“Zonja e zotërinj, motra e vëllezër, mirëmbrëma”, ka thënë Ora.

Pjesën tjetër, një dedikim Nënës Terezë, Rita e bëri në anglisht, ndërsa përkthimin në shqip dhe italisht e bëri ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, raporton Kultplus.

Ata kanë thënë se sonte bijtë e gjakut janë aty për ta nderuar dhe falënderuar Nënën Terezë për jetën dhe veprën e saj madhore dhe në dobi të më të varfërve në botë. Ata kanë thënë se Nënë Tereza e ka bashkuar njerëzimin duke përkujtuar fjalën e saj se vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.

Më pas skenën e ka mbizotëruar diva e muzikës shqiptare, Inva Mula e cila është paraqitur me këngën “Ave Maria” .

opa

Sopranoja Mula është pasuar nga baritoni, Gëzim Myshketa i cili ka interpretuar nën dirigjimin e Bujar Llapës dhe nën shoqërimin e korit dhe të orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Programi ka vazhduar me recitimin e vargjeve të Nënës Terezë nga djaloshi i talentuar Andi Bajgora i cili sivjet përfaqësoi vendin edhe në ceremoninë ‘Oscars’ si protagonist i filmit të shkurtër ‘Shok”. Ai ia ka lënë radhën violinistit nga Gjakova me famë botërore Shkëlzen Doli, i cili ka interpretuar një pikë muzikore nga repertori i tij.

Skënën madhështore të Bazilikës së Shën Palit e ka mbizotëruar me zërin e saj, sopranoja Elbenita Kajtazi e cila më pas i ka lënë radhën tenorit me prejardhje nga Istogu Ramë Lahaj, i cili po bën bujë në karrierën e tij.

E simpatiku Lum Veseli ka recituar në shqip vargje të Nënës Terezë për t’i lënë radhën sopranos shqiptare, Ermonela Jaho e cila ka shpërthyer me zërin e saj lirik.

Në skënë është paraqitur pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi me një instrumentale në piano i shoqëruar nga instrumentistët e tjerë të pranishëm në sallë.

E këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka performuar një nga himnet më të bukura të Krishlindjes, këngën “What child is this”, të shkruar nga William Chatterton Dix, në 1865 dhe të sjellë enkas për këtë koncert nën orkestrimin e mjeshtrit Shpetim Saraci.

Këtë këngë Rita Ora e kishte interpretuar në një duet me tenorin e madh Italian Andrea Bocelli, në dhjetor të vitit 2015, por këtë herë ajo do të jetë e vetme në skenë.