58 vjet më parë nisi ndërtimi i Murit të Berlinit

58 vjet më parë nisi ndërtimi i Murit të Berlinit

58 vjet më parë, më 13 gusht 1961, RDGJ filloi ndërtimin e murit duke bërë kështu që të ndahet Berlini.

45 mijë blloqe të betonit me një lartësi prej më shumë se 3 metra e rrethuan Berlinin Perëndimor me gjithsej 155 km mur të betonit, përcjellë KultPlus.

Fortifikimet vdekjeprurëse kufitare ndanë jo vetëm familjet dhe miqtë, por u bënë gjithashtu një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz, të cilët në përpjekje për të kaluar kufirin më të sigurt në Evropë, përfunduan me fatalitet. Ushtarët kishin qenë të urdhëruar që t’i vënë zjarr të gjithë atyre që përpiqeshin të kalonin murin.

Qëndroi 28 vjet dhe ishte një nga ndërtimet më famëkeqe në botë: Muri ndau Berlinin Lindor dhe Perëndimor.

Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas.

Edhe në Tiranë gjendet një segment i murit në memorialin “Post-Bllok” si një simbol i lirisë që kujton Revolucionin Paqësor në Gjermani, i cili rrëzoi murin në vitin 1989.