
I nxitur nga dëshira për të punuar për shqiptarët në vendin ku jeton, Florim Brajshori i ka hyrë punës së krijimit të serialit komik “Te Berberi”.
Ai dhe miku i tij Latif Hasolli dhe bashkë me ekipin realizues kanë arritur që tashmë të lansojnë episodet e para të këtij seriali, të cilat janë mirëpritur nga publiku në Kosovë dhe Zvicër.
Në një intervistë për KosovaPress, producenti Florim Brajshori thotë se ideja ka qenë që shikuesit shqiptar t’i sjellin një serial shqip, por në stilin amerikan.
“Gjithmonë kam pasur një qëllim dhe një ëndërr që të punoj diçka në vendin ku jetoj dhe për popullatën tonë që e kemi atje. Ideja me Latën jemi njohur edhe më herët, dhe ka qenë tek ne, ka marrë çmime, jam fokusuar të marrë njerëz profesionistë dhe për atë arsye kemi filluar bashkëpunimin me Latën. Ideja ka qenë që të bëjmë diçka për diasporën, për njerëzit tanë atje, një komedi jo të parë në tregun e Kosovës”, tha ai.
Me lansimin e episodeve të para, Brajshori thotë se çdo gjë po shkon mirë. E për këtë, thotë se kanë edhe mbështetjen e miqve në Zvicër, ku edhe realizohet seriali.
“Puna është duke ecë shumë mirë. Kemi disa probleme teknike dhe financiare kanë qenë, mirëpo jo të mëdha, sepse ne kur e kemi filluar projektin e kemi pasur buxhetin tonë personal. Çdo ndihmë që na ka ardhur prej miqve dhe shokëve, janë gjithmonë të mirëseardhura. Nuk i quaj ata sponsorë, por miq, të cilët i falënderoj shumë pasi për gjithçka që kemi nevojë, i kemi dyert hapur”, tha ai.
E ajo që e forcon serialin, thotë të jenë kritikat dhe lëvdatat që i marrin vazhdimisht nga shikuesit.
Te dashur, jua prezantojme serialin komik me te ri shqiptare #TEBERBERI @teberberi_official me aktore te te gjitha trojeve shqipetare edhe atyre qe jetojne ne diaspore shpresojme qe do ju bejme te qeshni e te kenaqeni me ne! transmetimi i epizodes se pare do te jete me date 11 Maj 2019 ora 19:45 ne televizionin RTV21! @oltagixhari @brajshoriflorim @latifhasolli @pellumbballata @xhevdet_jashari @lirakcelaj @kreshnik_ibrahimi1 @shqiprikelmendiofficial @armend.krasniqi88 @fortesa_mstf @eggzona.s @sir_mavic @leoveehairartist dhe guest star @mehdin_pergjeqaj
Gepostet von Fortesa Mustafa am Freitag, 3. Mai 2019
“Reagime po ka sepse çka po dojmë me bë ne është që të preken shumë tema nga pak. Do të thotë aksion pak, komedi pak, lojë aktorësh, kemi edhe njerëz të ftuar, të cilët i don diaspora dhe Zvicra e Kosova, që t’i kemi pak privat, jo si në shoë biz”, u shpreh ai.
Fakti se seriali realizohet në një shtet tjetër dhe jo në Kosovë, sipas tij, ka krijuar disa vështirësi të vogla, por të cilat tejkalohen lehtë me ndihmën e miqve atje.
E realizimi i skenës në diskotekën ‘Rinora 4’ në Zvicër, është diçka që rrallëkush do të mund ta bënte, porse Brajshori thotë se falë pronarit të diskotekës, çdo gjë ka shkuar mirë.
“Për surprizën e publikut që e kanë përcjellë, është dhe e falënderoj së pari Shabanin e ‘Rinora 4’, që na ka mundësuar të bëjmë skena gjigante, që në kushte normale e ka një kosto marramendëse, të futesh në diskotekë dhe të bësh një xhirim në mesin e 1 mijë e 300 personave, që të luajnë të gjithë së bashku… Në këtë rast, ‘Rinora 4’ ka qenë mbështetëse e të gjithë njerëzve, jo vetëm neve, por gjithë shqiptarëve, është vendtakimi jonë, ku takohen të rinjtë”, u shpreh ai.
E kënaqësia e publikut për Brajshorin është krejt çka pretendon ekipi i serialit “Te berberi”.
“Kënaqësia jonë është kur të pret mirë publiku. Kanë me e prit mirë sepse është një punë që e bëjmë për të. Ne punojmë dhe e kemi këtë 6 mujor tu punu, për një buzëqeshje të njerëzve, që të kënaqen ata. Kënaqësia jonë është edhe për ata që komentojnë keq, edhe për ata që komentojnë mirë. Do të bëjmë çdo gjë që ata të kënaqen”, tha ai.
Krejt në fund, Brajshori tha se në kuadër të serialit “Te Berberi” do të ketë edhe transferim të personazheve, gjë që do ta bëjnë edhe më atraktiv atë.
Seriali “Te berberi” transmetohet në Rtv 21, çdo të shtunë në orën 20:00, kurse reprizën e ka të dielave në orën 17:00. Ndërsa çdo të diel në orën 20:00, është premiera në YouTube.
Në këtë cikël episodesh, me skenar të Lirak Çelaj, tek seriali “Te berberi”, luajnë një numër aktorësh të cilët me mjeshtri artistike paraqesin karakteret interesante: Shabani – Xhevdet Jashari, Luiza – Olta Gixhari, Dauti – Florim Brajshori, Albani– Shqipri Kelmendi, Edi – Kreshnik Ibrahimi, Laura – Fortesa Mustafa.
Në vjeshtë pritet edhe një cikël i ri episodesh./ Insajderi.com