Shkruan Naime Beqiraj
Edhe kur merrej me recitim, edhe kur shkruante poezi, edhe kur u përgjigjej pyetjeve në provime, Bekim Lumi ka qenë disi qiellor. Ashtu më ishte dukur ditën që e takova të parën herë.
Ka qenë viti 1988. Bekimi sa po e kishte përfunduar vitin e parë të studimeve të letërsisë shqipe, unë të dytin.. Ai ishte një vit më i madh se sa unë në moshë. kurse me shkollë një vit pas meje. Kurrë nuk e kam pyetur pse kjo koincidencë. Jo, sepse gjithmonë kemi pasur çfarë të bisedojmë tjetër.
Atë ditë kishim provimin e mbrojtjes tek i njejti profesor, mr Haxhi Ferati, Bekimi – mbrojtja 1 kurse unë mbrojtja 2. Prisja të më vinte rradha, kur përcillja studentin Bekim Lumi se si lëndën aspak të këndshme pothuaj ushtarake të ish shtetit RSFJ e kthen në formë analogjike të luftës së Skëndërbeut, u habita. Secilën pikë të pyetjes ai në njëfarë mënyre i bënte regji krahasuese me luftën e kryetrimit tonë. Aty u njoftëm pasi morëm dy dhjetëshe dhe shoqëria jonë prej asaj dite ka qenë e thellë, e pastër, shumë e pastër, kreative. Nuk jam e prirur që miqtë t’i quaj vëllezër, por Bekimin, 30 vjet vazhdoj ta ndjej të tillë.
Ishte student i shkëlqyer i letërsisë. Recitonte bukur, shumë bukur, edhe shkruante. Ishre fort atdhetar. Merrte pesë në cdo organizim për liri të Kosovës duke qenë shpesh edhe pjesa kreative e atyre organizimeve. Mirëpo, synimi i i tij ishte teatri. E kam nxitur ta studionte regjinë, por ky drejtim nuk ekzistonte në Kosovë. Familja e përkrahu për të studiuar në Tiranë. Kam shkuar, e kam vizituar edhe atje në vitet ’90 dhe jam mrekulluar me punën që bënte, jo vetëm si student i mirë, i talentuar, por edhe kontribut atdhetar e etik.
Mandej emigroi në Gjermani. Edhe atje kontriboi me programe artistike me fëmijët mërgimtarë që të mos e harronin gjuhën dhe traditat e Kosovës. Nuk e ka pasë të lehtë të merrej me punë amatore truri i tij gjenial, por e bënte për hatër të atdheut.
Pas luftəs kthehet në Kosovë.
Qysh me shfaqjen Mësimi shënon ndryshim rapid në teatrin kosovar. Bekimi dhe teatri i tij krijuan shkollë regjisoriale, loje e mendësie teatrore.
Të ngarkuar me punët e përditshme, ne shiheshim pak më rrallë por bisedat I vazhdonim ku i kishim lënë në gjysmë e plot art e me të njejtën dashuri të dekadave më parë në studime. I kam parë të gjitha shfaqjet e Bekimit, kam shkruar për to. Madje e i kam përcjellur disa herë. Në secilën prej tij jam ndjerë si në Olimp.
Bekimi krijoi shije për teatrin. Krijoi dashuri. E lartësoi artistikisht teatrin kosovar.
E sot një vit që u ngjit në qiell nuk mund të shkruaj për të pa folur vet me të. Mos me i peshu fjalët, as dashninë.
Vetëm këto të dyjat nuk peshohen, sic nuk peshohet as poezia e mirë e as skena e përkryer. Jo se jo teatri i Bekim Lumit të cilit i dha peshë që nuk peshohet me asnjë peshore të kësobotshme. /KultPlus.com