Plani i kompanisë “Konak” për ndërtimin e një kompleksi të ri banesor në afërsi të tri komplekseve ekzistuese në lagjen “Emshir”, ka çuar deri në përplasjen e autoriteteve komunale të Prishtinës me Ministrinë e Mjedisit. Banorët e tri komplekseve banesore ekzistuese të kompanisë ankohen se ndërtimi i një të riu afër tyre do të rrezikojë rehatinë e tyre dhe do ta zvogëlojë hapësirën e përbashkët. Kompania vlerëson se janë duke u ankuar vetëm disa individë, e jo të gjithë banorët.
Para katër vjetësh, qindra veta kishin përzgjedhur që të bëhen banorë të kompleksit “Prishtina Stars”, në lagjen Kalabria, i promovuar shumë si ambient që ofron hapësirë, rehati dhe siguri të nivelit të lartë. Por, tash më 2017, një pjesë e banorëve janë duke shprehur pakënaqësi lidhur me kushtet e premtuara nga kompania “Konak”, e cila e kishte ndërtuar kompleksin “Prishtina Stars”.
I kanë dërguar shkresa zyrtare autoriteteve komunale të Prishtinës dhe Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor (MMPH). Janë ankuar se kompania turke “Konak” është duke cenuar hapësirën, rehatinë dhe sigurinë e banorëve.
Kompania “Konak” vlerëson se ka vepruar konform ligjit dhe se ankesat janë duke u bërë nga disa individë, të cilët kundërligjshëm thirren në emër të këshillit që përfaqëson banorët e lagjes. “Kryesia aktuale e përfaqësuesve të banorëve është e kundërligjshme dhe asnjë prej veprimeve të saj nuk është juridikisht valide”, ka deklaruar Besame Hoxha, zyrtare në kompaninë “Konak”.
Kompania vlerëson se nuk ka pasur kuorum për marrjen e vendimeve nga shoqata e pronarëve të banesave. Në mbledhje, sipas kompanisë, nuk kanë qenë 50 për qind e pronarëve të njësive banesore.
“Konak Sh.P.K në cilësinë e pronarit të shumicës së njësive (banesave) asnjëherë nuk është ftuar për themelimin dhe takimet e Shoqatës së Pronarëve, dhe nuk ka marrë asnjë njoftim për kohën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjeve të tilla”, thuhet në përgjigjen e “Konak” dhënë Insajderit.
Objekti i ri, i ndërtuar në afërsi të tri komplekseve ekzistuese
Banorët: ‘Konak’ po e shkel premtimin për hapësirën dhe rehatinë
Gjithçka kishte nisur në gusht të vitit të kaluar. Kompania kishte filluar të hedh themelet e një kompleksi të ri banesor, në afërsi të tri komplekseve ekzistuese të “Prishtina Stars”.
Banorët, me të parë makinerinë duke punuar, ishin mbledhur dhe e kishin shkruar bashkërisht një letër. Ajo më 18 gusht 2016 do t’i dërgohej kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtorit të urbanizmit në Prishtinë, Liburn Aliu dhe drejtorit të inspekcionit komunal, Sali Zyba.
Kërkesa e tyre nuk kishte hasur në mirëkuptimin e drejtuesve komunal. Atëkohë, kur ankesa ishte dorëzuar, veç ishin bërë gjashtë muaj prej kur drejtuesit komunal i kishin dhënë leje kompanisë “Konak”, për të ndërtuar kompleksin e ri banesor.
Banorët nuk pajtohen me këtë vendim të autoriteteve komunale për disa arsye. Shkresa që i është dërguar komunës është nënshkruar nga Këshilli Administrues i Lagjes “Prishtina Stars”. Pjesë e këtij këshilli janë Fatmir Bajrami, Pleurat Vokshi, Alban Ramabaja, Tanju Gorica dhe Fadil Dautaj.
“Ne si banorë të kompleksit ‘Prishtina Stars’, jemi të shqetësuar me iniciativën e kompanisë ndërtuese ‘Konak’ që hapësirën e përbashkët të kompleksit ‘Prishtina Stars’ që i përfshin tri ndërtesa banimi me parkingun e përbashkët, hapësirën e gjelbër, parkun e fëmijëve, dhe pishinën, dëshiron që t’i vë në shfrytëzim edhe për ndërtesën e re që po ndërtohet afër nesh”, ka thënë për Insajderin Alban Ramabaja, përfaqësues i Këshillit të Banorëve të këtij kompleksi.
Përveç pohimeve për kufizim të hapësirës për shkak të ndërtimit të kompleksit të ri, banorët janë duke u ankuar edhe për ndërtimin e rrugës që çon deri aty. Kjo rrugë parashihet t’i bjerë nëpërmes hapësirës së tri komplekseve ekzistuese.
Banorët ankohen se kjo rrugë do të rrezikojë jetën e banorëve, sigurinë e fëmijëve, qetësinë dhe mirëqenien e përgjithshme të banorëve. Rruga në fjalë, përveç asaj, është edhe në kundërshtim me planin rregullues dhe planin urban.
“Është në kundërshtim me planin rregullues urban, sepse rrugët në bllokun 11të lagjes ‘Kalabria’ janë planifikuar për t’u ndërtuar për rreth kompleksit banesor, e jo mes për mes kompleksit”, ka thënë Ramabaja për Insajderin.
Konak: Janë duke u ankuar disa individë, jo të gjithë banorët
Kompania ‘Konak’ ka filluar të operojë në Kosovë që prej vitit 2008. ‘Prishtina Stars’ në Emshir është projekti i parë i saj. Synon të ndërtojë edhe tri të tjera: ‘Prishtina Stars’ Aktash, ‘Prishtina Stars’ Veternik dhe ‘Konak Business Center’.
Zyrtarët e kësaj kompanie kanë pohuar për Insajderin se veprimet e ndërmarra janë duke u bazuar në ligj dhe se ndërtimi i kompleksit të kritikuar banesor, ka qenë i paraparë të ndërtohet që para tetë vjetësh. Besame Hoxha, zyrtare në ‘Konak’ ka deklaruar se objekti D, i katërti më radhë në lagjen Emshir, është i paraparë që nga vitit 2009.
Kompania synon të ndërtojë tetë blloqe të tilla në këtë lagje. Deri më tash është pajisur me leje për katër komplekse.
“Konak” ka vlerësuar se disa banorë janë duke interpretuar gabimisht të drejtat e tyre ligjore. Sipas kompanisë, pronarët e banesave nuk janë pronarë edhe të hapësirave përreth komplekseve banesore.
“Pronarët e banesave nuk janë bashkëpronarë në tërë parcelën ku janë të vendosura objekti A, B dhe C, ngjashëm sikurse pronarët e banesave në objektin D nuk do të jenë bashkëpronarë në tërë parcelën ku do të jetë i vendosur ky objekt”, ka deklaruar Hoxha.
“Sipas ligjeve, udhëzimeve administrative dhe planit rregullues, objekti i ri i cili po ndërtohet, i plotëson në vete të gjitha kriteret dhe nevojat e njësive të banimit”, ka shtuar Hoxha.
Zyrtarja e ‘Konak’ ka hedhur poshtë edhe pretendimet e banorëve që e shohin rrugën si problematike.
“Qasja deri në objekt është nga rruga e brendshme e bllokut B-11, e paraparë sipas zgjidhjes urbane. Përndryshe, po të mos ishte paraparë rruga në atë pjesë, as Komuna e Prishtinës nuk do të jepte lejen për një objekt i cili nuk ka qasje në rrugë po edhe Konak Sh.P.K nuk do të investonte në një objekt që nuk ka qasje të parashikuar në rrugë”, ka pohuar Hoxha.
“Konak Sh.P.K në cilësinë e pronarit të shumicës së njësive (banesave) asnjëherë nuk është ftuar për themelimin dhe takimet e Shoqatës së Pronarëve, dhe nuk ka marrë asnjë njoftim për kohën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjeve të tilla”, thuhet në përgjigjen e “Konak” dhënë Insajderit.
Kjo deklarate e Konak kundërshtohet nga Këshilli Administrativ i Lagjes. Ata theksojnë se organizata është legjitime dhe është krijuar me iniciativën e vete kompanisë Konak dhe se kryesia e këshillit është votuar nga te gjithë banoret.
Përplasja mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit
Ky grup i banorëve nuk ishin mjaftuar me përgjigjen e zyrtarëve komunal se kompania është duke vepruar ligjshëm. Janë ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, më 10 tetor 2016.
“Inspektorati i MMPH-së konstaton shkelje ligjore në procedurën e lëshimit të kushteve ndërtimore për ndërtimin e objektit “D”, të cilit në mungesë të qasjes në rrugë publike, i lejohet qasja nëpërmes kompleksit ‘Prishtina Stars’”, thuhet në vendimin e MMPH-së, të marrë më datën 28 tetor 2016.
Me këtë vendim nuk pajtohen organet komunale të Prishtinës.
“Lënda është marrë në rishqyrtim nga Drejtoria e Urbanizmit, për të cilën sipas Këshillës juridike të këtij Vendimi, mund të inicohet edhe konflikti administrativ në Gjykatën Themelore, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit te këtij Vendimi”, ka thënë Erzen Vraniqi, zyrtar për informim i Komunës së Prishtinës.
Nuk ka treguar se kur autoritetet komunale do ta dërgojnë këtë rast në gjyq.
Ndërkaq, kompania “Konak” e ka vlerësuar si të dyshimtë vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ne kemi dyshime serioze që Vendimi i Inspektoratit të MMPH-së është i paligjshëm sepse ai është marrë në kundërshtim me ligjet që rregullojnë këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e kompanisë dhënë Insajderit.
Drejtuesit e kësaj kompania vlerësojnë se vendimi i kësaj ministrie rrezikon të drejtat e kompanisë si Investitor i Huaj në Kosovë. /Insajderi.com