Arben Gjukaj kishte një pengesë juridike për të konkurruar për profesor asistent në UP. I duhej një vërtetim se nuk është në procedurë penale. E kishte nxjerrë një të tillë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Me të dëshmonte se është i pastër. Përmbajtja e certifikatës është e rrejshme, sepse në të njëjtën Gjykatë ai ka qenë dhe është duke u gjykuar për një tender mbi 6 milionë euro. Me këtë veprim, Gjukaj ka arritur të rekomandohet për profesor.
Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj ka dorëzuar me duart e veta një dokument, përmbajtja e të cilit ka elemente të veprës penale të falsifikimit.
Gjukaj ka arritur në fund të vitit të kaluar ta nxjerrë një vërtetim se ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë penale. Dëshminë se është i “pastër” e ka nxjerrë në gjykatën që po e gjykon atë për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Përmbajtja e këtij dokumenti është e rrejshme.
Gjukaj është në një proces gjyqësor së bashku me Sami Lushtakun dhe zyrtarë tjerë të KEK-ut për një tender të dyshimtë në vlerë prej 6 milionë euro.
Certifikatën se nuk është nën hetime dhe në procedurë penale, drejtori i KEK-ut e ka dorëzuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës në një konkurs për profesor asistent në disa lëndë.
Në fund të vitit të kaluar, ai kishte aplikuar për profesor asistent në lëndët: Elektroteknikë, Dizajnim i Qarqeve, Ngasje Elektrike, Pocesim Dixhital i Sinjaleve, Elektronika, Sinjale dhe Matje.
Komisioni vlerësues në përbërje të Arbnor Pajazitit – kryetar, akademik Isuf Krasniqi dhe Nysret Avdiu – anëtarë, ka rekomanduar Gjukajn për profesor. Ka eliminuar nga gara kandidatin tjetër, Arianit Maraj.
Komisioni ka konstatuar se Gjukaj i plotëson të gjitha kushtet e parapara me konkursin publik të shpallur në nëntor të vitit të kaluar. Por ka dhënë vërejtje që organet vendimmarrëse të verifikojnë pikën II, h, të konkursit.
Kjo pikë kishte të bënte me dokumentin e kërkuar me konkurs që kandidatët të dëshmojnë se nuk janë nën hetime dhe në procedurë penale gjyqësore.
Për ta eliminuar këtë pengesë, Gjukaj ka dorëzuar certifikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Gjukaj është në proces gjyqësor së bashku me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, shefin e prokurimit KEK, Driton Pruthi, pronarët e kompanisë “Security Code”, Milaim Lushtaku dhe Esat Tahiri, si dhe ekspertin të OShP-së, Azem Duraku.
Në Gjykatë kanë thënë se ky lëshim është bërë për shkak se emri i Arben GJUKAJT është shkruan në regjistrat e Gjykatës Arben GJUKA dhe si rrjedhojë në sistem nuk ka dalë asnjë e dhënë se është në procedurë penale. Të njëjtin version e ka dhënë edhe drejtori i KEK-ut.
“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me datë 16.01.2015 është regjistruar lënda ku i akuzuar është Arben Gjukaj. Gjatë procedurës së regjistrimit ka ndodhur një gabim nga zyrtari që merret me këtë çështje, e që mbiemri i të akuzuarit ‘Gjukaj’ është regjistruar ‘Gjuka’”, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky gabim, sipas saj, e ka vënë në lajthim referentin që merret me lëshimin e certifikatave, i cili pastaj ka nxjerrë certifikatën se ndaj Gjukajt nuk po zhvillohet ndonjë procedurë penale.
Ndërkaq, Gjukaj ka thënë se as që i ka shkuar nëpër mend ta fsheh faktin se është në procedurë penale gjyqësore. Ka thënë se për këtë proces është raportuar vazhdimisht nga mediet, dhe të gjithë janë të informuar për ecurinë e tij.
Ai ka thënë se asnjë prej ligjeve në fuqi nuk ia ndalon të marrë pjesë në këtë konkurs, pasi sipas tij, është kërkuar certifikatë që nuk është nën hetime e jo në procedurë gjyqësore.
“Certifikata e parë me është siguruar me kërkesën time përmes një personi tjetër… në ditët e fundit të përmbylljes se konkursit. Menjëherë pasi e kam kuptuar përmbajtjen, personalisht kam shkuar në gjykatë për të sqaruar dhe kam ndjekur të gjitha udhëzimet e referentit përgjegjës në Gjykatë. Më datën 5 janar 2017 kam marrë Certifikatën tjetër në të cilën shkruan se aktualisht ndaj meje po zhvillohet një proces gjyqësor”, ka thënë Gjukaj për Insajderin.
Drejtori i KEK-ut ka shtuar se kur kishte kërkuar sqarime nga referenti, ai ia kishte shpjeguar se në regjistra të Gjykatës, mbiemri i ishte shkruar gabimisht.
Gjukaj ka deklaruar se certifikatën e dytë e ka dorëzuar në UP, por sipas tij, nuk ka qenë e mundur t’i bashkëngjitet dokumenteve të dorëzuara me herët, pasi një gjë e tillë nuk lejohet, me arsyetimin se data për dorëzim të dokumenteve tashmë kishte kaluar dhe nuk lejohej të dorëzoheshin dokumente shtesë pas mbylljes së afatit të konkursit.
“Gjithsesi, anëtarët e Komisionit kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe në raportin e tyre përfundimtar të datës 13.01.2017 kanë dhënë mendimin e tyre të lirë me vërejte se kjo çështje duhet të sqarohet në organet tjera vendimmarrëse. Kjo ka qenë publike në ueb-faqen zyrtare dhe në Buletinin e UP i Nr. 20”, ka thënë Gjukaj.
Komisioni vlerësues prej tre anëtarësh në rekomandimin që ia ka bërë Këshillit të Fakultetit, e ka propozuar Gjukajn për profesor asistent. Gjukaj prej një viti është i angazhuar në këtë fakultet si ligjërues.
“Mbështetur në të dhënat e prezantuara me lartë, anëtarët e komisionit vlerësues janë të mendimit që kandidati që ka konkurruar dr. Sc. Arben Gjukaj i plotëson kushtet e parapara sipas konkursit njëherësh është duke i ligjëruar këto lëndë në FIM numrin e protokollit 3/671 të datës 24. 11. 2016 dhe nenit 175 të statutit të Universitetit të Prishtinës për t’u zgjedhur mësimdhënës… Prandaj i propozojmë Këshillit të zgjidhet në thirrjen profesor asistent”, thuhet në raport.
Komisioni jep edhe vërejtje sa i përket certifikatës së dorëzuar nga Gjukaj se nuk është në procedurë penale.
Lidhur me kandidatin tjetër, Arianit Maraj, Komisioni thotë se edhe ai plotëson kushtet e përgjithshme të konkursit, mirëpo, sipas Komisionit, përvoja e deritashme e tij dhe fusha e studimit, përkatësisht punimet në tabelën 2 nuk i përkasin fushës Mekatronikë – lëndëve për të cilat ka aplikuar./Insajderi.com