Hetimi i tretur i ngritjes akademike të doktor Kamishit

Një hetim i nisur nga Prokuroria e EULEX-it kundër deputetit Bekim Haxhiu, ish-rektorit Mujë Rugova, Shkurte Rrecajt, Faton Morinës, Hajrije Hundozi – Hysenajt dhe Isuf Dedushaj, është bllokuar posa u është transferuar prokurorëve vendës. Hetimi ka nisur më 26 maj 2014. Prokuroria ka afat edhe një muaj e gjashtë ditë për të ngritur aktakuzë, ndryshe mbyllet afati ligjor i hetimeve. Por, vendësit nuk kanë treguar se ku është lënda kundër Kamishit dhe “grupit kriminal” siç cilësohej nga EULEX-i.

Hetimi i tretur i ngritjes akademike të doktor Kamishit

Pak kohë pas daljes nga “ilegaliteti” si pjesëtar i SHIK-ut, Bekim Haxhiu kishte zgjedhur Kuvendin e Kosovës si institucion për t’u marrë me politikë, e Universitetin e Prishtinës si institucion për t’u marrë me çështje akademike.

Por, për t’ju bashkuar Universitetit, ai kishte pengesa të pakapërcyeshme ligjore. Mes tyre, mosha nuk ia lejonte që të pranohej si asistent në Universitet.

Statuti i UP-së nuk lejon që kandidatët mbi 35 vjeç të pranohen asistent. Haxhiu ishte mbi 40 vjeç.

Për të arritur këtë qëllim, Haxhiu dyshohet se kishte përdorur gjithë fuqinë e tij. Të gjitha kriteret ishin shkelur për të. Kishte arritur që ta ndërronte komisionin e parë që nuk e kishte pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Dyshohet se kishte arritur ta anulonte konkursin e parë dhe kishte anuluar zgjedhjen e dy kandidatëve tjerë. Gjithë këto veprime dyshohet se i kishte bërë falë ndikimit që kishte mbi ish-rektorin Mujë Rugova dhe profesorë tjerë të Fakultetit të Mjekësisë.

Pos këtyre shkelje, Haxhiu kishte prezantuar edhe dëshmi se po doktoronte në një universitet virtual në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haxhiu, i njohur si Kamishi tashmë po e trasonte rrugën akademike.

Me të njëjtat shkelje ishte pranuar edhe Ismet Shala. Ishte bashkëmoshatar i Kamishit. Të dy ua kishin zënë vendet kandidatëve që plotësonin kushtet dhe ishin shumë më të rinj në moshë.

Faktet për këto shkelje janë renditur në një vendim për nisje të hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Vendimin për hetim një prokuror i EULEX-it e ka marrë më 26 maj 2014 për disa vepra penale përfshirë krimin e organizuar kundër.

Të dyshuar në këtë rast pos Haxhiut e Shalës janë edhe Shkurte Rrecaj, ish-rektori Mujë Rugova, Faton Morina, Hajrije Hundozi – Hysenaj dhe Isuf Dedushaj.

Bekim Haxhiu e Ismet Shala kanë mohuar kryerjen e veprave penale, ndërsa të tjerët nuk kanë folur.

Screenshot_2016-04-20-10-41-06

Fati i lëndës nuk dihet

Por, hetimi “për këtë grup kriminal” siç cilësohet në vendimin për nisje të hetimeve ka humbur diku në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në këtë prokurori lënda është bartur nga Prokuroria Speciale pak kohë pasi EULEX-i e kishte dorëzuar atë më shumë lëndë tjera tek kolegët kosovarë.

Afati ligjor për zhvillimin e hetimeve zgjat deri më 26 maj të vitit 2016. Pas kësaj date nuk mund të ketë më hetime sepse bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale. Kanë mbetur vetëm një muaj e gjashtë ditë për të zhvilluar hetime në këtë lëndë.

Në Prokurorinë e Shtetit nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me këtë lëndë. Nuk kanë treguar nëse hetimi po vazhdon apo është mbyllur. Krejt çfarë kanë thënë është se lënda është dërguar në Prokurorinë Themelore.

“Ju informoj se nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 6 prill 2016, jam informuar se rasti për të cilin keni pyetur, më 31.08.2015, është deleguar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi. “Të njëjtën ditë kam kërkuar informacion nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por ende nuk kam pranuar asnjë informatë nga kjo prokurori për këtë çështje. Në momentin e parë që do ta pranoj informatën do t’ua përcjell”, ka thënë ajo javën e kaluar.

Insajderi ka pritur rreth tri javë për të marrë informacione rreth rastit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka ka refuzuar të flas për këtë rast.

Veprimet kriminale të stafit akademik

Prokuroria Speciale kishte renditur faktet në vendimin për nisje të hetimeve dhe kishte përshkruar veprimet e mundshme kriminale të të dyshuarve. Pretendonte se ekziston dyshimi i arsyeshëm Bekim Haxhiu dhe Shkurta Rrecaj, kanë kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtje së pavërtetë.

“Më 21.11.2011, duke aplikuar për pozitën e Asistentit për subjektin ‘Mjekësia Sportive dhe bazat e transformimit motorik III dhe IV’ në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, me qëllim që të mashtrojë Komisionin Përzgjedhës në Fakultet, ka dorëzuar diploma PHD të rreme nga Universiteti Corrllins i cili është i dyshuar të jetë i rrejshëm – universitet virtual”, pretendon Prokuroria në rastin e Bekim Haxhit.

“Në këtë mënyrë, me veprime mashtruese, Haxhiu ka mashtruar Komisionin për pozitën e shpallur”.

Edhe kolegu i tij, Ismet Shala është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

“Në 21.11.201, ndërsa aplikoi për pozitën e Asistentit në Fakultetin e Mjekësisë…, me qëllim që të mashtrojë Komisionin Përzgjedhës në Fakultet, ka dorëzuar Diplomë të rreme. Diploma e paraqitur tregon se ai ishte i regjistruar në të njëjtin vit që ai e përfundoi Fakultetin e Mjekësisë dhe mori titullin Bachelor, ndërsa dihet se studimet themelore zgjasin minimum 3 vjet”, pretendon Prokuroria.

“Në këtë mënyrë, me veprime mashtruese ai ka mashtruar Komisionin për pozitën e shpallur”.

Ish-rektori, Mujë Rugova dyshohet për kryerjen e veprës penale të Shpërdorim i detyrës zyrtare ose autoritetit.

“Më 09.09.2011, në cilësinë e personit zyrtar, rektor i Universitetit të Prishtinës, duke përdorur pozitën ose autoritetin, me qëllim lehtësimin e procesit të përzgjedhjes së të pandehurit Bekim Haxhiu në pozicionin e Asistent në Fakultetin e Mjekësisë, ka tejkaluar autorizimin duke dërguar një letër me numër 2/621, datë 09.09.2011, dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Naim Halitit, me të cilën e urdhëron ndryshimin e përbërjes së Komisionit Përzgjedhës”, shkruan në vendimin për nisje të hetimeve.

“Si rezultat i kësaj letre, Këshilli i Fakultetit në mbledhjen e tij të mbajtur më 12.10. 2011 caktoi njerëz të tjerë në Komisionin Përzgjedhës”.

Edhe profesorët Fakultetit të Mjekësisë, Faton Morina, Hajrije Hundozi-Hysenaj dhe Isuf Dedushaj, janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të shpërdorim i detyrës zyrtare ose autoritetit.

“Me 28. 02. 2012, si persona zyrtarë në cilësinë e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Përzgjedhës për shpalljen e pozitës së Asistent në Fakultetin e Mjekësisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Bekim Haxhiun dhe Ismet Shalës dhe duke i shkaktuar dëm kandidatëve të tjerë, në shkelje të Rregullave dhe Statutin e Universitetit… ua kanë dhënë Bekim Haxhiut dhe Ismet Shalës pozitën e Asistent edhe pse nuk i përmbushnin përmbushur kërkesat dhe kriteret e shpallura, sikurse mosha – nën 35 vjet”, shkruan në vendimin e Prokurorisë për nisje të hetimeve.

“Haxhiu dhe Shala ishin mbi 40 vjet dhe ata nuk i kanë plotësuar as kushtin e notës mesatare.

Për më tepër, të pandehurit Hundozi-Hysenaj duke qenë anëtar të Komisionit lëshuan një rekomandim për Bekim Haxhiun dhe Ismet Shalën”.

Screenshot_2016-04-20-10-41-32

Krimi i organizuar

Prokuroria dyshon se Haxhiu, Rugova, Shala dhe Hundozi-Hysenaj janë në lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin që nga viti 2011.

Zyrtarët e UP-së, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë anuluar konkursin e parë me të kuptuar se Haxhiu nuk është zgjedhur asistent. Pos kësaj ndërrohet edhe komisioni.

“Si shpërblim, Hundozi-Hysenajn e promovuan në pozitën e zëvendës dekanes në Fakultet, pikërisht me ndihmën e Mujë Rugovës dhe Bekim Haxhiut, i cili ka përdorur pozitën e deputetit dhe anëtarit të PDK-së (pjesë e së cilës ishte edhe Rugova para se të bëhet Rektor)”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Më 6 shkurt 2013, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) ka marrë informacion nga Ymer Halimi, profesor në Fakultetin e Mjekësisë se Bekim Haxhiu dhe Ismet Shala janë zgjedhur në mënyrë të paligjshme, si asistent në Fakultetin e Mjekësisë. Ai kishte thënë se diploma PhD e paraqitur nga Bekim Haxhiu ishte e rreme.

Më 20 prill 2011, Universiteti i Prishtinës, publikoi konkurs për 24 poste në Universitetin e Prishtinës, në mesin e tyre edhe dy pozita për Asistent- Praktikant në Fizioterapi.

Më 27 maj 2011 Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, kishte marrë vendim vendimin me numër: 1569, për emërimin e komisionit për zgjedhjen e dy asistentëve në përbërje: Shaban Hasi – kryetar, Ymer Halimi dhe Vjollca Mekaj anëtarë.

27 kandidatë kishin aplikuar për këto dy pozita, ndër të cilët edhe Bekim Haxhiu dhe Ismet Shala.

Kafeja me Bekim Haxhiun

Prokuroria pretendon se në të njëjtën kohë, Bekim Haxhiu, Bedri Zahiti dhe Flori Bruqi bashkë me tre persona të tjerë, kishin ftuar profesorin Ymer Halimi në kafe dhe i kishin thënë “se e kanë personin e duhur për t’u zgjedhur si Asistent”.

“Pas kafes Bekim Haxhiu e voziti për në shtëpi Ymer Halimin, kishte fajësuar Gani Bajraktarin, atë kohë dekan i Fakultetit të Mjekësisë për emërimin e këtij komisioni. Haxhiu madje kishte thënë se Hajrije Hunduzi-Hysenaj i kishte premtuar edhe një recension për të”, thuhet në vendimin për nisje të hetimeve.

Megjithatë, Halimi nuk i kishte kryer punë Haxhiut. Madje e kishte denoncuar në Agjencinë Kundër Korrupsion. Zyrtarëve të kësaj agjencie i kishte treguar për historinë e këtij rasti.

Më 15 qershor 2011 Komisioni përzgjedhës në raportin e vlerësimit numër 1803, kishte shkruar: “Në përputhje të Statutit të Universitetit nr.01.3 / 18 të datës 05.07.2004, asnjë nga kandidatët nuk i plotëson të gjitha kërkesat e parashikuara në nenin 185 pasi kandidati duhet të jetë i regjistruar në studimet e doktoratës”.

“Prandaj komisioni vendosi që të veprojë në përputhje me nenin 186 të Statutit dhe të rekomandoi kandidatët: Arbnore Ibrahimaj, e moshës 27 GPA 9.48 dhe Valentina Dushi, mosha 27 GPA 9.37, të cilët plotësojnë afërsisht kushtet”, shkruan në vendimin e Komisionit.

Bekim Haxhiu dhe Ismet Shala ishin eliminuar pasi nuk i plotësonin kriteret. Haxhiu ishte 41 vjeçar, ndërsa Shala ishte 42. Zgjedhja e tyre në këtë moshë ishte në kundërshtim me Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Sipas Ymer Halimit, Bekim Haxhiu kishte ndikuar në Mujë Rugovën për të ndryshuar përbërjen e Komisionit Përzgjedhës.

Për këtë arsye, më 09 shtator 2011, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, i kishte dërguar një letër Naim Halitit, në atë kohë, ud Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, duke kërkuar që të ndryshojë përbërjen e Komisionit përzgjedhës dhe urdhëronte “emërimin e anëtarëve që nuk kanë të bëjnë me komisionin paraprak të datës 26.05.2011″.

Më 12 tetor 2011, Këshilli Akademik i Fakultetit të mjekësisë, duke vepruar në përputhje me letrën e Mujë Rugovës kishte marrë vendim që të ndërrohen anëtarët e komisionit dhe të rishpallet konkursi që lidhej me pozitat e pretenduara për Haxhiun dhe Shalën.

Më 02 nëntor 2011, Këshilli Akademik i Fakultetit të Mjekësisë bazuar në mbledhjen e mbajtur më 12.10.2011, kishte marrë vendim me numër 3353 për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Përzgjedhës si dhe konkursin.

Pikat e konkursit që kishin ndryshuar ishin: 4.4. mësimdhënës për lëndën “Anesteziologjisë dhe reanimacion”;

22. për ndihmës – profesorët për Degën e Fizioterapisë: Sports Medicine dhe bazat e transformimit motorik III & IV;

Fizioterapia në Neurologji I dhe II;

Fizioterapia e sistemit osteomuskular çrregullim I dhe II;

Bazat e kinesiologjisë biometrike.

Screenshot_2016-04-20-10-41-41

Ndryshimi i konkursit

Më 14 nëntor 2011, Universiteti i Prishtinës ri-shpalli konkursin. Në pikën p. 2.2 ndryshoi kriteret për katër pozitat Ndihmës për Fizioterapi, ndërsa në njoftimin e mëparshëm kanë qenë vetëm dy pozita të shpallura.

Ndërkohë me 24 nëntor 2011 Hajrije Hunduzi-Hysenaj që më vonë u bë anëtare e Komisionit Përzgjedhës, lëshoi dy Letra të veçanta Rekomanduese për Bekim Haxhiun dhe Ismet Shalën.

Ajo madje kishte bërë të njëjtat gabime drejtshkrimore për të dy rekomandimet. Vetëm të dhënat personale dhe shkollimi kanë ndryshuar.

Më 22 dhjetor 2011, Këshilli Akademik emëroi Komisionin për zgjedhjen e dy pozitave:

  1. Një asistent për postin Mjekësia Sportive dhe Bazat e transformimit motorik III & IV
  2. Një asistent për postin Fizioterapi në Neurologji I dhe II
  3. Një asistent për postin Fizioterapia e çrregullimit të sistemit osteomuskular I dhe II
  4. Bazat e kinesiologjisë dhe me biometrike.

Komisioni i ri përbëhej prej Isuf Dedushaj – kryetar dhe Hajrije Honduzi-Hysenaj, e

Vjollca Sahatçiu-Mekaj, anëtare.

Më 08 shkurt 2012, pa asnjë arsye, Këshilli Akademik nxori vendimin e dytë me numër 333 dhe ndryshoi përbërjen e komisionit të caktuar më 22 dhjetor 2011. Këtë herë, Faton Morina emërohet kryetar, ndërsa Hajrije Hunduzi-Hysenaj dhe Isuf Dedushaj – anëtarë.

Vetëm Vjollca Mekaj, u zëvendësua.

“Siç mund të vërehet, Këshilli në mbledhjen e mbajtur më 22.12.2011, tashmë kishte emëruar një komision për të njëjtat vende të lira. Megjithatë, në këto vendime të lëshuara në 08.02.2012 Vjollca Mekaj nuk është më anëtare e komisionit”, sqaron Prokuroria.

Vjollca Mekaj ishte anëtare e Komisionit të mëparshëm i cili Haxhiun dhe Shalën nuk i kishte rekomanduar.

“Në shkresat e lëndës nuk mund të gjendet procesverbali mbledhjes së Këshillit të datës 06.02.2012, dhe për këtë arsye nuk është e qartë nëse Këshilli mbajtur ka mbajtur mbledhje për këtë çështje dhe nëse ata e anuluan vendimin e 22.12.2011”, saktëson Prokuroria.

Më 28 shkurt 2012, komisioni i ri rekomandon Bekim Haxhiun dhe Ismet Shalën. I njëjti komision rekomandoi Shkurta Rrecajn për pozitën e asistentes në Bazat e Kinesiologjisë Biometrike.

Prokuroria thotë se edhe pse nuk është raportuar nga AKK, në raportin e komisionit përmendet se Shkurta Recaj ndjek studimet e doktoratës në Universitetin Corrllins, që dyshohet si universitet i rremë.

Më 06 shkurt 2013, AKK ka marrë informacion nga Ymer Halimi, profesor në Fakultetin e Mjekësisë duke pretenduar se Bekim Haxhiu dhe Ismet Shala janë zgjedhur në mënyrë të paligjshme si Asistent Profesor në Fakultetin e Mjekësisë.

Halimi gjithashtu kishte pohuar se Bekim Haxhiu, ka falsifikuar diplomë PhD të cilën ai pretendon se është regjistruar në studimet e doktoratës në Universitetin Corrllins.

Ai kishte argumentuar se rektori Mujë Rugova, me qëllim pengoi titullin e tij si profesor i rregullt për shkak të kundërshtimit të tij për tu zgjedhur Bekim Haxhiu dhe Ismet Shala edhe pse ai ishte propozuar me 08.09.2011 nga Këshilli akademik të Fakultetit të Mjekësisë për pozitën e profesorit të rregullt.

Halimi kishte thënë se Bekim Haxhiu ndikoi gjithashtu që Bedri Zahiti- doktor i Mjekësisë të Brendshme nga Vushtrria, të zgjidhet profesor me një recension të vjetër 6 vite.

Ligji nuk lejon një recension të vjetër 6 vite.

Më vonë Zahiti u bë Shef i Klinikës. Dyshohet se ka ndodhur për shkak të ndikimit të Bekim Haxhiut pasi ata kanë lidhje familjare. Është nip i Haxhiut.

Ai pretendonte se specializimi dhe diploma e Bekim Haxhiut është falsifikuar.

“Bekim Haxhiu kishte ndikuar tek anulimi i konkursit, publikimit të konkursit të ri me kritere të reja dhe kishte ndryshuar anëtarët e Komisionit. Bekim Haxhiu ka ndikuar në dëbimin e Gani Bajraktarit nga pozita e dekanit”, pretendon Prokuroria.

Më 11 dhjetor 2013, AKK ka zhvilluar një takim me Naim Halitin, ish-dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, ku e pranishme ishte dhe Hajrije Hunduzi-Hysenaj.

Në pyetjen lidhur me moshën e kandidatit, Hunduzi-Hysenaj shpjegoi se Komisioni, kur kishte zgjedhur Bekim Haxhiun dhe Ismet Shalës, ka pasur parasysh faktin se ata kanë qenë në angazhuar me honorarë në Universitet në periudhën 2006-2010.

Më 22 janar 2014, AKK ka dërguar një kërkesë në Këshillin Akademik të Fakultetit të Mjekësisë duke pyetur nëse: Komisioni i parë (Shaban Hasi, Ymer Halimi dhe Vjollca Mekaj), i konkursit të datës 20.04.2011, dhe komisioni i dytë (Faton Morina, Hajrije Hunduzi-Hysenaj dhe Isuf Dedushaj) i konkursit 14.11.2011, ishin kompetent për të zgjedhur njerëz në këto pozita.

Këshilli Akademik u përgjigj më 28 janar 2014 duke thënë se të gjithë anëtarët e Komisionit të parë dhe të dytë mund të konsiderohet kompetent për përzgjedhjen e kandidatëve për Asistent.

Screenshot_2016-04-20-10-41-55

Verifikimi i diplomës së Bekim Haxhiut

Kur kishte aplikua për këtë pozitë, Bekim Haxhiu kishte paraqitur një certifikatë të verifikimit që pretendonte se përfunduar programin e doktoratës në Universitetin e Corllins. Në këtë dokument shkruhet se në qoftë se verifikimi është i nevojshëm, kjo mund të bëhet online në linkun:

http://www.corllinsverification.com/StudentArea/CredentialsVerification/CredentialVerification.aspx ID: RV39987 Fjalëkalimi: 45864999;

Më 20.06.2012, Lëvizja e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e quajtur “Studim Kritikë Veprim (SVK), kishin verifikuar të parët studimet e Haxhiut. Faqja e Universitetit Corllins tregon natyrën dhe qëllimin për të cilin është ndërtuar Prapashtesa “.com” tregon qëllimin e saj komercial, dhe kjo nuk është “edu” për qëllime të arsimit.

Universiteti Corllins nuk kishte adresë fizike në faqen e internetit ose në dokumente.

Nga e-mail të marra nga Universiteti Corllins, SVK kishte gjetur adresat IP (vend kompjuterike) dhe kishte se është e vendosur në Pakistan.

E-mailet e marra nga Universiteti Corllins vinin nga Arabia Saudite.

Kërkimet e internetit tregonin se një numër i madh i njerëzve në mbarë botën ishin viktima të Universitetit Corllins.

Haxhiu: Këto janë shpifje

Bekim Haxhiu, i ka quajtur të gjitha shpifje pretendimet kundër tij. Ai ka thënë se këto shpifje janë iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk kanë kurrfarë baze.

“LVV as me rrejt nuk ka ditë, atëherë, pa pas doktoratë fare ka thënë se kam falco. Kur ata kanë bërë këto shpifje unë kam pas të përfunduar studimet master dhe të regjistruar studimet e doktoratës të cilat i kam përfunduara me 22.02.2016”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.

Haxhiu ka thënë se në Corollines University ka regjistruar studimet në kieziologji dhe ka dhënë provimin pranues, por nuk i ka vazhduar studimet aty, sepse në siç ka thënë ai është pranuar në studimet e doktoratës në Universitetin Mjekësorë të Tiranë, ku pagesa për semester ka qenë 510 Euro, ndërsa në Corollines University ka qenë 14400 Dollar viti.

“LVV ka shpifur. Regjistrimin e kanë quajtur diplomim. ai është niveli i tyre. Kanë bërë kallëzim penal pa asnjë bazë juridike, prandaj askush nuk është marrë me shpifjet e tyre, përjashtimisht juve në këtë rast dhe mediumit ku keni punuar më parë”, ka thënë Haxhiu.

Kolegu i tij, Ismet Shala i kontaktuar nga Insajderi nuk ka pranuar të flas.

“Nuk është e vërtetë se jam pranuar me shkelje”, ka thënë ai.

Të tjerët nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth këtij rasti. /Insajderi.com