Qeveria në ikje e LDK-së shpalli konkurse për punësimin e mbi 100 personave në Ministrinë e Kulturës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që nga koha kur nisi të dridhej koalicioni qeverisës e deri në dorëzimin e mandatit, ka shpallur 19 konkurse për punësimin e mbi 100 personave në pozita të ndryshme nëpër institucione vartëse të saj. Kjo Ministri udhëhiqej nga LDK-ja e Isa Mustafës, i cili ishte kryeministër i vendit.

Qeveria në ikje e LDK-së shpalli konkurse për punësimin e mbi 100 personave në Ministrinë e Kulturës

Në prill të këtij viti kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nisi fjalorin e tij të ashpër kundër qeverisjes së Isa Mustafës.

Ai nisi të përgatitej për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Organizoi ‘turin e dëgjimit’, duke ‘shëtitur’ nëpër tërë Kosovën.

LDK-ja që ishte në koalicion me PDK-në, e pa që diçka nuk po shkon mirë në qeverisjen e përbashkët.

Këtë e vërejti LDK-ja dhe nisi të mobilizohej, si në parti, por edhe nëpër ministri të cilat i udhëhiqte. Ndër to ishte edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Këtë Ministri e udhëhiqte Kujtim Shala, i cili njëkohësisht ishte edhe zëvendëskryeministër.

Insajderi ka zbuluar se MKRS-ja për 5 muaj shpalli 19 konkurse për pozita të ndryshme. Në to kërkohej punësimi i mbi 100 personave në pozita të ndryshme, në institucione vartëse të MKRS-së.

Konkurset e shpallura pas lëkundjes së koalicionit PDK-LDK

Konkursi i parë gjatë kësaj periudhe 5-mujore nisi në kohën e lëkundjes së koalicionit. Më 5 prill 2017 Ministria e Kulturës shpalli konkurs për 20 pozita të ndryshme.

Dhjetë ditë më vonë u shpall konkursi tjetër, ku kërkohej një Zyrtar për Buxhet dhe Financa në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Përderisa vazhdonin përplasjet mes partnerëve të koalicionit, MKRS-ja vazhdonte me shpalljen e konkurseve. Pesë ditë më vonë kërkonte ’një asistent/e administrativ/e në QRTK Prishtinë’.

Në muajin maj, kur pothuajse ishte qartësuar se bashkëqeverisja PDK-LDK nuk mund të vazhdojë tutje, MKRS-ja shpall konkurs tjetër. Konkursi i 4 majit kërkonte shtatë pozita – ‘pesë korist në Filarmoninë e Kosovës (1 soprano, 1 ALT, 1 tenor, 2 Basa, Instrumentist frymor në Filharmoninë e Kosovës); dhe dy pozita tjera (1 trompetist, 1 korist).

Data 10 maj ishte fundi i Qeverisë Mustafa, pasi Kuvendi me shumicë votash miratoi mocionin për rrëzimin e saj. Miratimin e saj e mundësuan deputetët e PDK-së, të cilët ishin në bashkëqeverisje me LDK-në e Isa Mustafës.

Pas rrëzimit të Qeverisë, kryeministri dhe kabineti qeveritar ishin në ikje. Ministria e Kulturës vazhdonte me shpalljen e konkurseve. Kjo Ministri, pas rrëzimit të qeverisë e deri më tani i ka shpallur 15 konkurse.

Më 23 maj, rreth dy javë pas rrëzimit të qeverisë, kjo Ministri shpalli konkurs për 58 pozita të ndryshme në institucionet vartëse të saj.

Një ditë më vonë po ashtu u shpall konkurs tjetër ku kërkohej ‘Një Zyrtar për Trashëgimi Kulturore – QRTK Pejë’. Në të njëjtën ditë u shpall konkurs tjetër duke kërkuar ‘Një Zyrtar për Arkiv në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Konkurset e shpallura pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa

Pas shkarkimit të qeverisë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 11 qershor.

Kryeministri Mustafa dhe kabineti i tij qeveritar vazhdonin t’i ushtronin detyrat e tyre deri në ardhjen e qeverisë së re.

Partia e kryeministrit Mustafa (LDK) lidhi koalicion parazgjedhor me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës.

Megjithatë, ky koalicion nuk arriti t’i fitojë zgjedhjet karshi koalicionit tjetër PDK-AAK-Nisma.

Gjersa partitë negocionin marrëveshjet për krijimin e qeverisë së re, në Ministrinë e Kulturës vazhdonte ritmi i shpalljës së konkurseve.

Rreth pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, më 16 qershor 2017 MKRS shpalli konkurs për ‘një tenor në Korin e Filarmonisë së Kosovës’.

Rreth një javë më vonë, kjo Ministri kujdeset për shpalljen e një konkursi tjetër. Kërkonte ‘Zyrtar për Buxhet dhe Financa në Muzeun e Kosovës’.

Në po të njëjtën ditë u shpallë edhe konkursi për ‘Një pedagog muzikor në Muzeun e Kosovës’.

Më pas, muaji korrik solli konkurset tjera. Ishte data 13 e këtij muaji kur MKRS-ja përmes konkursit kërkonte një ‘Zyrtar për Arkiv QRTK në Gjakovë’.

Data 21 korrik nxori kërkesën tjetër për staf, ku përmes konkursit kjo Ministri kërkonte ‘Një asistent administrativ në Departamentin e Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme’.

Në muajin e radhës, më 1 gusht,  sërish u shfaqë nevoja për ‘Një zyrtar për arkiv’. Në po të njëjtën ditë u shpallë konkursi edhe për ‘Një asistent administrativ në QRTK Gjakovë’.

Data 2 gusht shfaqi kërkesën që përmes konkursit të punësohej ‘Një zyrat për Buxhet dhe Financa në Qendrën Kinematografike të Kosovës’.

MKRS-ja nuk ndalej me shpalljen e konkurseve. Tash kërkonte ‘Një zyrtar për sport’. Këtë pozitë e kishte publikuar më 4 gusht 2017, raportin Insajderi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare detyruan kryeministrin në ikje, që në fund të mandatit të bënte ndryshime në kabinetin e tij. Ish-ministri Shala kishte marrë vota të mjaftueshme që të bëhej deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja.

Në vend të tij, në postin e ministrit të Kulturës u emërua Vlora Dumoshi.

Edhe në mandatin e saj të përkohshëm shpallja e konkurseve vazhdonte.

Në konkursin e 18 gushtit 2017 kërkohej ‘Një bashkëpunëtor profesional për rini’, ‘Etnolog në Muzeun e Kosovës’, ‘Bashkëpunëtor profesional në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit’, ‘Bashkëpunëtor profesional në Institutin Arkeologjik të Kosovës’.

Gjithashtu, e njëjta ditë solli edhe konkursin për ‘Një zyrtar për donacione’.

Dhe konkursi i fundit që është shpallur në këtë Ministri deri më tani është ai i 23 gushtit përmes të cilit kërkonte ‘Një zyrtar për Buxhet dhe Financa’.

Pra në periudhën 5-mujore kur qeverisja nisi të destabilizohej, e deri te dorëzimi i mandatit qeverisë, Ministria e Kulturës shpalli 19 konkurse për pranimin e 105 zyrtarëve nëpër pozita të ndryshme në institucione që i përgjigjen asaj.

Ish-ministrja Dumoshi i ka thënë Insajderit se shpallja e konkurseve ka qenë përgjegjësi e administratës së ministrisë.

“Asnjë konkurs nuk lidhet me emrin e Vlora Dumoshit. Kur kam hyrë aty, kam thënë se nuk dua asnjë konkurs të shpallet. Çfarë bën administrata, cilat janë vendet nëpër institucione tjera nuk e di. Ato janë punë të administratës. Këtë po jua them me sigurinë dhe transparencën më të madhe se asgjë nuk lidhet me emrin tim”, ka thënë ajo.

Edhe ish-ministri Kujtim Shala ka mohuar të ketë qenë i informuar për numrin kaq të madh të konkurseve të hapura në kohën kur drejtonte Ministrinë e Kulturës.

“Ato që përshkruat ju janë konkurse për shërbime të veçanta dhe jo për punë të rregullt. Nuk kanë të bëjnë aspak me mandatin e Ministrit dhe janë shpallur sipas kërkesës së departamenteve apo të institucioneve. Procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimit të Auditorit të Përgjithshëm.  Konkurset janë shpallur kur është siguruar buxheti nga Ministria e Financave. Ato kontrata kanë kohëzgjatje prej 3 muajve”, ka thënë Shala për Insajderin.

Gazeta Insajderi ka kërkuar i ka dërguar pyetje edhe Zyrës për Media të  Ministrisë së Kulturës për të marrë përgjigje nga administrata lidhur me konkurset e shpeshta të hapura në fund të mandatit të Qeverisë Mustafa.

Administrata e kësaj ministrie ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me konkurset e dyshimta, nëpërmjet të cilëve planifikohet punësimi i mbi 100 vetave./Insajderi.com