Velijaj: Shefi i prokurimit në MPB kërkoi 100 mijë euro për shtimin e faqeve të pasaportës

Secila kërkesë e përfaqësuesve të kompanisë austriake, OeSD realizohej nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Natali Velijajt, kjo bëhej në këmbim të ryshfetit. Mes tjerash përmend një yll të mistershëm në pasaportat e Kosovës që ishte futur jashtë marrëveshjes së dizajnit. Për pranimin e pasaportave, austriakët sipas Velijajt kishin paguar 7 mijë euro ryshfet. Ajo thotë se EULEX-i kishte larguar nga rasti prokuroren Drita Hajdari kur ajo kishte nisur të hetonte austriakët dhe shoferin e Kadri Veselit, Bashkim Shalën.

Velijaj: Shefi i prokurimit në MPB kërkoi 100 mijë euro për shtimin e faqeve të pasaportës

Një grup punues kishte përcaktuar dizajnin e pasaportave biometrike të Kosovës. Detajet e saj dhe shenjat e sigurisë nuk vërehen me sy.

Por, një kontingjent pasaportash me një yll në kartën e të dhënave ishte sjell nga kompania austriake OeSD. Natali Velijaj, ua kishte tërhequr vërejtjen austriakëve për këtë detaj që nuk ishte i miratuar në grupin punues në të cilin ishin pjesëmarrës, Blerim Rexha, Blerim Camaj, Bekm Hoxha, etj.

Austriakët sipas Velijajt, kishin zgjedhur mënyrë tjetër që këto pasaporta të pranoheshin – ryshfetin.

Për secilin furnizim që nuk ishte i paraparë me kontratë, austriakët sipas Velijajt u jepnin ryshfet zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një kontingjent prej pesë mijë kopjesh të pasaportave i kishte sjellë kompania në Kosovë. Ato pasaporta do t’u shpërndaheshin ambasadave të huaja, pikave doganore, shteteve të tjera për t’i njoftuar me dukjen dhe përmbajtjen.

Pjesa e mbetur duhej të shkatërrohej. Por, edhe për këtë ishin kujdesur austriakët: jepnin ryshfet që asgjë të mos u shkonte dëm atyre.

Në pjesën e tretë dhe të fundit të intervistës, Natali Velijaj ka folur për detaje teknike të menaxhimit të kontratës dhe furnizimit me pasaporta.

Kërkesat e austriakëve plotësoheshin gjithmonë

Velijaj zbulon tendencat për rritjen e numrit të faqeve të pasaportave në këmbim të ryshfetit, deri tek përfshirja e Ministrisë së Punëve të Brendshme në kontrabandë për llogari të kompanisë OeSD.

Mes tjerash, ajo shpjegon se si ishte bërë pranimi i makinave që mund të prodhonin vetëm 2 mijë e 500 pasaporta për tetë orë punë e jo 3 mijë e 700 siç parashihej me kontratë.

Bile, MPB-ja kishte lejuar që edhe dy makinat rezervë të mos silleshin fare. Krejt këto në këmbim të ryshfeteve.

Ajo tregon se në gjithë Ministrinë ka pasur kamera, pos në zyrën e Besnik Berishës dhe Bekim Hoxhës. Aty, madje nuk ka mundur askush të futet me telefon.

Ajo thotë se për t’i pranuar pasaportat me yll, austriakët ua kanë dhënë zyrtarëve të MPB-së, 7 mijë euro ryshfet. Këto para thotë se i kanë marrë Besnik Berisha, Abedin Mehmeti dhe Arben Osmani.

“Unë vetë ia kom dhanë 7 mijë euro në zyrën e Besnikut”, shton ajo.

Velijaj përmend një detaj tjetër të një pagese të austriakëve për firmën e Bujar Canollit, e hapur dy ditë para deponimit të 150 mijë eurove.

“Prej atyre 150 mijë eurove, 80 mijë euro ia kom dhanë Besnik Berishës në Ministri të Punëve të Brendshme. Me mua ka qenë Bujar Canolli”, thotë ajo.

Ajo tregon se si importi i pasaportave fillimisht kishte shkuar në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tregon se për dhjetë ditë ishte bllokuar kamioni me pasaporta në Kullë.

“Shoferi ka qenë kroat. 10 ditë kërkush nuk e ka hapë kamionin në terminal. Është dashur të ndërrohen dokumentet nga emri i MPB-së në emër të ‘Constalking EU’. Kamioni është lëshuar pasi është paguar dogana dhe TVSH-ja.

Përfshirja e MPB-së në kontrabandë për llogari të kompanisë austriake ishte konfirmuar edhe nga raporti i Auditorit Gjeneral të Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme kishte regjistruar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për pasaportat biometrike dhe pajisjet tjera të sjella në Kosovë nga kompania austriake, ani pse me kontratë obligohej ta bënte kompania OeSD.

Neni 16 i kontratës parasheh një gjë të tillë.

Raporti i Auditorit Gjeneral  

Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm i vitit 2011, konstatonte se kompania OeSD, duhej të regjistrohej në regjistrin e shoqërive tregtare dhe emrave tregtarë të Kosovës “brenda një afati të arsyeshëm kohor pas dhënies së kontratës”.

“OeSD nuk i është përmbajtur kushteve të kontratës, respektivisht nuk ka arritur të kompletojë dokumentacionin për themelimin e njësisë së saj deri më datën 27 shtator 2011. Në të njëjtën datë ajo ka qenë e obliguar t’i sjellë dhe t’i vejë në funksion pajisjet për prodhimin e pasaportave biometrikë”, thuhet në raport.

“Në mungesë të kompletimit të dokumentacionit për themelimin e degës në Kosovë (certifikatës së numrit fiskal, certifikatës së TVSH-së dhe certifikatës së doganës), më 14 shtator 2011 dhe me datë 19 shtator 2011 operatori ekonomik ka sjellë pajisjet në kufi”, shkruan më tej në raport.

“Dogana e Kosovës nuk e ka lejuar operatorin ekonomik nga Austria të fusë pajisjet në Kosovë pa dokumentet e nevojshme”.

Sipas raportit, pajisjet janë zhdoganuar në emër të MPB-së. MPB-ja ishte prezantuar si importuese. Përfaqësues i MPB-së ishte paraqitur Agjencioni Doganor “Shala Trade”. “Ne kërkuam nga MPB autorizimin për lejimin e importit në emër të MPB-së, mirëpo nuk na është ofruar një dokument i tillë. Sipas zyrtarëve të MPB-së, asnjë person fizik ose juridik nuk kishte autorizim për importimin e pajisjeve”.

Sipas këtij raporti, pagesat për këto pajisje ishin bërë në muajin dhjetor 2011 dhe pajisjet ishin në gjendje fizike dhe kapacitet të prodhimit sikur kërkohej në kontratë.

“Në këtë muaj është bërë edhe korrigjimi i Dokumenteve Unike Doganore (DUD)”.

Në Doganën e Kosovës kanë thënë për Insajderin së me kërkesë të Prokurorisë janë zhvilluar hetime të cilat kanë konstatuar se asnjë import nuk ishte bërë në emër të Ambasadës Austriake.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka thënë se ka pasur gjithsej 17 importe të pasaportave dhe pajisjeve të ndryshme.

Ai ka shpjeguar se në rastin e Doganës me Malin e Zi ka pasur tarifim të gabuar që është ndrequr më vonë.

“Fillimisht këto mallra kanë ardhur në Aeroport, ku të gjitha importet i janë nënshtruar taksës doganore prej 10% si dhe TVSH prej 16%; kurse në DD Peja malli i njëjtë vetëm TVSH – së prej 16% pra ka pasur  tarifim të gabuar të mallit – pasaporta, në numër të gabuar tarifor – 4901990000 (i cili nuk parasheh pagesë taksash). Është dashur të tarifohen nën 4911990000 cili parasheh pagesë taksash (Taksë doganore = 10% si dhe TVSH = 16%). Kjo ka ndodhur gjatë vitit 2011 si dhe 2012”, ka thënë Stavileci.

“Ky tarifim i gabuar për pasojë ka ndikuar në mosinkasim të taksave, Dogana ka lëshuar vendimin për ri-inkasimin e taksave”.

100 mijë euro ryshfet për rritjen e faqeve të pasaportës

Velijaj tregon se si drejtori i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agim Fejzullahu, kishte kërkuar 100 mijë euro për rritjen e faqeve të pasaportave.

Këtë, ka thënë se nuk e kishte lejuar ish-sekretari Ilhami Gashi, të cilin e lavdëron për parandalimin e shumë parregullsive të tjera.

“Austriakët kanë dashur ta bëjnë pasaportën me ma shumë faqe. Kemi bisedu me Agim Fejzullahun, shefin e prokurimit. Ai ka lypë pare për mu realizu kjo. I ka lypë ryshfet 100 mijë euro”, shton ajo.

Në këtë takim ka thënë se ka qenë së bashku me shefin e shitjeve ndërkombëtare të OeSD-së, Gerhard Vastl.

“Në takim, Agim Fejzullahu ka thanë se nëse paguhen 100 mijë euro, rritjen e faqeve i shtin si punë shtesë, se Kosovës i duhen viza për shkak se nuk ka liberalizim”, ka thënë ajo.

Kur ishte provuar të bëhej kjo, kishte ndërhyrë Ilhami Gashi.

“Ilhami Gashi më ka pyet personalisht sa faqe i ka pasaporta e Gjermanisë? I kom thanë sa i keni ju. Ka thanë kjo punë nuk vjen në shprehje”, tregon ajo.

Nëse do të realizohej një gjë e tillë, atëherë shteti i Kosovës do të paguante nga një euro më shumë për secilën faqe. Përfitimi do të ishte milionësh.

Velijaj ankohet për dënimin e saj pa ekspertizë financiare. Insiston se në llogarinë e saj bankare ka dalë vetëm fitimi i saj për punën që ka kryer për kompaninë austriake OeSD.

Velijaj thotë se po të donte nuk do të vinte kurrë në Kosovë. Saktëson se ka shtetësi të Bosnjës. Këtë fakt e përmend si mundësi që të jetonte në Sarajevë dhe kurrë mos të ekstradohej.

Por, thotë se ka ardhur vullnetarisht. Ajo lavdëron prokuroren Drita Hajdari e cila kishte nisur të hetonte majën e piramidës së korrupsionit. Por, kur EULEX-i e kishte kuptuar këtë, sipas Velijajt, prokuroja Hajdari ishte përjashtuar nga rasti. /Insajderi.com