“Tregtia kriminale” me tokën e shtetit  

Tokat që janë tregtuar nga “grupi i Azem Sylës”, para luftës së dytë botërore kanë qenë prona private kryesisht të serbëve të Kosovës. Ato, ndërkohë janë marrë nga shteti dhe është themeluar ndërmarrja “KBI Kosova Export”. Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër – pa e ditur fare ata. Pas bartjes në emra të tyre, pronat janë shitur tek pronarët shqiptarë. Vlera e këtyre trojeve është vlerësuar se peshon mbi 30 milionë euro.

“Tregtia kriminale” me tokën e shtetit   

Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Insajderi ka siguruar urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës për bastisjen e 42 lokacioneve në mbarë Kosovën, përfshirë shtëpinë e deputetit Syla në Kizhnarekë.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

Pronarët e vjetër janë kryesisht serbë, të cilët kanë ikur nga Kosova pas luftës.

Prokuroria ka identifikuar tri raste të mëdha të pronave në emër të familjes Vujoviq (Rasti 1), Simiq (Rasti 2) dhe Steviq (rasti 3).

“Pas sigurimit të vendimeve origjinale nga familjet e tyre, grupi ka siguruar nga arkivat e Gjykatës Themelore në Prishtinë skendarët origjinal të gjykatës për procedurat të cilat kanë rezultuar në këto vendime gjyqësore”, pretendon prokurori.

20160427_153714 (1)

Dokumentet të cilat i referohen ngastrave të tokës të cilat fillimisht iu ishin kthyer familjeve serbe, ishin larguar dhe zëvendësuar, apo plotësuar, me dokumente të rajt të falsifikuara, duke listuar ngastrat e KBI Kosova Export të cilat ishin me vlerë më të madhe se sa ngastrat origjinale të listuara në vendim.

Prokuroria pretendon se disa prej anëtarëve të atyre familjeve kanë bashkëpunuar me këtë grup. Të tjerët pretendohet që ose kanë nënshkruar këto autorizime në mirëbesim, apo nënshkrimet e tyre ishin falsifikuar.

“Dokumentet autentike apo të falsifikuara të autorizimit më pastaj ishin përdorur për të ekzekutuar vendimet e falsifikuara gjyqësore të cekura si më lartë. Të pandehurit kanë përdorur dokumentet për të lehtësuar transferimin e pronësisë në Zyrën komunale kadastrale, nga Ndërmarrja Shoqërore (KBI Kosova Export) në emrin e përfituesve”, shkruan në urdhrin për bastisje të Gjykatës.

Prokuroria thotë se transferimi i ngastrave të tokës ishte autorizuar nga zyra kadastrale pa miratimin e KPA-së. Pretendohet se grupi pastaj ka shitur tokën nëpërmjet njërës prej dy metodave.

“E para, të pandehurit Shaban Syla, Edvard Gashi dhe Hajrullah Beridha kanë shitur tokën drejtpërdrejt tek palët e treta, apo, e dyta. Grupi ka kryer shitje të rrejshme duke bërë transferimin e pronësisë së tokës tek anëtarët e grupit”, thuhet në vendim.

Bazuar në këto pretendime, gjatë rrjedhës së hetimeve Gjyqtari i procedurës paraprake ka miratuar disa kërkesa për masa të fshehta, duke përfshirë përgjimin e telekomunikimeve dhe zbulimin e të dhënave financiare.

Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjimeve mbështesin dyshimin se edhe pse disa prej anëtarëve janë në burg. Prokuroria ka thënë se ata janë aktiv për sa i përket organizimit dhe drejtimit të grupit. Prokuroria pretendon se Azem Syla është dhe ka qenë kreu i këtij grupi të organizuar për shumë vite. Dyshohet se ka siguruar financimin fillestar për grupin dhe ka mbajtur rolin mbikëqyrës përgjatë tërë operacionit.

“Raportet e Njësisë kundër krimit të organizuar përshkruajnë biseda të disa anëtarëve të pretenduar të grupit me një person të cilit i referoheshin si ‘Daja’ i cili pretendohet të jetë i pandehuri Azem Syla”, pretendon Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, në një bisedë tjetër ata i referoheshin të pandehurit Syla, si “Kryemadhi”. Pretendohet se Shpresim Uka dhe Shaban Syla janë anëtarët e lartë të këtij grupi, duke qenë bashkë-themelues të grupit dhe me role menaxhuese.

Fahredin Gashi, pretendohet se është anëtar i rangut të lartë të grupit i cili punon drejtpërdrejt nën ta.

“Provat e grumbulluara deri më tani, përfshijnë deklarata të disa dëshmitarëve të cilët janë dëshmitarë bashkëpunues, të cilëve vetë kishin mbajtur pozita të larta në kuadër të grupit… ata kishin dëshmuar në mënyrë të elaboruar lidhur me modus opeandi të grupit, duke përfshirë marrjen dhe dhënien e ryshfetit tek të bashkë-pandehurit, dhe rolet dhe pozitat e anëtarëve”, shkruan në vendimin e gjykatës për bastisje.

Personat e lidhur me familjet Vujoviq, Simiq dhe Steviq, janë intervistuar, nëpërmjet ndihmës së juridike me Serbinë dhe kanë dhënë deklarata mbi ngastrat e tokës që kanë pasur në pronësi familjet, dhe procesin e autorizimit.

Informatat dhe aktivitetet e zhvilluara të grupit janë konfirmuar nga mesazhet telefonike të shkëmbyera prej tyre.

“Të dhënat kadastrale janë konsultuar nga Prokuroria, nga të cilat janë siguruar informata lidhur me ngastrat e tokës. Prokuroria e ka konsultuat gjithashtu Arkivat Ndër-komunale të Prishtinës, shkresat e gjykatës dhe vendimet nga Gjykata komunale e Prishtinës dhe ajo e Graçanicës. Për më tepër janë zbuluar edhe të dhënat financiare të të pandehurve.

Hajrullah Berisha, Ish-punëtori i UNMIK-ut, dyshohet se të ketë ndihmuar nëpërmjet procedurave administrative para Dhomës së Veçantë, duke qenë i përfshirë në shitblerjen e ngastrave të tokës për sa i përket Rastit 1, dhe duke lehtësuar blerjen e tokës për sa i përket rastit.

20160427_153722 (1)

Arton Vila, vozitës i Azem Sylës, nga viti 2002 deri më 2014, pretendohet të ketë qenë i përfshirë në shitjen dhe blerjen e parcelave, veçanërisht të atyre që lidhen me parcelat e përmendura në rastin 3.

Ilaz Syla pretendohet të ketë qenë i përfshirë në blerjen dhe shitjen e parcelave, veçanërisht të atyre që lidhen me parcelat në rastin 1.

Nuhi Uka, si kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, pretendohet të ketë vërtetuar vendimet e falsifikuara në lidhje me rastet 1 dhe 2. Ai dyshohet të ketë siguruar një procedurë të rrjedhshme kur është nevojitur intervenimi i Gjykatës.

Shpresim Uka, pretendohet të jetë një pjesëtar i lartë i grupit dhe ka vepruar si dëshmitar në gjykatë për të ndihmuar falsifikimin e dokumenteve zyrtare.

Mexhid Syla, një avokat, pretendohet të ketë qenë i autorizuar (rrejshëm) që të ekzekutojë vendimin e gjykatës sa i përket familjes Steviq (rasti 3), i cili ka gënjyer se parcela është e tij. Këto dokumente i ka përdorur për të lehtësuar bartjen e pronësisë në kadastër nga KBI-ja te përfituesi.

Gazmend Gashi dhe Edvard Gashi, si avokat kanë vepruar në emër të grupit, kanë përdorur vendime të falsifikuara për parashtrimin e kërkesave pranë Komunës, ndërsa Gazmend Gashi ka vepruar si ndërmjetësues mes gjykatës dhe zyrës së Kadastrës. Gazmend Gashi është dhëndri i Nuhi Ukës.

Sabedin Haxhiu, si shef i Zyrës se Kadastrës, dyshohet të ketë siguruar dhe aprovuar bartjen e pronësisë në kadastër nga KBI- të përfituesi.

Edvard Gashi, Mexhid Syla (rasti 3), Gazmed Gashi, Avni Maxhuni (rasti 1 dhe 2) Ramadan Uka, dhe Avdyrrahman Brajshori, kanë vepruar si avokatë dhe ndërmjetësues në emër të grupit. Dy të fundit dyshohet të jenë përfshirë në blerjen dhe shitjen e parcelave.

Sali Bivolaku, Elhame Uka, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Cocaj, Visar Ahmeti, Lumnije SOpjani, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Jeton Govori, Shkëlqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj dhe Besnik Rexha pretendohet të kenë qenë të përfshirë në blerjen dhe/apo shitjen e parcelave që lidhen me rastin 1.

Elhame Uka, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Muharrem Kadriu, Ramadan Mavraj, Raif Hajdini, Vldet Shqiri dhe Sali Bivolaku pretendohet të kenë qenë të përfshirë në blerjen dhe/apo shitjen e parcelave që lidhen me rastin 2.

Arsim Hasani, Haki Hyseni, Baki Abdullahu dhe Kujtim Bucaliu pretendohet të kenë qenë të përfshirë në blerjen dhe/apo shitjen e parcelave që lidhen me rastin 3.

Dragan Maksimoviq dyshohet të ketë vënë kontaktet fillestare me familjet serbe dhe të ketë vepruar si ndërmjetësues.

Prokurori e thekson se hetimi bazohet kryesisht në provat materiale të cilat, mes tjerash, përbëjnë vendime origjinale të gjykatës, shkresa të lëndëve gjyqësore që përmbajnë dokumente të falsifikuara, shkresa të kadastrës, lista poseduese, kontrata të shitblerjes; prokurat.

Prokuroria ka futur nën hetim dhe i ka bërë pjesë të grupit kriminal edhe blerësit e parcelave, , Elhame Uka, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Coçaj, Visar Ahmeti, Lumnije Sopjani, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Jeton Govori, Shkëlqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Rmadan Mavraj, Raif Hajdini, Valdet Shaqiri, Arsim Hasani, Kujtim Bacaliu, Baki Abdullahu, Haki Hyseni dhe Besnik Rexha./Insajderi.com

(Tekstit i kanë kontribuar Edona Jerliu dhe Nektar Zogjani)