Kërkesa e turistëve polak për Shqipërinë

Kërkesa e turistëve polak për Shqipërinë

Këto vitet e fundit, Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve, që vijnë nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Teksa pëlqejnë rërën, detin, ata kanë një problem me shërbimin.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, zbuloi në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, kërkesën e veçantë që i kishin bërë këto ditë, një përfaqësi e një operatori turistik polak.

“Vetëm një kërkesë kemi, kamarierët shqiptarë të buzëqeshin,”- ishin fjalët e përfaqësisë polake.

Ministri Klosi ka treguar se është gjendur keq para kësaj kërkese, pasi kjo kompani turistike është nga më aktivet në vendin tonë.

Vetëm gjatë vitit 2017 konsumoi në Shqipëri 13 milionë Euro.

“Më thanë se kamarierët shqiptarë janë të vrazhdë, nuk kanë mirësjellje dhe nuk qeshin dhe për ta kjo ishte pika e keqe e impresioneve rreth Shqipërisë”, tregoi Klosi nga biseda me ta në ministri.