
Më 2 tetor 2017 në Bonn të Gjermanisë u nda nga jeta gjuhëtari, intelektuali, keltologu, poligloti, albanologu, studiuesi frymëgjatë i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, përhapësi i pashoq i vlerave të saj, prezantuesi i historisë së dokumentuar të popullit shqiptar, përkthyesi i zellshëm i letërsisë shqipe në gjuhët angleze dhe gjermane, përkthyesi i letërsisë greke në gjuhën gjermane, miku i madh i botës shqiptare, anëtari i jashtëm i ASHAK-ut, dr. Robert Elsie.
Studiuesi kanadez dr. Robert Elsie vdiq në moshën 67-vjeçare në Bonn të Gjermanisë më 2 tetor 2017. Ishte autor i 60 librave dhe i një numri shkrimesh mbi letërsinë dhe historinë shqiptare. Përktheu tekste të rëndësishme nga gjuha shqipe në anglisht dhe gjermanisht. Siç kërkoi, ai do të varroset në Shqipëri që njerëzve dhe kulturës së këtij vendi ia kushtoi jetën.
Robert Elsie studioi letërsinë klasike dhe linguistikë në Universitetin e British Columbia. Bëri studime post-diplomike në universitetet e Irlandës, Parisit dhe të Gjermanisë, duke përfunduar doktoraturën në studime linguistike dhe kelte në Universitetin e Bonnit më 1978, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë periudhë kishte qenë në Shqipëri, vend që pak studiues perëndimorë e kishin vizituar. Atë e intriguan gjuha dhe njerëzit. Në një moment kur e pyeta Robertin se përse nuk e kishte vazhduar interesimin e tij në studimet kelte, më tha se e kishte rrëmbyer shiu..
Spektri i trajtimeve të Elsiet ësht shum i gjërë. Ai u mor me gjuhën shqipe, me doket dhe me zakonet shqiptare, me besimet, mitet e legjendat, me veshjen shqiptare, me letërsinë shqiptare, me historinë shqiptare, me historinë e fotografisë shqiptare, me përkthime dhe shqipërime, me përkrahjen dhe propagandimin e çështjes shqiptare etj, shkruan sot Agim Morina në Koha Ditore.
Për një jetë njeriu, Roberti bëri shum. Aq më shumë kur bëhet fjalë për shqiptarët, historia, letërsia, gjuha e të cilëve gjithmonë ka vujtë dhe vun prej mungesës dhe pamjaftueshmërisë së përkthimeve dhe të paraqitjeve të tyre nëpër botë. “Shqiptarët janë një popull pa zë në Europë”, thoshte aj me çiltërsi fëminore për shqiptarët dhe, ndoshta, pa e kuptu as vetë, u bë zëri i tyre për dhjetëvjeçarë të tërë. Ndihmesa e madhe e Elsiet qëndron në faktin që aj hapi kulturën shqiptare për dy kulturat e mëdha europiane e botërore: për kulturën angleze dhe për atë gjermane.