
Dardan Zhegrova është fituesi i konkursit të përvitshëm të fotografisë që organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës. Juria e përberë nga Eleni Laperi, Vahida Nimanbegu dhe Afrim Spahiu zgjodhi Zhegroven për fituesin e Çmimit Gjon Mili 2017.
Ekspozita u hap dje bashkë me shpalljen e ccmimit kuruar nga Alfredo Cramerotti, ndërsa asistent kuratori është Atdhe Mulla. Koncepti kuratorial i këtij viti ishte: Hiperimazhi! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona.
“Ne u referohemi imazheve, ose aktit të krijimit të tyre, duke vepruar në aspektin social, politik dhe madje privat. Si pasojë e erës digjitale të fotografisë, mënyra se si jemi të involvuar në krijimin e imazheve është e vazhdueshme: ne mund t’i qasemi si funksion specifik profesional ose artistik, ose ta bëjmë atë pjesë të mënyrës së formimit të ekzistencës sonë. Kur imazhet digjitale imponohen si përkthime vizuale të vetes, kuptimi i fotografisë tenton të largohet nga praktikat standarde të përfaqësimit.”
“Imazhet formojnë një rrjedhë kohore vizuale, të krahasueshme me një narracion linear tekstual, ku gramatika përbëhet nga listat e shopingut, bisedat, komentet e mediave sociale ose e-mailave të punës”, shprehet Alfredo Cramerotti.
Duke treguar se edhe pse këto imazhe nuk janë koherente kur vëzhgohen bashkërisht dhe janë të prodhuara për arsye të ndryshme, ato bëhen “pjesëza” informatash që vizualisht përkthejnë kontekstet e ndryshme në atë që ne dëshirojmë të tjerët të mendojmë për ne.
Atëherë ato mund të kuptohen si alfabet piktorial ku mundësitë e komunikimit janë të pafundme dhe universale, të liruara nga kufizimet e ndërlidhura me përkthimin tekstual. Rezultati është rrjedhë e formave vizuale dhe domethënieve që mund të shkëmbehen, pavarësisht prej situatave në të cilat janë krijuar ose konsumuar ato. Gjon Mili 2017 vendos në pyetje këtë hipotezë, duke u fokusuar në krijimin e imazhit në erën digjitale, ai tenton të testojë se “autorësia vizuale” sot, a asocohet ende me mbajtjen e një pozite specifike përmes idesë së përfaqësimit, apo ka të bëjë më shumë me zhytjen në një proces vazhdimisht të ndryshueshëm i cili kurrë nuk e prodhon një vepër të “përfunduar” për ekspozim.
Duke shkuar përtej një ekspozite klasike të fotografisë, Gjon Mili 2017 ekspozon një narrativ të zgjeruar të fotografisë përmes objekteve fotografike, instalacioneve, projeksioneve, informatave të “gjalla” vizuale, dhe “letër-mureve të lëvizshme” që do të testojnë racionalen kuratoriale, dhe do të angazhojnë vizitorët në një shteg të zbulimit, vetë-reflektimit dhe hulumtimit të hapur për statusin e kulturës vizuale të fillim- shekullit 21.
Dardan Zhegrova është autor i një sërë ekspozitash brenda dhe jashtë vendit.