Mbrojtësi i sulmuesit të Kajtazit, avokat i Milaim Zekës

Mbrojtësi i sulmuesit të Kajtazit, avokat i Milaim Zekës

Avokati Gazmend Halilaj qëndroi rreth katër orë në Gjykatë të dielën. Ai kishte detyrë ta mbronte klientin e tij Fitim Thaqi, për sulmin fizik ndaj kryeredaktorit të Insajderit Vehbi Kajtazi.

Pas katër orëve seancë, gjyqtarja Naime Krasniqi i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve Fitim Thaqit. E, vetëm një ditë pasi e mbrojti në Gjykatë Fitim Thaqin, Gazmend Halilaj është përzgjedhur nga deputeti i NISMA-s Milaim Zeka, që ta mbrojë edhe atë.

Zeka, i cili u arrestua sot nga Policia nën dyshimin se mashtroi qindra kosovarë për pajisje me viza, pritet që të dalë në gjykatë së shpejti. Do të mbrohet nga ai njëjti avokat sikurse Fitim Thaqi.

Avokati që do t’i mbrojë Thaqin dhe Zekën, në dy raste të ndryshme, thotë se fakti që të këta njerëz kanë zgjedhur që të mbrohen përmes tij në gjykatë, nuk është rastësi.

Gazmen Halilaj thotë se ka shumë klientë që vijnë nga Komuna e Drenasit, dhe të tillë janë edhe dy klientët e tij të fundit.

Lidhjet e sulmuesit të gazetarit Kajtazi me Milaim Zekën e Azem Sylën

“Ky rast nuk është rast i njëjtë, Fitim Thaqi nuk ka të bëjë asgjë me rastin e vizave. Unë i kam diku rreth 200 klientë nga krejt Komuna e Drenasit të cilët preferojnë të vijnë tek unë; tjetër kund nuk shkojnë. Edhe Fitimi është i komunës së Drenasit dhe kam pas raste të tij të më hershme”, ka thënë Halilaj për Insajderin.

Ndërsa për klientin e tij Milaim Zeka, Halilaj ka thënë se me të njihet tash e 20 vjet.

“Milaimin e kam edhe të njohshëm. Njihem me të qe 20 vjet”, tha Halilaj.

Insajderi raportoi dy ditë më parë se Fitim Thaqi ka lidhje dhe miqësi me Milaim Zekën, për të cilin Insajderi shkroi për skemën e mashtrimit të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Në një seri hulumtimesh të publikuara nga gazeta, raportohet se 920 kosovarë kishin provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e Zekës dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. /Insajderi.com